EKSKLUZIVE/ Tentativa për manipulim dhe 30 milionë lekë premio, prapaskenat e ndeshjes që vendosi finalen Tirana-Tomori dhe rrëzoi Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2020 | 0:16

EKSKLUZIVE/ Tentativa për manipulim dhe 30 milionë lekë premio, prapaskenat e ndeshjes që vendosi finalen Tirana-Tomori dhe rrëzoi Partizanin

E shtunë, 13 maj 2000. Kanë kaluar plot 20 vite kur në stadiumin e Gjirokastrës është luajtur ndeshja e javës së parafundit (25-të) për kampionatin e sezonit 1999- 2000 mes Luftëtarit dhe Tiranës. Ishte një nga ato takime që vendoste fatin e sezonit për bardheblutë dhe njëkohësisht ndikonte direkt për Tomorin rival të Tiranës në garën për titull dhe Partizanin kandidat për të rënë nga Superiorja.

Luftetari vitet 200

(LUFTËTARI I VITIT 2000)  Lart nga e majta në të djathtë: Arben Çoni, Xhevahir Kapllani, Përparim Daiu, Oltion Osmani, Roland Miho, Gentian Begeja; Poshtë nga e majta në të djathtë: Bledar Devolli, Mikel Çenko, Astrit Nexha, Admir Shehaj, Arlind Nora

Sfida u mbyll 1-1, me një gol në pjesën e parë nga penalltia të kapitenit Krenar Alimehmeti për Tiranën dhe në minutën e 93- të nga sulmuesi i Luftëtarit, Admir Shehaj. Ky barazim bëri që Tirana dhe Tomori të shkonin më pas në një finale për titullin në Elbasan, duke qenë se e mbyllën kampionatin me 52 pikë. Nga ana tjetër, Partizani u rrëzua për herë të parë në historinë e tij nga elita e futbollit shqiptar pas humbjes 0-1 në “Selman Stërmasi” ndaj Tomorit. Ishte pikërisht ndeshja që solli më pas edhe vrasjen e ish-presidentit beratas, Çobo.

PRAPASKENAT

Premio, akuza, incidente dhe lot. Protagonistët e kohës e mbajnë mend mirë atë që ka ndodhur në Gjirokastër më 13 maj 2000. “Panorama Sport” risjell 20 vite më pas disa nga prapaskenat më të bujshme të atij fundsezoni. Natyrisht kanë kaluar dy dekada dhe në atë kohë transmetimi në TV i Superiores ishte i kufizuar në vetëm disa nga ndeshjet që luheshin në stadiumet e kryeqytetit. Tirana drejtohej nga Shkëlqim Muça, ndërsa Luftëtari nga Faruk Sejdini.

Shkelqim-Muca1-490x276

Në vitin 2000 klubi gjirokastrit kishte bërë diferencën në merkato, teksa presidenti i atëhershëm Grigor Tavo afroi disa nga emrat më të njohur, duke filluar nga portieri Xhevahir Kapllani, mbrojtësi Përparim Daiu, sulmuesi Gentian Begeja, e për të vazhduar më pas me shkodranët Edi Martini, Armando Cungu dhe Suad Lici.

grigor tavo

Të gjithë këta lojtarë ishin nga më të kërkuarit për kohën. Mirëpo, ndeshja me Tiranën nuk kishte rëndësi sa i përket rezultatit për Luftëtarin, pasi gjirokastritët pozicionoheshin në mes të tabelës dhe nuk kishin mundësi për të kapur zonën europiane. Pak ditë përpara këtij takimi, te Luftëtari kishte plasur në stërvitje. Trajneri Sejdini kishte pezulluar pa afat dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, kapitenin Altin Xhumba dhe mesfushorin Neritan Novi (ky i fundit është sot trajner i Luftëtarit).

Kjo solli edhe irritimin e tifozëve, të cilët gjithë dufin ia nxorën “Xhaxhit” gjatë ndeshjes me Tiranën. Bardheblutë kishin president në atë kohë të ndjerin El Sajed dhe një fitore në Gjirokastër i shpallte kampionë, duke qenë se në javën e fundit luanin në shtëpi ndaj Dinamos, me blutë që në atë sezon kishin siguruar mbijetesën.

myrteza-allkja

Por çfarë ndodhi para ndeshjes që u gjykua nga i ndjeri Myrteza Allkja…? Motivimi i skuadrave të ndryshme, duke pasur indirekt interes për rezultatin, është i ligjshëm në futboll. Kësisoj, në atë kohë Tomorit i interesonte që Luftëtari të ndalte Tiranën dhe të fitonte titullin. Situata ka qenë e ndezur te gjirokastritët para ndeshjes, duke qenë se në qytet kishte zëra për një tolerim të mundshëm të takimit, por në fushë ndodhi e kundërta dhe rezultati shkoi në favor beratasve.

SHPËRBLIMI

Miliona për lojtarët e Luftëtarit, që në fund festojnë si të kishin fituar trofeun. Luhej minuta e fundit shtesë dhe një krosim në zonë i Arlind Norës gjen në shtyllën e dytë të lirë Admir Shehajn, që mposht me kokë Nallbanin. “Para ndeshjes ka pasur tentativa nga Tirana për të joshur futbollistët e Luftëtarit. Shumat e ofruara kanë qenë deri në 10 mijë dollarë për kokë, por ne ramë dakord që të luajmë një futboll të ndershëm, duke refuzuar lekët që na jepte kundërshtari. Na u afrua si premio para ndeshjes nga përfaqësuesit e Tomorit një shifër prej 30 milionë lekësh të vjetër në rast se merrnim rezultat pozitiv ndaj Tiranës.

nora

Pranuam këto para dhe luajtëm ndershëm, edhe pse me një arbitrim totalisht kundër nesh. Fati na nderoi në fund, kur Shehaj shënoi me kokë”, tregon ekskluzivisht për gazetën një prej personazheve të kohës, por që nuk pranoi të identifikohej. Pas Luftëtari-Tirana 1-1, lojtarët gjirokastritë kanë marrë secili nga 2.5 milionë lekë të vjetër. Një premio e çmendur, për më tepër që flitet për 20 vite më parë.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"