EKSKLUZIVE/ Tension te Kamza, “shfryn” presidenti Qarri: Bashkia nuk po jep më para, nëse s’fitojmë në Korçë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 22:26

EKSKLUZIVE/ Tension te Kamza, “shfryn” presidenti Qarri: Bashkia nuk po jep më para, nëse s’fitojmë në Korçë…

Te Kamza nuk po gjejnë qetësi. Sikur të mos mjaftonte kriza e rezultateve, tashmë ka probleme edhe mes aksionerëve. Një shqetësim të tillë e ngre vetë Naim Qarri, i cili zbulon se bashkia jo vetëm që nuk ka likuiduar dy rrogat e fundit nga sezoni i shkuar, por këtë vit nuk ka dhënë asnjë qindarkë.

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, presidenti radhit shkaqet që kanë lënë ekipin në fundin e tabelës. Kreu i klubit i bën thirrje kryebashkiakut Xhelal Mziu që të japë kontributin e vet si aksioner, pasi vetëm kështu mund të ringrihet ekipi. Nuk e lë me kaq, pasi në fund jep ultimatum për fitore në Korçë. Dhe nëse nuk ia dalin, masat do të jenë të pashmangshme jo vetëm për trajnerin, por edhe lojtarët.

Mziu-Qarri-470x306

Keni ndërtuar një ekip me emra të mëdhenj dhe lojtarët që e njohin mirë Superioren, por Kamza vazhdon të jetë në fundin e tabelës. Çfarë po ndodh?

Ka disa arsye që është kjo paraqitje në renditje. Ekipi ka zhvilluar lojëra të bukura, por rezultatet nuk kanë ardhur. Sigurisht që kjo gjë më dhemb, sepse nuk duhej të ishte kjo situatë. Prandaj vendosëm që të lëviznim trajnerin që në javët e para, pasi pritshmëritë tona duhej të ishin edhe më të mëdha.

Cilat janë arsyet?

Kjo ka ardhur si rezultat i vonesës që ne patëm gjatë fillimsezonit në merkato. Grupi u plotësua vetëm në ditët e fundit, madje edhe kapiteni Sebino Plaku u afrua në ditën e ndeshjes. Kjo ka pasojat e veta, që janë pasqyruar edhe në rezultatet e arritura. Gjithsesi, unë kam pritur deri në javën e shtatë, pasi e di fort mirë edhe nga përvoja se konsolidimi i një skuadre e kërkon këtë kohë të nevojshme. Prandaj edhe kërkesat ndaj tyre nuk kanë qenë të prera e shtrënguese. Por, tani që janë luajtur 8 takime, nuk ka më kohë. Që nga kjo javë dua rezultatet.

Kur e dinit se trajnerit i duhet të paktën 7 javë për të konsoliduar skuadrën, përse e larguat Devollin që pas ndeshjes së tretë?

Skuadra nuk po funksiononte si duhet, duke pasur defekte në lëvizje dhe ndërtimin e formacionit, por edhe lojtarët kishin rezervat e tyre.

Çfarë prisni nga trajneri i ri, Klodian Duro?

Edhe nga ai pres që skuadra të funksionojë normalisht, nga ku të vijnë dhe rezultatet konkrete. Jo vetëm Duro, por çdo trajner tjetër, është në provë prej ecurisë së skuadrës. Që do të thotë: nëse skuadra nuk do të funksionojë, është e kuptueshme që edhe ai do të largohet.

Por çfarë nuk ka funksionuar siç duhet deri më tani, derisa nuk po merrni dot as “frytet” e merkatos?

E thashë dhe më sipër, nisja me vonesë e përgatitjeve ka ndikuar jo pak edhe në ndërtimin e një formacioni titullar. Mbi bazën e tij do të funksiononin edhe repartet, duke bërë riparimet e përforcimet e nevojshme nga ndeshja në ndeshje. Një arsye tjetër është dhe moslikuidimi në kohë i dy rrogave të prapambetura nga sezoni i kaluar, nga ana e bashkisë, e cila e kishte detyrim ligjor. Kjo bëri që grumbullimi dhe faza përgatitore të niste një muaj më vonë.

Meqenëse përmendet bashkinë, e cila është gjithashtu aksionere te klubi i futbollit. Si po funksionojnë marrëdhëniet tuaja?

Gjatë sezonit të kaluar, bashkëpunimi ka qenë i mirë dhe funksional. Pavarësisht zigzageve që ekipi bëri deri në fund të kampionatit, mbijetoi në Superiore falë këtij bashkëpunimi. Për këtë dua të falënderoj kryebashkiakun Mziu, për gjithçka dha, jo vetëm në anën financiare, por dhe atë morale. Një shoqëri aksionere nuk mund të funksionojë kur nuk vepron si një e tërë, ndaj edhe rezultate do i ketë të përgjysmuara. Këtë sezon, bashkia është tërhequr tërësisht dhe nuk ka dhënë asnjë ndihmesë në drejtim të skuadrës, madje as detyrimet ligjore që i takojnë asaj për pjesën që ka marrë përsipër.

Çfarë kërkese keni për kryebashkiakun Mziu?

Po gjej rastin t’i bëj thirrje kryebashkiakut Mziu që të afrohet pranë Kamzës, ashtu si vitin e kaluar, ku nuk la asnjë media pa përdorur dhe folur duke u mburrur për skuadrën. Dhe të jemi të ndërgjegjshëm, e ndihmoi shumë ekipin, pasi ishte i përgjegjshëm dhe zbatonte me korrektësi që të gjitha detyrimet funksionale të shoqërisë për pjesën që i takonte bashkisë.

Nëse Mziu nuk i përgjigjet thirrjes suaj, a do mundeni ju që ta përballoni i vetëm financiarisht ekipin, e sidomos kur dihet që rrogat janë të larta?

Kam 11 vjet që e drejtoj këtë klub dhe ndihmesa e bashkisë në këtë hark kohor nuk i kalon 500 mijë euro gjithsej. Si mendoni ju? Kush e ka mbajtur deri tani këtë ekip? Ashtu siç kemi vepruar në gjithë këto vite, duke shkruar historinë e këtij klubi, nga më të vjetrit në Shqipëri, ashtu do vazhdojmë ta bëjmë. Duke u sforcuar, duke hequr mënjanë parà nga familja. E kam thënë disa herë se paratë që unë hedh te ky klub ia heq fitimit të familjes e biznesit tim. Janë para që fitohen me pastërti me djersë dhe disa herë edhe me gjak.

Çfarë mangësie financiare paraqet klubi në këtë periudhë?

Klubi ynë është një shembull i mirë në Shqipëri për sa i përket zbatimit ligjor të kontratave. Kemi qenë korrektë në këto 11 vite që unë jam në krye, madje shpeshherë kemi dhënë dhe paradhënie. Më thuaj, te cili klub shqiptar ka funksionuar kaq normalisht? Keni shumë klube që mbartin borxhe të kontratave nga viti në vit dhe ende figurojnë me borxhe. Deri më tani, ne kemi bërë të gjitha pagesat e detyrimet e lojtarëve. Nuk ka pasur as vonesa, madje janë paguar paradhënie deri në muajin tetor. Klubi do të funksionojë normalisht edhe gjatë këtij sezoni, duke shlyer të gjitha detyrimet që kemi karshi lojtarëve. Sigurisht që vështirësitë shtohen pa ndihmesën e bashkisë, e cila është e domosdoshme. Gjithsesi, unë nuk u kërkoj lëmoshë, por të shlyejnë detyrimet ligjore që kanë si aksionerë.

Kur kanë mbetur 10 ndeshje deri në fund të vitit kalendarik, çfarë kërkoni nga skuadra?

Pritshmëria ka qenë e bollshme nga ana jonë dhe tani kërkesat dhe detyrimet ndaj të gjithëve do të shtohen, duke filluar nga stafit teknik e po ashtu ndaj lojtarëve. Madje, që nga kjo javë kërkoj fitore në Korçë.

Mos është disi e ekzagjeruar kjo kërkesë, pasi Skënderbeu jo vetëm luan në shtëpi, por është kampioni në fuqi?

Nuk është e ekzagjeruar, pasi skuadrën e Skënderbeut tre muaj më parë e mundi Vllaznia që doli nga kategoria me shifrat 5-1. Pse mos ta mundim edhe ne? Aq më tepër që skuadra jonë ka lojtarë që dinë sesi ta mundin. E sqaroj dhe një herë, se dua fitore patjetër në Korçë, ndryshe do të nisin masat ndaj gjithkujt që nuk përmbush detyrimet ndaj skuadrës. Deri në fund të dy fazave të para kërkoj që skuadra të mos na zhgënjejë, të vijnë rezultatet pozitive dhe të nisë që nga kjo javë ngjitja e skuadrës.

Do ndërhyni në merkaton e janarit, a ka nevojë skuadra për afrime të tjera?

Jemi ndërtuar për të qenë një ekip i denjë i Superiores, ndaj edhe objektivat i kanë të qarta që të gjithë. Me merkaton e verës, kemi kompletuar që të gjithë grupin dhe nuk është të nevojshme që të afrojmë të tjerë. Jam optimist deri në fund se do të arrijmë gjithçka.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"