EKSKLUZIVE/ Telashe për Dinamon, Isli Hidi i çon përmbarimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 22:30

EKSKLUZIVE/ Telashe për Dinamon, Isli Hidi i çon përmbarimin

Kur e gjithë vëmendja e Dinamos është te luf ta e fortë dhe e vështirë e mbijetesës në Kategorinë e Parë, për blutë shtohet edhe një telash tjetër. Isli Hidi, portieri i njohur që në Shqipëri ka luajtur për shumë skuadra dhe që tani mbron portën e Bylisit, kërkon borxhin e vjetër prej rreth 18 mijë eurosh që nga koha kur ai ishte pjesë e bluve. Hidi ishte pjesë e Dinamos në 6-mujorin e dytë të 2010-ës, pasi në fillim të 2011-ës kaloi në Qipro.

Isli Hidi

Me sa duket, për atë kohë ai nuk është paguar sipas kontratës, siç tregojnë edhe faksimilet që “Panorama Sport” publikon ekskluzivisht. Portieri kryeqytetas e ka ndjekur çështjen në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, duke kërkuar 24.540 euro të pashlyera. DHZK-ja i ka dhënë pjesërisht të drejtë Hidit, duke vendosur në vitin 2012 që Dinamo duhej t’i shlyente portierit shumën e 17.727 eurove, plus 135.000 lekë të rinj dhe po ashtu duhej të paguante shpenzimet e gjyqit në shumën e 100.000 lekëve të rinj.

Faksimilet Hidi logo

Përveç pjesë së pashlyer nga pagat mujore, në këtë borxh përfshihen edhe shpërblimet e parashikuara në kontratën e firmosur mes palëve. Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës ka vendosur në vitin 2015 ekzekutimin e vendimit të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, por, me sa kuptohet, borxhi nuk është shlyer ende.

Nuk dihet nëse presidenca e vjetër e bluve, së cilës i takon ky borxh, ia ka bërë të ditur apo jo palës italiane, që aktualisht ka marrë drejtimin e klubit. Sido që të jetë, borxhi duhet shlyer dhe në këtë moment ky është një problem jo i vogël për blutë. Pas barazimit me Tërbunin, Dinamo e ka komplikuar jo pak situatën sa i takon qëndrimit në të Parën.

SKERDILAID SULOZEQI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"