EKSKLUZIVE/ “Tek Astana jam mirë, një ditë do të kap dhe Kombëtaren”, rrëfehet Bitri: Partizani me personalitet, doja të isha në fushë ndaj… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2021 | 18:41

EKSKLUZIVE/ “Tek Astana jam mirë, një ditë do të kap dhe Kombëtaren”, rrëfehet Bitri: Partizani me personalitet, doja të isha në fushë ndaj… (E PLOTË)

Mbrojtësi Eneo Bitri ishte një nga titullarët e larguar nga Partizani gjatë merkatos së verës. Dhe si të gjithë lojtarët e tjerë të larguar, ka firmosur në kampionat jashtë Shqipërisë. 24-vjeçari iu bashkua gjigantëve të Kazakistanit, Astana, ku ka luajtur tri ndeshje deri më tani si titullar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Bitri ka folur rreth ecurisë së tij në Kazakistan rreth ndeshjes së Partizanit kundër Bazelit, si dhe për Kombëtaren e Shqipërisë, ku u shpreh optimist se një ditë do të jetë pjesë e saj.

ENEO BITRI 1

Eno, urime për fitoren në Ligën e Konferencës. Si ndiheni?

Faleminderit! Ndihem shumë i lumtur për fitoren, sepse kemi triumfuar me një rezultat të kënaqshëm, që na jep siguri për ndeshjen e kthimit. Luajtët titullar dhe ndihmuat skuadrën që ta mbanit rrjetën e paprekur.

Luajtët titullar dhe ndihmuat skuadrën që ta mbanit rrjetën e paprekur. A mund të themi se jeni përshtatur tek Astana?

Po, kjo ishte ndeshja e tretë si titullar për mua, pasi dy ndeshjet e kaluara ishin për Kupën e Kazakistanit. Mendoj se jam ambientuar me shpejt nga ç’e prisja, sepse më kanë afruar të gjithë dhe që nga dita e parë jam ndier si në shtëpinë time. Këtu kam filluar të përshtatem me lojën e skuadrës, duke zbatuar detyrat që më jep trajneri.

Fillimi i mbarë gjysma e punës. Sa larg mund të shkojë Bitri me fanellën e Astanës?

Mendoj se e kam nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtu dhe jam i lumtur për këtë gjë. Duhet të punoj akoma më fort, sepse ëndrra ime është të luaj në kompeticione të mëdha dhe stërvitem vetëm duke menduar për këtë gjë.

Gjithashtu, edhe Partizani zbriti në fushë dje. Si ju duk ish-ekipi juaj?

Po, e pashë Partizanin kundër Bazelit dhe mendoj se ka bërë një ndeshje shumë të mirë, pasi kishte kundër një ekip që i dihen kualitetet. Përballë skuadrave të tilla, kur të jepen rastet, duhet t’i shfrytëzosh. Partizani kishe shanset e veta dhe me pak fat, mund të kishte shënuar, por kështu është futbolli.

 

Do të donit të ishit edhe ju në fushë kundër Bazelit?

(Qesh). Është një pyetje që  nuk do shumë mend, pasi kush nuk do të donte të ishte në fushë në atë ndeshje. Po të isha, do të kisha dhënë mbi 100%, pasi futbolli luhet për ndeshje të tilla.

ENEO BITRI 2

Të gjithë po i thurin elozhe Stenio Juniorit. Ju e njihni më mirë dhe mund të na thoni cili është sekreti i tij që po bën ndeshje kaq të mira?

Zhunior për mendimin tim është sulmuesi më i mirë i kampionatit shqiptar. Edhe pse nuk është një sulmues tipik pykë në rolin e vet natyral, mendoj që është përshtatur mjaft mirë në atë rol dhe është duke e kryer më së miri detyrën duke shënuar gola. Sekreti i tij është që ai stërvitet njësoj si në ndeshje dhe nuk fal asgjë.

E kishit “inat” Stenion në stërvitje apo ia mësuat lojën dhe e neutralizonit?

(Qesh) Inat s’kam pasur me asnjë te Partizani, sepse aty ishim të gjithë si një familje. Nuk kemi qenë asnjëherë kundërshtarë në stërvitje, pasi ishim në një ekip dhe nuk na binte rasti.

Shumë shqiptarë janë shpërndarë në ekipe me emër dhe një prej tyre jeni dhe ju. Mund të themi se është rritur niveli?

Po, e vërtetë, jemi shpërndarë më shumë se 80% e ekipit të Partizanit që ishim vjet. Ky grup është transferuar jashtë Shqipërisë dhe kjo tregon që kampionati shqiptar është duke treguar progres. Kjo është një gjë e mirë, sepse jep garanci për të ardhmen e futbollit shqiptar.

Keni biseduar me futbollistët e Partizanit para apo pas sfidës me Bazelin dhe çfarë ju kanë thënë?

Po, kam folur me disa prej çunave dhe më kanë treguar që ka qenë një ndeshje e lodhshme, por dhe e kanë shijuar në maksimum atë, sepse është një ndeshje ku mund të japësh mbi 100%.

ENEO BITRI

A mund të shkojë Astana në grupet e Ligës së Konferencës?

Po, shanset i kemi, por duhet të kalojmë Arisin fillimisht, sepse na pret një ndeshje shumë e vështirë atje, ku duhet të japim gjithçka për të arritur në grupet Ligës e Konferencës.

Partizani është thuajse i eliminuar, por a duhet të jenë krenarë për çfarë kanë arritur deri më tani?

Mendoj që po të kishte pak fat në short, Partizani do t’u shkonte deri në fund kualifikueseve, por mendoj që dhe kundër Bazelit kane treguar se janë një ekip i fortë dhe me personalitet. Përshëndes edhe ultrasit “Guerrils”, që janë të pranishëm kurdoherë që luan Partizani.

Bitri, Asani, Çinari apo Mala? Keni ndonjë bast personal se kush do ta kapë i pari Kombëtaren?

Bast nuk kemi vënë, sepse kjo është diçka që ne duhet të japim më të mirën tone nëpër ekipet tona, që ta meritojmë ftesën e Kombëtares, por mendoj që të katër do të jemi një ditë pjesë e Kombëtares.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"