EKSKLUZIVE/ “Te Tirana është autostradë, Flamurtari humbi rrugën, Kale: Rezultatet meritë e Memës dhe Egbosë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 22:15

EKSKLUZIVE/ “Te Tirana është autostradë, Flamurtari humbi rrugën, Kale: Rezultatet meritë e Memës dhe Egbosë (E PLOTË)

Elton Kale ka gjetur rrugën. Atë të drejtën, të humbur në Vlorë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti i Tiranës rrëfeu magjinë e pragtitullit. Çfarë i ndodhi kësaj skuadre që u transformua dhe cilat janë sekretet e Tiranës. 
elton kale

Si e sheh situatën në Shqipëri dhe Brazil. Tregon përse nuk fitoi titullin skuadra e vjetshme e Flamurtarit dhe çfarë duhet të bëjë Tirana që të mos gabojë në sezonin e ri. Fjalë të mira për Egbonë, Memën dhe Dajën. Në fund titulli dhe çmenduria që premton të bëjë sapo të shpallet kampion.

Kale, e keni rinisur në maksimum kampionatin. Me Vllazninë ishit ai që shënuat, por në krahun e majtë po bëni diferencën?

Jam i lumtur që në atë sfidë shënova sërish. E shoh që jam në formë. Po mundohem të jap gjithçka që të fitojë skuadra. Nuk kam shënuar shumë, por kjo nuk ka rëndësi. Unë do të bëj detyrën në çdo ndeshje. Do të jap maksimumin.

Në 180 minuta e ka tundur rrjetën tri herë?

Kur ndodh kështu, edhe lojtari ndihet mirë psikologjikisht. Është i qetë, sepse goli të jep mundësi të kesh një gjendje psikologjike pozitive dhe në fushë tregon

Jeni sërish plus nëntë pikë nga Kukësi. Mund të themi se titulli është i Tiranës?

Për momentin jo. Matematika thotë se nuk jemi kampionë dhe nuk mund të them që jemi kampionë. Në këtë moment kemi për të luajtur edhe disa ndeshje, por kur ta shohim veten përpara dhe me histori të mbyllur, atëherë do të jemi kampionë. Këtë mund ta thonë tifozët apo njerëzit jashtë skuadre, por jo ne lojtarët dhe stafi.

Ju më parë keni luajtur me Kukësin dhe me shumë gjasa titulli mund të vendoset në sfidën direkte?

Unë mendoj se ne duhet të fitojmë njëherë me Skënderbeun. Kemi atë ndeshje për të fituar, sepse është një transfertë e vështirë. Tri pikët në Korçë vendosin shumë për matematikën e titullit. Më pas do të merremi me Kukësin. E përsëris që duhet të kalojmë njëherë sfidën e së dielës. Kaluam Kupën, sepse kërkojmë trofeun e dytë.

Përse skuadra që luani ju është në vendin e parë të kampionatit dhe përse fiton?

Së pari, sepse Mema zgjodhi lojtarë shumë të mirë. Më pas gjërat nuk shkuan mirë, sepse lojtarët për t’u përshtatur duan kohën e tyre. Kohezioni ndodhi dhe skuadra filloi të fitonte.

Fatkeqësisht Mema nuk ishte këtu për të vjelë frytet e skuadrës. Ishin idetë e Memës që nisën këtë skuadër, ekip që u perfeksionua nga Egboja. Për më tepër që më pas, të gjithë lojtarët dhanë maksimumin.


Kale

Përse një skuadër si Flamurtari i vjetshëm nuk e fitoi titullin? Ndoshta ishit më të mirë se Tirana e sivjetme

Do t’ju tregoj diçka. Kur pashë në letër skuadrën, i thashë vetes që do të shpalleshim kampionë. Për më tepër që ishin Daja e Mema, Alla, Bushiç, Alvesh. Nuk lije dot askënd jashtë. Më pas frika. Dhe rruga që ndërmorën drejtuesit. Në vend që të shkonin drejt, nisën devijimet dhe kur ti duhet të bësh rrugën e drejtë, por bën kthesa, ndodh që nuk fiton dot. E kundërta është e vërtetë te Tirana. Këtu rruga është autostradë dhe nuk ka kthesa.

Skuadra duhet të jetë bashkë edhe në sezonin e ri?

Po çelësi i suksesit ky është në një skuadër. Sa më shumë të jesh bashkë, aq më shumë mund të fitosh, sepse njëri-tjetrin e gjen me sy mbyllur. Nëse Egboja nuk largohet, gjërat do të bëhen më mirë. Ai është një nga çelësat tanë. Trajneri dhe shumë nga elementët titullarë duhet të qëndrojnë.

Nëse largohet dikush për politikat e klubit, duhet që të afrohen të tjerë. Them se edhe sezonin tjetër do të kemi sukses. Nuk është e thënë që gjërat të shkojnë mirë edhe nëse ke lojtarë cilësorë. Nëse gjysma e skuadrës nuk shkon me gjysmën tjetër, gjërat do të bëhen keq dhe vetëm humbje do të koleksionosh.

Jeni një nga djemtë më “happy” në skuadër?

(Qesh) Thjesht është karizëm personal. Jam nga ata që e marr çdo gjë me qetësi dhe gëzim. Jam munduar t’i respektoj të gjithë, të bëj shaka, të pranoj shaka. Jeta kaq është. Nuk kemi përse ta marrim me komplikacione apo me zymtësi.

Kur të fitoni titullin me Tiranën, çfarë do të bëni diçka të veçantë?

Nuk e kam menduar, por e sigurt është që do të festoj shumë. Më beso, deri tani ka qenë shumë e vështirë ose më saktë për atë titull në fushë kemi bërë sakrifica dhe kemi kaluar vështirësi pa fund.

Si po shkon jeta me familjen në Tiranë, pas tronditjes nga Koronavirusi?

Tani shumë më mirë. Koronën e lamë pas. Tani kemi më shumë kohë për familjen dhe për të dalë pak. Gjithçka po shkon më së miri. Për më tepër që po fitojmë dhe historia me Tiranën si qytet është shumë e mirë.

Po në Brazil çfarë po ndodh. Si është situata, pasi ka shumë lajme jopozitive për situatën?

Është një situatë e rëndë. Një situatë kaotike dhe që më thonë shumë e rëndë. Po ju marr një shembull, nëse në Tiranë një vend është për 10 vetë, në Brazil i njëjti vend është për 100 vetë. Një situatë që nuk ia uroj askuj

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"