EKSKLUZIVE/ “Të thuash turp që fiton, tani po e dëgjoj…”, Kashami i kthehet Abazajt: Mos prisje të ta linim ndeshjen?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2021 | 17:38

EKSKLUZIVE/ “Të thuash turp që fiton, tani po e dëgjoj…”, Kashami i kthehet Abazajt: Mos prisje të ta linim ndeshjen?

Besa është kthyer në “mace të zezë” për Pogradecin. Ironi e fatit apo meritë, por kavajasit kanë tronditur dy herë liqenorët nën drejtimin e Ndriçim Kashamit. Pas fitores së fazës së parë (kur Kashami u largua nga stoli), i mundi edhe të dielën 3-1. Kjo e fundit nuk është pritur mirë prej trajnerit kundërshtar.

Kashami

Ardjan Abazaj akuzoi se verdhezinjtë luajnë ndryshe ndaj kundërshtarëve të tjerë. Kjo e ka çuditur jo pak teknikun kavajas, që është “përgjegjës” për disfatën e Pogradecit. Në një reagim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, është vetë Kashami që i përgjigjet homologut të tij:

“Jam befasuar teksa u njoha me deklaratën e kolegut tim Abazaj. Mos ai ka pritur që Besa t’ia lëshojë ndeshjen? E them publikisht se gjatë 90 minutave nuk na është kërkuar nga askush të tolerojmë ndeshjen. Ekipi im thjesht zbatoi detyrat që i kisha dhënë dhe në fund i falënderova për fitoren.

T’i thuash turp kundërshtarit përse fiton, këtë vetëm nga Abazaj po e dëgjoj. Unë publikisht pata deklaruar në ‘Panorama Sport’ se nuk shkojmë të dorëzuar në Pogradec. Por, me sa duket, Abazaj nuk e paska lexuar paralajmërimin tim dhe e shijoi në fushë atë deklaratë. Gjykimi mendoj se ishte më se korrekt”.

Ardian Abazaj

ALEANCAT – Pa përdorur diplomacinë, Kashami deklaron se nëse kishte rival për të cilin Besa mund të aludohej ndonjë aleancë, do të ishte vetëm Egnatia. “Për këdo që njeh futbollin, e ka fare të qartë se Besa nëse do të zgjidhte ‘aleatë’, do ta bënte me Egnatian. Rrogozhina për dekada është varur administrativisht nga Kavaja dhe janë dhjetëra kavajas që kanë kontribuar në qytetin fqinj. Madje, së fundi ata drejtohen nga Magani dhe në përbërje të ekipit janë dhe dy produkte tona, si Krasniqi e Çelhaka.

Ju i keni ndjekur të tria ndeshjet, që kanë qenë një ‘luftë’ e vërtetë, madje ka pasur dhe polemika. A nuk është ky shembulli që Besa nuk ka toleruar e nuk toleron asnjë? Ka pasur e do të ketë ndeshje ku Besa ka fituar, ka humbur, do të fitojë e do humbë sepse ky është futbolli.

Nëse do të fitonim të gjitha, si thotë Abazaj, atëherë duhet të ishte Besa ne në krye e jo Egnatia. Për të gjitha këto, ju siguroj se ekipi nën drejtimin tim nuk do të tolerojë asnjë kundërshtar, kushdo qoftë ai. Nëse na mundin e meritojnë fitoren, do t’i urojmë. Sikurse pres ta bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj nesh”, përfundoi Kashami.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

Humbja në shtëpi, Ardjan Abazaj: Turp, nuk besoj se Besa do luajë njësoj ndeshjen tjetër?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"