EKSKLUZIVE/ “Te Partizani isha huazim, nuk isha lojtar i tyre”, Kallaku flet si bardheblu: Ju tregoj pse zgjodha Tiranën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2022 | 22:15

EKSKLUZIVE/ “Te Partizani isha huazim, nuk isha lojtar i tyre”, Kallaku flet si bardheblu: Ju tregoj pse zgjodha Tiranën (E PLOTË)

Tirana vazhdon të bëjë lëvizje në mer kato dhe ashtu siç ishte paralajmëruar nga “Panorama Sport”, ka gjetur akordin me një lojtar, i cili në edicionin e kaluar ka veshur fanellën e Partizanit.

sherif kallaku

Me bardheblutë në këtë sezon do të aktivizohet mesfushori Sherif Kallaku, i cili vjen përsëri në formë huazimi nga radhët e Lokomotivës së Zagrebit. Mesfushori ishte pjesë e të kuqve në sezonin e kaluar, po në formë huazimi nga kroatët, teksa nisi menjëherë kërkimin për një ekip të ri, pasi skuadra kryeqytetase nuk insistoi shumë për rinovimin e marrëveshjes.

Duke parë nevojat e Tiranës për përforcime në mesfushë, afrimi i lojtarit me tipare ofensive, sidomos pas largimit të Totres, dukej lëvizja e duhur për kampionët. Klubi ka zyrtarizuar dje firmën e tij nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke e bërë fakt të kryer kështu vazhdimin e karrierës së Kallakut në Superiore, ku më parë ka luajtur edhe me Laçin e Teutën.

Përse vendosët që të firmosnit me Tiranën për një sezonin tjetër në Superiore?

Duke parë interesimin e Tiranës karshi meje, edhe pse unë isha në kontratë me Lokomotivën e Zagrebit, vendosa të bëj një takim me presidentin. Më bindi projekti i klubit Tirana për të ardhur këtu dhe për të qenë lojtari i tyre në sezonin në vazhdim.

E keni parë Tiranën në Europë. Keni një opinion për ndeshjet që kanë luajtur bardheblutë?

Normalisht që ndiej keqardhje për eliminimin, sepse mendoj që cilësia ka qenë për t’u kualifikuar, por gjithsesi ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet dhe tani që jam pjesë e Tiranës nuk duhet të merrem me gabimet.

Vjet veshët fanellën e Partizanit. Këtë sezon atë të Tiranës. Kjo është një lloj sfide për t’i treguar sezonit tjetër që keni gabuar?

Jo, nuk besoj që është sfidë. Te Partizani isha në huazim dhe nuk isha lojtari i tyre. Mendoj se tani është radha e Tiranës. Jam profesionist dhe do të jap maksimumin për ekipin që luaj.

Cili është objektivi kryesor i Sherif Kallakut për këtë sezon në Superiores?

Objektivi im është që të jap maksimumin në stërvitje. Plus që të kemi rezultate të mira në fushën e lojës.

Tirana është kampione e Shqipërisë në fuqi. Si e shihni skuadrën për sezonin e ri?

Të them të vërtetën nuk mund të jap ndonjë objektiv personalisht pa marrë parasysh se çfarë objektivi ka klubi. Gjithsesi, Tirana dihet, objektivat i ka madhorë.

Cilin nga djemtë njihnit në këtë skuadër?

Pothuajse me të gjithë kam njohje. Kam luajtur me ta në të kaluarën. U ndjeva mjaft mirë në ditën e parë.

Tirana është një lloj trampoline për kombëtaren dhe një skuadër më të madhe?

Duke llogaritur që edhe për Taulant Seferin ishte trampolinë për kombëtaren. Ai arriti të bëjë mirë. Shpresoj që të bëj mirë edhe unë. Dhe me shembullin që dha Seferi, çdo futbollist duhet të vijë te Tirana.

kallaku (1)

 

Jeni gati të luani edhe sulmues, meqë në këtë repart ka mungesa?

Për Tiranën mund të luaj edhe portier, por është trajneri ai që vendos. Gjithsesi, do të jap maksimumin kudo që të luaj

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"