EKSKLUZIVE/ “Te Partizani duhet dubluar çdo pozicion”, trajneri Mehmeti: Telushi “top”, kemi katër superportierë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2022 | 21:12

EKSKLUZIVE/ “Te Partizani duhet dubluar çdo pozicion”, trajneri Mehmeti: Telushi “top”, kemi katër superportierë (E PLOTË)

Partizani e nisi në mënyrën më të mirë serinë e ndeshjeve miqësore që po zhvillon gjatë fazës përgatitore në Slloveni. Të kuqtë mundën ditën e shtunë vendasit e Murës me shifrat 1- 2, me përmbysje. Kjo ndeshje ishte më shumë një test për të parë gjendjen fizike të skuadrës, e cila u paraqit mjaft mirë dhe tregoi personalitet. Në lidhje me këtë ndeshje, por jo vetëm me të, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, foli trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti. Trajneri tregoi për gjendjen fizike të skuadrës ndaj Murës dhe për nevojat në merkato.

DRITAN MEHMETI

Profesor, si po shkojnë përgatitjet në Slloveni, si janë kushtet dhe klima atje?

Kushtet janë shumë të mira, fusha e stërvitjes, ndeshjet miqësore. Prandaj ka qenë shumë e rëndësishme që ne të vinim këtu. Në vend të Maqedonisë përzgjodhëm Slloveninë, sepse këtu kemi mundësinë që të kemi ndeshje miqësore të një niveli europian si Mura dhe Maribori. Klima është shumë në rregull. Normalisht temperaturat janë pak të larta në drekë, por në mëngjes në orën 10 dhe në darkë në orën 6, kur ne zhvillojmë seancat stërvitore, është perfekte.

Si ju duk loja e ekipit ndaj Murës?

Duke pasur parasysh se ishte ndeshje miqësore, pas tri javësh nga ndeshja e fundit e kampionatit dhe me pak ditë stërvitje, jam i kënaqur në aspektin fizik të lojtarëve. Gjithashtu, për nga mënyra se si e interpretuam ndeshjen në aspektin teknik, mund të themi se kishte pak ndryshime në emra. Dihen lëvizjet tona, por në fushë nuk kishte shumë ndryshime.

Si ishte gjendja fizike e Telushit dhe Romeros, si dhe Hotit, i cili debutoi me gol?

Hoti dhe Telushi janë në gjendje goxha të mirë fizike. Romero është pak mbrapa me përgatitjet. Shpresojmë që ta marrë veten dhe të na shërbejë. Telushi ka pasur një dëmtim të rëndë, por duke pasur parasysh karakterin e tij të fortë dhe punën e madhe që bën, mendoj se pas kësaj ndeshjeje kur tregoi se është gati, mendoj se në nisje të kampionatit do të jetë 100% dhe mund të na shërbejë.

Dje (të shtunën) aktivizuat të rinj si Buxhelaj, Spahiu apo Hodo. Ka ndonjëri prej tyre shanse t’i shërbejë rregullisht ekipit të parë në sezonin e ri?

Kemi ndërtuar kompleksin dhe i kemi më pranë të rinjtë. Kjo na ndihmon që Partizani të jetë i përqendruar për të arritur objektivat madhorë si skuadër, por edhe për t’u dhënë mundësinë elementëve me perspektivë.

Në momentin që unë i aktivizoj të rinjtë, ata duhet të bëjnë maksimumin dhe ta kenë parasysh çfarë do të thotë të luash te Partizani. Janë disa elementë që duan kohën e vet. Kanë nevojë për minuta dhe kujdesin e vet, sepse është një ndryshim i madh kur vjen nga të rinjtë direkt në ekipin e parë.

Kur quhet talent, duhet të bëjë diferencën dhe të mos e ketë problem këtë handikapin që krijohet mes ekipeve të moshave dhe skuadrës së parë. Megjithatë, ne po punojmë dhe do të mundohemi të kemi një akademi që t’i shërbejë ekipit të parë.

Me aq sa u pa në ndeshjen e djeshme (pardjeshme), cili nga repartet ka më shumë nevojë për ndërhyrje?

Të tria repartet kanë nevojë për ndërhyrje në merkato. Nëse në një skuadër si Partizani nuk do të kishe dublim të të gjitha pozicioneve, do të ishte e vështirë arritja e objektivave madhorë që Partizani ka gjithmonë. Konkurrenca e rrit edhe cilësinë. Po punojmë fort me drejtorin e ri. Të shohim, sepse duhet kujdes, sepse duhet të marrim lojtarë që kanë karakterin apo cilësinë e duhur dhe i përshtaten filozofisë së një klubi si Partizani.

A është kjo përmbysje ndaj Murës, një nga ekipet më cilësore në Slloveni, një tregues i përmirësimit të skuadrës?

Nuk është një tregues i rëndësishëm i këtij aspekti ndeshja miqësore. I jep njëfarë sigurie apo besimi, por ne si staf teknik përqendrohemi më shumë në aspektin fizik apo taktiko-teknik të skuadrës. Na ka interesuar më shumë ritmi dhe jam shumë i kënaqur që po ndeshemi me skuadra të këtij niveli, që kur të luajmë në Europë, të mos surprizohemi. Duhet të futemi në ritëm, sepse kundërshtari ynë në Europë është në kampionat dhe sidoqoftë ka ritëm më të lartë se ne.

Jua prish planet mungesa e një lojtari si Matondo në fazën përgatitore?

Sigurisht që është një mungesë e rëndësishme, sepse vetë Matondo me atë që ka dhënë në fushë e ka treguar se është një lojtar i rëndësishëm për Partizanin. Megjithatë, ne kemi shumë lojtarë të tjerë që e kanë zëvendësuar me plot siguri dhe kjo është shumë e rëndësishme për një klub. Nuk duhet të bazohemi te një apo dy lojtarë, por tek i gjithë grupi.

Si do të përcaktohet hierarkia në portë tashmë që keni dy apo tre portierë të një niveli të lartë?

Jemi herët për të vendosur këtë. Kemi katër portierë shumë të mirë. Edhe Laroshi është një portier me shumë perspektivë. Është zgjedhja e klubit që ne të kemi edhe një portier si Rexhepi në skuadër dhe me kalimin e kohës do të marrim një vendim me shumë qetësi për të mirën e skuadrës dhe klubit.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"