EKSKLUZIVE/ “Te Kukësi pres mbrojtës dhe sulmues”, Gega: Klubi s’po kursehet në merkato, titullin e do presidenti i pari dhe unë i dyti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2022 | 13:43

EKSKLUZIVE/ “Te Kukësi pres mbrojtës dhe sulmues”, Gega: Klubi s’po kursehet në merkato, titullin e do presidenti i pari dhe unë i dyti

Skënder Gega është i kënaqur me merkaton që ka bërë Kukësi deri më tani, duke u munduar të përzgjedhë ata lojtarë që do t’i shërbejnë skuadrës sezonin e ri për të realizuar objektivat. Edhe pse në kampin verilindor ende nuk po trumbetohet me të madhe fjala titull, Gega e ka të qartë se në këtë klub synohet gjithnjë maja, ndaj do të bëjnë më të mirën në kampionat që të arrijnë maksimumin. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai ndalet edhe te lëvizjet e shumta që kanë ndodhur këtë periudhë, si edhe plotësimi i stafit të tij. Në fund, Gega ka edhe një urim për “rivalët” e Kukësit në kampionat, teksa në Kupat e Europës bën tifo për ta, sepse bëhet fjalë për ekipe shqiptare dhe shpreson të shkojnë sa më larg.

SKENDER GEGA

Profesor, deri tani janë bërë gjashtë afrime. Sa i kënaqur jeni?

Kemi bërë gjashtë afrime, por jemi munduar që të tregohemi të kujdesshëm, sepse nuk duam të gabojmë me lojtarët që afrojmë. Do të shohim sërish për lojtarë të tjerë, në mbrojtje dhe në sulm, sepse duhet të kuptoni diçka, që ky është një proces. Disa do të largohen, sepse nuk janë më pjesë e planeve të klubit dhe të tjerë do të afrohen.

Sa lojtarë keni menduar të afroni në këtë merkato?

Tani, nuk mund të flasim me numra fiks se sa do të afrojmë ose jo. Ne, përpos afrimeve, kemi në vëmendjen tonë edhe lojtarë nga ekipi i 21-vjeçarëve, të cilëve duam t’u japim mundësinë dhe janë në planet tona. Janë 36 javë kampionat dhe unë dua nga gjithsecili që të japë gjithnjë 100 për qindëshin në fushë.

Megjithatë, mungojnë emrat “big” deri më tani. Strategji apo pamundësi?

Klubi nuk po kursehet për asnjë lojtar, por duhet të kemi diçka parasysh nga merkatoja, që jo çdo gjë varet nga ana jonë. Dëshira mund të jetë e madhe, por shumë lojtarë që mund të duam t’i afrojmë, është e pamundur të vijnë, pasi nuk lirohen dot nga skuadrat e tyre. Nuk kanë rëndësi emrat në një klub, ka rëndësi puna. Ne nuk na mungon cilësia dhe lojtarët që kanë spikatur, si vëllezërit Taipi, Basha apo të tjerë, që kanë qenë sezonin e kaluar.

SKENDER GEGA

Përflitet se një pjesë e mirë e të huajve do të largohen. Si është e vërteta?

Një pjesë janë larguar para se të vija unë, të tjerët janë jashtë planeve të klubit dhe nuk kanë pa sur pritshmëritë e duhura. Në çdo merkato ka ndryshime, kjo ndodh në çdo klub, ndaj nuk shoh ndonjë gjë shqetësuese në këtë aspekt.

Më në fund keni plotësuar edhe stafin teknik, ndërkohë që është larguar Iris Selimi. Si qëndron e vërteta?

Ta nis nga Irisi. Unë e doja ta kisha në skuadër, e kam pasur që në vitin 2010 te Kombëtarja U-21, më pas vijoi me karrierën e tij si përgatitës atletik në skuadra të tjera. E kam pasur edhe te Kukësi një vit më parë dhe është një nga më të mirët në vendin tonë. E doja në krah, por pas diskutimeve me klubin, ai nuk arriti marrëveshjen. Ndaj, përgatitës atletik mora Oriand Abazajn, ndërsa trajner portierësh Florian Ristanin, me të cilin kam punuar edhe më herët. Normalisht edhe Pero Pejiç, siç e dini do të jetë pjesë e klubit dhe stafit.

Te Kukësi nuk është folur ende për objektiva. A është titulli kampion?

Të gjithë e duan titullin kampion, presidenti i pari unë i dyti, lojtarët, tifozët dhe të gjithë me radhë. Kukësi është një klub që është mësuar të luftojë për trofe dhe ne do të përpiqemi të jemi gjithnjë në majë, ky është synimi. Rrugës më pas do të shihen edhe paraqitjet që do të kemi, duhet një menaxhim i mirë i ndeshjeve dhe situatave. Do të shohim në vazhdimësi, por normalisht kemi synim të jemi në majë.

Keni një koment për ekipet shqiptare që luajnë në Europë?

Sigurisht, jam tifoz me ta. Uroj sinqerisht që të bëjnë paraqitje sa më pozitive dhe të ecin sa më shumë në Europë. Brenda kampionatit tonë i kemi rivalë, por kur luajnë në Europë, jemi me ta dhe shpresojmë të bëjnë më të mirën.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"