EKSKLUZIVE/ “Tani vjen Dinamo e vërtetë”, rrëfimi i Enis Gavazajt: Ju tregoj ndryshimin në krahasim me skuadrat ku kam luajtur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 19:23

EKSKLUZIVE/ “Tani vjen Dinamo e vërtetë”, rrëfimi i Enis Gavazajt: Ju tregoj ndryshimin në krahasim me skuadrat ku kam luajtur…

Fillimi i kampionatit mund të ishte më i mirë për Dinamon, nëse do të fitonte me Laçin, por edhe 4 pikë në 2 javë janë të pranueshme.

Enis Gavazaj Dinamo

Skuadra është e re dhe siç e pohojnë të gjithë, kërkon kohë që të arrijë të shprehet në maksimumin e vet. Në këtë linjë është edhe Enis Gavazaj, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” shpreh bindjen për rritjen e lojës javë pas jave. Ish-lojtari i Skënderbeut dhe Kukësit në kampionatin shqiptar, por edhe i Shpresave dhe Kombëtares, flet për atë çfarë mund të arrijë Dinamo në këtë sezon të rikthimit të saj në Superiore.

Enis, le ta nisim me anën personale. Ende nuk po shohim Gavazajn e Skënderbeut, që shkonte edhe në Kombëtare…

Mund të them se kanë kaluar vetëm dy ndeshje nga ky kampionat dhe ka ende kohë që unë mund të tregoj vlerat e mia në aspektin individual.

Pse vendosët ta lini Kosovën dhe t’i bashkoheni Dinamos në verë?

Të them të drejtën, gjëja e parë që më bëri të marr këtë vendim ishte projekti që kishte klubi. Kjo më bindi që t’i bashkohesha Dinamos.

Edhe loja e skuadrës është dukur fragmentare në dy javët e para të kampionatit. Pse?

Ne jemi pothuajse 25 lojtarë që kemi ardhur para dy-tre muajve te klubi i Dinamos. Normalisht, na duhet pak kohë që ta njohim njëri-tjetrin dhe them se ndeshje pas ndeshjeje do të përmirësohemi ndjeshëm në nivelin e lojës.

A mundet kjo Dinamo të rikthehet që këtë sezon në nivelet më të larta, duke qenë se është një skuadër e formuar nga e para?

Duke parë investimin e bërë nga drejtuesit, asgjë nuk është e pamundur. Siç e thashë edhe më lart, kanë kaluar vetëm dy ndeshje nga ky sezon dhe ne do të luftojmë në çdo javë për të bërë më të mirën për skuadrën.

Çfarë ndryshimesh vini re te Dinamoja në krahasim me skuadrat ku keni luajtur më parë?

Mendoj se organizimi brenda klubit është shumë i mirë. Çdo gjë deri në këto momente është perfekte te Dinamoja.

Edhe Liridon Latifi është kthyer në Superiore dhe do të jetë një “rival” juaji në garën për vendet e para. Çfarë mesazhi keni për ish-shokun e skuadrës?

Liridonin e kam mik shumë të mirë dhe dua t’i uroj shumë fat në aventurën e re që ka nisur me Vllazninë. Nuk kam ndonjë mesazh tjetër (qesh).

Këtë fundjavë keni përballjen me Teutën kampione. Si e prisni këtë sfidë?

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, por ne në çdo ndeshje futemi në fushë që të bëjmë më të mirën. Edhe me Teutën do të mundohemi të bëjmë lojë të mirë dhe të kemi rezultatin që dëshirojmë.

Gavazaj

Deri ku mund të arrijë kjo skuadër këtë sezon?

Të shohim gjatë sezonit. Jemi një skuadër e re, por duke parë angazhimin e presidentit, trajnerëve dhe kualitetin e lojtarëve që ka Dinamo, mendoj se do të bëjmë një kampionat shumë të mirë. Shpresoj të kemi edhe fatin me vete.

Një mesazh për tifozët e Dinamos?

Dua t’u them atyre se në çdo ndeshje do të futemi me mendjen që të fitojmë. Do të përpiqemi maksimalisht që ta prezantojmë sa më mirë emrin e Dinamos.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"