EKSKLUZIVE/ “Tani do të shihni Carën që prisni”, sulmuesi i Partizanit: Nuk e prisja një ftesë nga Kombëtarja (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2023 | 22:57

EKSKLUZIVE/ “Tani do të shihni Carën që prisni”, sulmuesi i Partizanit: Nuk e prisja një ftesë nga Kombëtarja (E PLOTË)

Tedi Cara ishte një nga më të mirët në fushë dje ndaj Kastriotit. Kavajasi hapi ndeshjen, si dhe dhuroi asistin e golit të tretë tëSelmanit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi tregon se Partizani bëri ndeshjen perfekte dhe se tashmë të kuqtë i presin vetëm finale deri në fund. Nuk mungon një koment për Kombëtaren. Ai pranon se nuk priste ftesë për ndeshjen ndaj Polonisë.

cara

E menaxhuat mirë Kastriotin. Ishte gjithçka siç e kishit parashikuar?
Ishte një ndeshje perfekte, nga ato që ne dimë të luajmë, që i përshtatet kualitetit tonë. Jemi një grup me shumë cilësi, por në ndeshje të veçanta nuk i kemi shprehur siç duhet. Kjo e sotmja tregoi forcë karakteri, sepse ekipet poshtë në renditje, ka mundësi që ndonjëherë t’i nënvlerësosh. Treguam se e donim vendin e parë dhe ia arritëm. Tani që kemi dy javë pushim, t’i shfrytëzojmë dhe të vazhdojmë pastaj për ndeshjen e radhës.

Mund të themi se e keni marrë veten pas një fillimi të ngadaltë të këtij viti?
Mendoj se në dy ndeshjet e fundit kam bërë mirë. Dua të vazhdoj kështu, të ndihmoj ekipin, sepse me këto paraqitje ndihmoj klubin dhe veten. Dua të vazhdoj kështu edhe në ndeshjet e tjera.

Jeni gati tashmë të merrni “timonin” e sulmit të kuq?
Unë kam pasur vetëbesim gjithnjë, po bëj tri vite e gjysmë këtu te Partizani dhe nuk është se e kam pasur problem të marr “timonin” e sulmit apo jo. Unë thjesht kam ndihmuar ekipin, kam vrapuar dhe kam bërë atë që kërkojnë trajnerët. Ne jemi më shumë grup sesa individ dhe do të jetë grupi, që do të na çojë atje ku duhet.

Luajtët me skemë me tre sulmues dhe ju ishit anësor. Ndiheni më mirë me këtë skemë?
Po, u ndjeva më mirë, sepse unë rolin tim natyral e kam si sulmues anësor dhe kur luaj në të majtë, jam në vendin tim ideal. Më parë kam luajtur me dy sulmues dhe më është dashur të bëj më së shumti qendërsulmuesin dhe prandaj mendoj se nuk më ka dalë loja ku duhet. Tani që jam në pozicionin tim mendoj se do të shihni Carën që prisni të gjithë.

Jeni “pjekur” tashmë për të regjistruar seri fitoresh?
Kemi dhe 10 finale. Janë të vështira, do të bëjmë maksimumin për titullin deri në fund.

Këtë herë nuk e arritët Kombëtaren, por a shpresoni në qershor?
Nëse luaj si në dy ndeshjet e fundit, besoj se edhe ftesa nga Kombëtarja nuk do të mungojë, sepse tashmë stafi i Kombëtares ka treguar se i hedh sytë nga Shqipëria. Kjo u pa edhe në grumbullimin e parafundit, por edhe me Hadrojn tani. Sytë nga ne nuk mungojnë, por dhe ne duhet të japim shkëndija që ata të na shikojnë dhe të na afrojnë.

Gjithsesi, ju i dhatë shkëndijat ndaj Armenisë…
Nuk e prisja ftesën këtë herë. Kam luajtur mirë ndaj Armenisë dhe kam justifikuar thirrjen, por në Kombëtare thirren lojtarët që janë më në formë për momentin dhe unë nuk kam qenë aty ku duhet në ekipin tim. Në qershor do të mundohem ta arrij

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"