EKSKLUZIVE/ Talenti i Flamurtarit dhe mbrojtësi i Kukësit, dy njohje të Dajës për Partizanin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2020 | 23:43

EKSKLUZIVE/ Talenti i Flamurtarit dhe mbrojtësi i Kukësit, dy njohje të Dajës për Partizanin (E PLOTË)

Flamurtari ka rënë nga Kategoria Supe riore, por ato pak talente vlonjate që kanë “shkëlqyer” së fundmi, janë në optikën e klubeve shqiptare, që e shikojnë si një mundësi të mirë “peshkimi”. Në kuadër të këtij tregu, “Panorama Sport” ka zbuluar se Arinaldo Rrapaj ka marrë ofertë nga Partizani. Lajmi konfirmohet për gazetën nga burime zyrtare pranë klubit vlonjat. Duket se Partizani është interesuar për vlonjatin që mund të themi se ishte zbulimi i dy sezoneve të fundit. Arinaldo Rrapaj duket se ka tërhequr vëmendjen me talentin e tij edhe të klubit kryeqytetas, kampionëve të sezonit të shkuar.

arinaldo rrapaj

Nuk dihet ende në çfarë faze janë bisedimet e Rrapajt me Partizanin, por fakt është oferta që ka shkuar në drejtim të lojtarit, që me shumë gjasa nuk do të jetë pjesë e Flamurtarit në Kategorinë e Parë. Që do të largohej nga Vlora, Rrapaj e bëri të ditur më 19 korrik për “Panorama Sport”. “Për momentin jam në bisedime me disa ekipe. Mendoj se ka ardhur koha për t’u larguar nga Vlora. Do të provoj një tjetër aventurë. Kam disa oferta dhe po i shqyrtoj. Do të vendos në kohën e duhur. Për momentin, sezonin e ardhshëm do të jem në Shqipëri, më vonë mund të shkoj jashtë shtetit”, deklaroi pak ditë më parë talenti vlonjat.

BLLOKIMI- Mesfushori Arinaldo Rrapaj është lojtar i dalë nga akademia e Flamurtarit dhe që trajneri Ilir Daja, që pritet të marrë drejtimin e Partizanit, ia njeh mirë vlerat. Klubi duket se nuk mendon ta lërë të lirë aq lehtë dhe me parametra zero, kur disponon kartonin dhe çdo të drejtë për menaxhimin e tij.

rrapaj

Drejtuesit e klubit e shikojnë Rrapajn si lojtar të Flamurtarit dhe thonë se kushdo që interesohet për të, duhet që më parë të trokasë në dyert e tij.

Në këto kushte, klubi e sheh si një mënyrë fitimi shitjen e kartonit të lojtarit. Përpara se të hyjnë në bisedime me lojtarin, klubet shqiptare, apo edhe të huaja qofshin, duhet që më parë të diskutojnë e të zgjidhin çështjen me Flamurtarin. Klubi vlonjat është i vendosur të mos e lërë të lirë Rrapajn apo lojtarët e tjerë që janë nën kontratë, por vetëm duke paguar.

emiliano musta

Emiljano Musta- Merkatoja e Partizanit të sezonit të ri po bëhet e gjitha me bekimin e Ilir Dajës, i cili pritet të jetë trajneri i ri i “demave të kuq”. Tekniku kryeqytetas mësohet se i ka dorëzuar klubit një listë me emra lojtarësh, apo pozicionesh ku ekipi ka nevojë të përforcohet. “Panorama Sport” ka mësuar se në listën e dëshirave është një tjetër njohje e trajnerit Daja te Flamurtari, Emiljano Musta, i cili ka qenë pjesë e të kuqve para 7 vitesh, që përkon me rikthimin e klubit në Superiore.

28- vjeçari është një lojtar që përshtatet mirë në disa role, kryesisht në gjithë krahun e majtë. Musta mund të ishte një alternativë ideale për Partizanin për të zëvendësuar Lorenc Trashin, që është transferuar në Kuvajt. Gazeta mëson se palët kanë nisur kontaktet e para, por nëse arrihet akordi, bashkëpunimi mund të nisë vetëm pasi lojtari të ketë përfunduar aventurën europiane me Kukësin.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"