EKSKLUZIVE/ Talentet në shitje, asnjë nuk ikën më pak se 300 mijë euro. Ja manovrat te Tirana (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2021 | 23:59

EKSKLUZIVE/ Talentet në shitje, asnjë nuk ikën më pak se 300 mijë euro. Ja manovrat te Tirana (E PLOTË)

Tirana vendos çmim dysheme për lojtarët e rinj që kanë mundësi për t’u shitur në skuadra më të forta jashtë Shqipërisë.

Tirana festa

Kështu, klubi ka vendosur që çmimi minimal për lojtarë si Ismajlgeci, Çelhaka, Bekaj dhe të tjerë të nisë nga 300 mijë eurot. Kjo është një masë e marrë nga klubi për të treguar se talentet e tyre jo vetëm që vlejnë dhe të interesuarit duhet të shkundin xhepat për të marrë lojtarët e Tiranës. Sigurisht, rregulli i dyshemesë është për lojtarët kryesorë të skuadrës, ndërsa për futbollistët e tjerë situata është e hapur.

POTENCIALI – Tirana njihet si një nga skuadrat që ia ka dalë të shesë më shumë lojtarë në Shqipëri. Ernest Muçi nuk është i vetmi nga ata që ka larguar duke paguar shuma të mëdha parash. Kështu, për Muçin Tirana ka futur në arkat e saj 500 mijë euro, shumë që mund të shkojë në 650 mijë euro. Për Mervejl Ndokitin u fituan rreth 450 mijë euro. Shiti edhe Kobinën për 150 mijë euro, ashtu siç kishte bërë më parë me të tjerë.

Duket se Tirana gjithmonë ia ka dalë që të fitojë dhe kur futet në operacione lojtarësh për t’i shitur në Europë, zor se gabon. Bardheblutë prej kohësh janë kthyer në një potencial në tregun e lojtarëve dhe shitjen e tyre në kampionate më të forta. Sezonin që dolën kampionë, bardheblutë humbën Dokën nga i cili nuk fituan asnjë kacidhe.

Tani që flasim, Tirana ka një listë të gjatë lojtarësh që mund të shiten, duke filluar nga dyshja Çelhaka-Ismajlgeci pa harruar Bekajn, Hoxhallarin, Tolin, Halilin e Vrapin. Të gjithë lojtarë që fare mirë janë titullarë në çdo ekip të Superiores dhe që mund të shiten në çdo moment. Pa harruar lojtarë të tjerë të akademisë, që te Tirana janë me shumicë, apo siç thuhet në Tiranë: me lopatë. Në fund të sezonit me shumë mundësi nga bardheblutë do të largohet një tjetër futbollist i ri. Sigurisht, duke mbushur arkat e klubit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"