EKSKLUZIVE/ Takaj futet vetë në lojë, Skënderbeu arrin akordin me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2022 | 19:40

EKSKLUZIVE/ Takaj futet vetë në lojë, Skënderbeu arrin akordin me…

Skënderbeu siguron portën. Nuk ka vetëm largime pas rënies në Kategorinë e Parë dhe përfundimit të kontratave. Drejtuesit kanë gjetur parimisht dakordësinë me Shkëlzen Ruçin për sezonin 2022-2023.

SHKELZEN RUCI

Burime të sigurta bënë me dije për “Panorama Sport” se pas takimit me presidentin Ardjan Takaj dhe bisedave të vazhdueshme me drejtuesit e klubit bardhekuq, elbasanasi është bindur për të qëndruar edhe një tjetër vit në Korçë.

Edhe pse mungon një konfirmim zyrtar nga palët për zgjatjen e bashkëpunimit, gjithçka duket se është në rrugën e duhur.

Mësohet se vetë lojtari po mendon rishikimin e kontratës me bardhekuqtë dhe me shumë mundësi kampionatin e ardhshëm ai do të jetë numri 1 i katërkëndorit.

Nga ana tjetër, edhe në klub pranohet se ka pasur bisedime të vazhdueshme mes palëve dhe gjithçka po shkon drejt firmës.

Kujtojmë që për të nuk është e vetmja ofertë.

Gardiani pak ditë më parë është parë edhe me administratorin e AF Elbasanit.

Verdheblutë e sapongjitur në Kategorinë e Dytë e kanë prioritet shtatlartin, por ndoshta ky i fundit mund të stepet disi nga liga.

Ambicia dhe plani i korçarëve e josh më shumë 29-vjeçarin që sezonin e fundit luajti 4 takime si titullar në elitë.

Shkëlzen Ruçi së bashku me Vangjel Zguron dhe Dejan Shehin kanë qenë nga të parët lojtarë që janë takuar menjëherë pas mbylljes së kampionatit me presidentin.

Atë ditë Ardjan Takaj u kërkoi të tre futbollistëve që të rishikonin pozicionin e tyre pas përfundimit të kontratës, duke u dhënë një “dritë jeshile” për qëndrimin te Skënderbeu edhe në inferiore.

ALTERNATIVAT – Nëse Shkëlzen Ruçi llogaritet si portier i parë dhe është shumë pranë marrëveshjes, Skënderbeu po mendon edhe për alternativat e tjera për këtë repart.

Të paktën nga sa bëhet me dije, janë dy emrat më të përfolur që mund të jenë pjesë e korçarëve.

Fjala është për portierin që mbylli edicionin e fundit te Pogradeci, Herdis Alliu, dhe gardianin korçar të Devollit, Jurges Beqiri.

Të dy janë të rinj dhe me tepër cilësi, por që duket se për momentin janë zgjedhje e dytë për Skënderbeun.

Klubi i ka idetë të qarta, kërkon të ndërtojë një ekip cilësor që të mos diskutojë ngjitjen e menjëhershme.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"