Ekskluzive / Takaj: Etika s’më tremb, jam i revoltuar me lojtarët e mi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2017 | 9:48

Ekskluzive / Takaj: Etika s’më tremb, jam i revoltuar me lojtarët e mi

Menjëherë pas mbylljes së kampi onatit, Skënderbeu ka vendosur të bëjë goditjen e parë për sezonin e ri. Donjet Shkodra është afrimi më i ri i Skënderbeut në merkato, duke hapur kështu zyrtarisht rrugën e afrimeve në kampin bardhekuq.

Afrimin e mesfushorit kosovar e ka konfirmuar vetë presidenti Ardjan Takaj, i cili, në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” ka komentuar edhe finalen e Kupës ndaj Tiranës.Takaj Antalja

Takaj ka shprehur irritimin karshi lojtarëve dhe, nga ana tjetër, komentoi edhe vendimin në pritje nga Etika, si dhe deklaratat e fundit të trajnerit të Partizanit, Sulejman Starova.

President, kampionati është mbyllur, por Etika ende nuk e ka thënë fjalën e saj. Çfarë prisni më 8 qershor dhe a jeni i shqetësuar për këtë vendim?

Nuk jam aspak i shqetësuar dhe nuk kam pse të jem i tillë. Ne e kemi mbyllur një herë e mirë çështjen “UEFA” dhe vendimi i KAS-it flet mjaft qartë.

Të gjithë e kanë vendimin të detajuar dhe mund të shohin se gjithçka është e mbyllur dhe nuk ka më vend për tjetër arsyetim. Jemi të qetë nga kjo anë. Plus kësaj, mund të them që një ekip nuk dënohet pse ka fituar. Kjo është më e rëndësishmja.

Pra, jeni të fokusuar të gjithë te sezoni i ri?

Po, jemi duke menduar për startin e sezonit me pjesëmarrjen në Europa Ligë. Ekipi ka marrë pushimet dhe do të kthehet më 7 qershor, kurse një ditë më pas do të nisemi në Slloveni për fazën përgatitore. Jemi në një moment pune, ku po mendojmë seriozisht për merkaton.skenderbeu

Le të rikthehemi pak te Kupa e Shqipërisë. A jeni i zhgënjyer që nuk e fituat këtë trofe?

Sigurisht që jam i zhgënjyer. Mbi të gjitha, jam i revoltuar me lojtarët e mi që kanë bërë ndeshjen më të dobët të Skënderbeut, që nga koha kur unë jam në krye të ekipit.

Kanë qenë lojtarë pa objektiv në kokë. Janë futur në fushë jo me dëshirën për të luajtur dhe fituar, por për të mbyllur sa më parë sezonin. Kjo nuk është aspak e mirë për një ekip si Skënderbeu dhe për këta lojtarë. Jam i revoltuar pa masë me ata. Për këtë arsye, më datë 7 qershor, do të ketë mbledhje dhe normalisht që priten edhe penalizime.josa tirana kupa

Nga ana tjetër, trajneri Sulejman Starova ka bërë deklarata jo të këndshme në adresën tuaj. Si i komentoni ato?

Çfarë deklaratash?! Sepse nuk kam pasur interesin dhe mundësinë t’i shikoj apo lexoj.

Ka theksuar që ju keni prishur miqësinë me Dukën për shkak se ju kërkoi t’ia linit Kupën Tiranës…

Çfarë janë këto muhabete?! Nuk ia vlen të flas aspak për të tilla tema, pasi janë të pabaza dhe jo të rëndësishme. Starova ka njohje më të hershme se unë me Dukën. Unë me Starovën njihem që para se të hyja në futboll. Por Starova nuk ndikon dot te Skënderbeu, edhe pse ka njohje me mua. Jemi një vend i vogël dhe të gjithë njihemi. Janë muhabete të kota këto.MIQËSIA DUKA-TAKAJ, FEDERATA KYÇ GOJËN

E keni mbyllur sezonin pa asnjë trofe. Mund ta quajmë sezon të dështuar për Skënderbeun?

Po, keni të drejtë ta quani me plot gojë i dështuar, sepse vërtet ka qenë i tillë. Ka qenë sezoni më i dështuar i Skënderbeut, por edhe më i shpenzuari për ekipin. Prandaj revoltohem në disa momente kur e mendoj atë ndeshje ndaj Tiranës.

Edhe tifozët janë revoltuar dhe kanë akuzuar pas atij takimi…

Tifozët kanë të gjithë të drejtat e tyre që të revoltohen dhe unë jam në krahun e tyre. Jo vetëm të akuzojnë, por edhe më shumë se kaq. Me atë lojë të dobët që bënë lojtarët në fushë, kanë të drejtë dhe unë i mbështes.Tifozet Skenderbeu

Askush nuk mund të tallet me pasionin e tyre, pasi ndjekin ekipin në çdo ndeshje, pa llogaritur asgjë. E përsëris, mund të bënin edhe më shumë se aq dhe do t’i kuptoja.

Merkato ka nisur, a do të ketë ndryshime të mëdha te Skënderbeu?

Sigurisht, merkatoja e verës është një mundësi për të rindërtuar ekipin dhe prisni të ketë ndryshime shumë të mëdha. Do të mundohemi të bëjmë zgjedhjet e duhura për të dalë në një përfundim të dëshiruar. Kemi filluar të mendojmë për afrimet, madje disa prej tyre mund t’i zyrtarizojmë shumë shpejt.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"