EKSKLUZIVE/ Takaj bllokon kapitenin: Hera e dytë që gjyqtari e bën… baltë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2020 | 23:22

EKSKLUZIVE/ Takaj bllokon kapitenin: Hera e dytë që gjyqtari e bën… baltë (E PLOTË)

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas suksesit me Partizanin pohoi se ishte i bindur që ekipi kishte potencial për të bërë atë paraqitje. Takaj pohoi se me Imamin dhe kthimin e Jashanicës grupi quhet i plotë, që nënkupton se nuk do të ketë transferime të “yjeve” të skuadrës. Ai foli edhe për çështjen “Dita”, për gjyqin e hapur në DHZK, ku presidenti pohoi se kapiteni do ta zbatojë deri në fund kontratën. Sa i përket ndeshjes, veç lëvdatave që ka për ekipin dhe këshillave për vazhdimësinë, Takaj nuk ishte i qetë, pasi, sipas tij, gjyqtari Ardjan Beqiri e bëri baltë dje, duke qenë edhe përsëritës në gabimet e tij në Korçë.

ardjan takaj

President, e prisnit kështu startin e këtij viti me Partizanin? 

E dinim që do të ishte një ndeshje shumë e fortë. Ne ishim përgatitur për ta fituar ndeshjen. Kam parë një punë serioze nga ekipi në të gjithë këtë javë. Kjo u përkthye me një lojë mjaft të mirë dhe një fitore, që në fund ishte e merituar.

A është ky Skënderbe i plotë apo do të ketë surpriza? 

Do të ketë, pasi kthehet Jashanica, që është një lojtar mjaft i rëndësishëm për ne. Plus kësaj, kemi edhe Imamin që është bashkuar me ekipin. Skënderbeu është i plotësuar dhe besoj se gjithçka do të ecë në rrugën e duhur. Duhet të kemi përqendrim, pasi në të gjitha ndeshjet ku kemi qenë të përqendruar kemi marrë rezultat. Problemet i kemi pasur atëherë kur jemi shpërqendruar dhe kjo na penalizon shumë.

Dy penalltitë, çfarë ju ka shkuar në mend kur janë akorduar?

Më erdhi keq, pasi është hera e dytë që ky arbitër e bën në Korçë këtë lloj loje. Skënderbeu investon për të marrë pjesë në kampionat dhe nuk është arbitri që duhet të vendosë se kush do të jetë më sipër. Partizani, por edhe çdo ekip tjetër, të vijë dhe të meritojë atë që do marrë. Por, për arbitrin kam shumë pakënaqësi, pasi është hera e dytë me të njëjtin standard këtu në Korçë. Është diçka e guximshme që një arbitër të ndikojë kështu në fushën e lojës. Partizani ka ardhur dhe ka fituar këtu me meritë, nuk ka pasur asnjë problem.

Skenderbeu - Partizani

Bregu larg merkatos duket më i përqendruar. Është ky lojtari që i mungonte Skënderbeut?

Bregu, Gripshi dhe Krasniqi, kur janë në ditët e mira, janë shumë të rëndësishëm. Është momenti i tyre që ta marrin ekipin për dore dhe ta tërheqin drejt suksesit.

Çfarë po ndodh me çështjen “Sidibe”?

Sidibe ka probleme me ekipin e vet.

Skënderbeu do ta presë deri në fund?

Ai është lojtar i Lezhës, nuk ka lidhje të presim. Është presidenti i Besëlidhjes që vendos për atë.

Dita goli

Bruno Dita e ka çuar klubin në DHZK. Komenti juaj? 

Bruno Dita është lojtar i Skënderbeut deri kur t’i përfundojë kontrata. Bruno Ditën besoj e patë të gjithë që ishte kapiteni ynë në fushë dhe ndër lojtarët më të mirë në këtë takim. Nuk ka asnjë çështje.

Llazi Saro – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"