EKSKLUZIVE/ “Ta bëjmë vitin magjik”, si i karikoi presidenti Halili lojtarët e Tiranës në prag të sfidës me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2023 | 8:22

EKSKLUZIVE/ “Ta bëjmë vitin magjik”, si i karikoi presidenti Halili lojtarët e Tiranës në prag të sfidës me Teutën

Presidenti Refik Halili dhe Tirana duket se e kanë marrë seriozisht fitimin e tre trofeve këtë sezon. Me Superkupën në xhep, titullin shumë pranë, Tirana kërkon edhe kupën e Shqipërisë. REFIK HALILI

Para ndeshjes me Teutën, presidenti Refik Halili ka qenë në mbledhjen me skuadrën dhe ka folur pas analizës që ka zhvilluar Orges Shehi. Presidenti ka saktësuar se nga tani e në vazhdim për Tiranën do të jetë luftë e vërtetë dhe derisa të dalë në finalen e Kupës dhe të fitojë matematikisht titullin, skuadra duhet të jetë e kujdesshme në çdo takim. Burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije se Halili ka qenë i qartë me mesazhin që i ka dhënë skuadrës.

“Dua të luani futboll dhe asnjë neglizhencë në fushë. Nuk ka ndeshje dhe kundërshtarë të lehtë. Të gjithë duhet t’i respektojmë dhe të luamë me drejtësi ndaj të gjithëve. Duam tre trofetë që ta bëjmë magjik këtë vit”, mësohet të ketë thënë Refik Halili para sfidës me Teutën.

Dhe skuadra shkëlqeu në fushën e lojës. Fitoi 3-0 takimin me Teutën, pothuajse është e kualifikuar në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe tani pretendon që të mbyllë fitimin e kampionatit sa më shpejt.

SHIFRAT – Nëse në sezonin e ri, kampionët e Superiores nga arena ndërkombëtare, edhe nëse shkojnë në Champions, humbasin dhe nuk kualifikohen, marrin 810 mijë euro nga UEFA. 260 mijë euro dhurohen nga UEFA për ekipet që nuk mund të jenë pjesëmarrëse në grupet e kompeticioneve të saj, ndërsa 350 mijë euro ofrohen si bonus eliminimi.

Sakaq, Tirana do të marrë edhe 200 mijë euro të tjera, ku 100 mijë euro jepen për pjesëmarrjen në turin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve dhe 100 mijë të tjera për pjesëmarrjen në turin e dytë kualifikues në Ligën e Konferencës. Kësaj shume i shtohen 80 mijë euro si shpërblim nga FSHF-ja për titullin kampion. Shto këtu 50 milionë të vjetër nëse fitojnë Kupën e Shqipërisë, ndërsa 150 milionë lekë i jep Bashkia për titullin kampion.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"