EKSKLUZIVE/ Suksesi më i madh në Botërorin e Atletikës, rrëfimi i Luiza Gegës: Mposhta amerikanet dhe europianet. Tani kam objektiv…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2022 | 9:42

EKSKLUZIVE/ Suksesi më i madh në Botërorin e Atletikës, rrëfimi i Luiza Gegës: Mposhta amerikanet dhe europianet. Tani kam objektiv…

Është e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme ajo që po realizon Luiza Gega nga gara në garë. Kampionia kuqezi ka dhuruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm paraqitjen më të mirë të të gjitha kohërave për Shqipërinë në një Kampionat Botëror, duke tejkaluar përsëri veten.

gega

Gega u rendit e pesta në finalen e 3000 metrave me pengesa në evenimentin më madhor të atletikës që po mbahet në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo regjistroi kohën 9:10.04, duke thyer me rreth 4 sekonda e gjysmë rekordin kombëtar që kishte vendosur vetëm disa javë më parë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Një garë fantastike nga Luiza, e cila për shumë vite me radhë është një garanci absolute në çdo event, por që gjatë këtij sezoni ka thyer çdo limit me paraqitjen e saj fenomenale.

Finalja e 3000 metrave me pengesa në Oregon rezultoi vërtet spektakolare, teksa vendin e parë e zuri Norah Jeruto e Kazakistanit me kohën 8:52.02 (atlete e natyralizuar nga Kenia). Në vend të dytë dhe të tretë u klasifikuan etiopianet Werkuha Gatachew (8:55.61) dhe Mekides Abebe (8:56.08), ndërsa e katërta Winfred Mutile Yavi (9:01.31) atlete keniane që përfaqëson Bahrejnin. Rezultate që tregojnë qartë se për të gjetur një atlete që vrapon më shpejt se Luiza Gega, duhet vajtur vetëm në Kenia apo Etiopi.

RRËFIMI I ATLETES PËR “PANORAMA SPORT”
“Tani po kthehemi për në Shqipëri, – thotë kampionia shqiptare për “Panorama Sport”. – Gara e djeshme ka qenë shumë emocionuese, qoftë edhe për pozicionin që unë arrita në një Kampionat Botëror. Në fakt, ky është pozicioni më i mirë që mund të kem arritur në një kampionat të tillë. Vendi i pestë dhe rekord kombëtar. Jam shumë e lumtur. Nuk besoj se mund të prisja më mirë se kaq, sepse gara ishte shumë e fortë. Vajzat nga Kenia, Etiopia, qoftë dhe Kazakistani dhe Bahrejni, të cilat janë gjithashtu keniane, por tani garojnë për këto shtete, ishin vërtet shumë të forta. Në fund fare pashë që gjithë konkurrenca ime kishte qenë me to. Arrita të mposhtja të gjitha vajzat nga Europa, Amerika apo kontinente të tjera.

gega

Thjesht, jam shumë e lumtur. Prisja të shkonte mirë, sepse kam pasur një sezon shumë të mirë dhe doja të përmirësoja vazhdimisht rekordin tim në këtë garë, por që sigurisht doja të finalizohej në këtë aktivitet kaq të madh, qoftë edhe për një rekord të ri. Edhe para se të vija këtu, e kishim deklaruar, pavarësisht se edhe në Lojërat Mesdhetare realizova një rekord të ri, ndoshta jo me ndonjë konkurrencë të madhe, por doja të kisha thjesht sigurinë për këtë garë që më priste. Të vija akoma më optimiste për atë që doja të arrija dhe sigurisht që mbas kalimit në finale emocionet u pakësuan. Motivi ishte i thjeshtë: mendoja se hapi i parë i madh u arrit. Kjo ishte hera e para që arrita të kualifikohesha me kohë direkt, pra në top-treshen më të mirë të baterisë dhe kjo më dha akoma më shumë besim.

Pas garës së parë u ndjeva pak e lodhur dhe na ndodhën edhe disa incidente të vogla gjatë gjithë rrugëtimit. Valixhet nuk na erdhën, trajneri aty kishte të gjithë bazën e fizioterapisë që ne përdorim. Sepse, është trajneri ai që merret edhe me pjesën e fizios e çdo gjë tjetër dhe mendoj se këto më penalizuan pak për sa i përket pjesës së freskisë. Kur filloi gara, nuk e pata këtë siguri të madhe në xhirot e para, sepse ritmi ishte edhe shumë i shpejtë dhe doja të fitoja sigurinë që xhirot e fundit e të mos bëja hapa prapa, por thjesht të mbahesha fort dhe për të realizuar xhiron e fundit. Llogarisja finalen që ndoshta do të më poziciononte shumë mirë ose vajzat e tjera aty do të më kalonin. Për fat të mirë, deri në 2000 metra isha pozicionuar e dhjeta, me sa e pashë më pas, por edhe trajneri ma tha.

Më pas fillova t’i kaloja konkurrentet një nga një. Pas kilometrit të parë mora edhe sinjalin nga trajneri, që tani duhet të filloja gradualisht të afrohesha dhe të mos i lija më të shkëputeshin. Sepse, pastaj do të ishte shumë më e vështirë që t’i arrija. Dhe pikërisht këtë u mundova të bëja. Mendova të isha shumë në fokus gjatë gjithë atyre shtatë xhirove e gjysmë. Mendoj që vrapova shumë mirë teknikisht, taktikisht, ndryshe nga gara eliminatore ku bëra disa gabime taktike që nuk është se u penalizova, por rrezikova. Ndërsa finalja shkoi vërtet shumë mirë.

Jam shumë optimiste për çdo gjë tjetër që më pret. Kemi edhe një aktivitet tjetër shumë të rëndësishëm, për mua, po kaq i rëndësishëm sa dhe Botërori, që është Kampionati Europian. Kam një përgjegjësi dhe një emocion të madh sepse shkoj si rezultati më i mirë në Europë dhe dua ta mbaj këtë rezultat e ta finalizoj në Europian. Do të ishte një sukses shumë i madh sa i përket të gjithë karrierës sime sportive deri tani. Çdo gjë tani ka shkuar shumë mirë dhe uroj shumë që ky të jetë finalizimi më i madh i këtij viti”, deklaroi Gega ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"