EKSKLUZIVE/ Suksesi historik i Egnatias, rrëfehet drejtori Zenelaj: Ju tregoj sekretet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2023 | 22:30

EKSKLUZIVE/ Suksesi historik i Egnatias, rrëfehet drejtori Zenelaj: Ju tregoj sekretet

Egnatia arriti një sukses historik këtë sezon, pikërisht vendin e tretë në kampionat dhe pjesëmarrjen për herë të parë në Europë (Liga e Konferencës). Mirëpo, klubi rrogozhinas është në lojë edhe për trofeun e Kupës, teksa më 1 qershor në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, do të luajë finalen ndaj Tiranës.

1593529607512

Por si u ndërtua kjo skuadër dhe cili ishte sekreti i suksesit? Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, drejtori i klubit rrogozhinas, Klejdi Zenelaj, tregon detaje të punës së nisur që në mars të vitit 2022. Ai shpreson që ky sezon të mbyllet me fitimin e trofeut të Kupës.

Egnatia është forcë e tretë në kampionat dhe gjithashtu në finalen e Kupës. Çfarë do të thotë kjo për ju si drejtor klubi?

Personalisht për mua janë dy objektiva të arritur dhe një pikënisje për synime të tjera edhe më të rëndësishme. Ndërsa për qytetin është një moment historik, të cilin duhet ta shijojë në maksimum.

Të kthehemi pak prapa, te ndërtimi i kësaj skuadre në verën e kaluar. Si e kujtoni atë moment?

Ndërtimi i skuadrës së sezonit të ri ka filluar që në muajin mars 2022, ende pa u mbyllur sezoni 2021-2022. Bashkë me presidentin hodhëm piketat e para të projektit të sezonit të ri dhe filluam t’i ndjekim lojtarët me në detaje gjatë dy muajve të fundit. Më pas erdhi dhe zgjedhja e trajnerit Tetova, që për mendimin tim është më e mirë që bëmë në verën e kaluar, pasi iu përshtat totalisht filozofisë dhe strategjisë së klubit.

Për sa u takon dy merkatove, në verën e kaluar dhe në janar 2023, cilat ishin kushtet për transferimet në dalje dhe hyrje?

Merkato e verës ishte më e vështirë, pasi kushti kryesor që kishim nga presidenti ishte që skuadra të ishte e plotë përpara fillimit të fazës përgatitore. Ndaj, në një kohë të shkurtër bëmë përzgjedhjet e plota të një ekipi që filloi çdo gjë nga fillimi, pasi nga sezoni i kaluar kishte shumë pak lojtarë. Filozofia e klubit ishte të ndërtonte një ekip me plan afatgjatë, duke ndërthur eksperiencën me moshën e re dhe me lojtarë me kontrata disavjeçare.

Zenelaj

Ndërsa merkatoja e janarit ishte e fokusuar më shumë në cilësi sesa në sasi. Në bashkëpunim me trajnerin Duro dhe atë aktual, Tetova, në atë kohë në pozitën e drejtorit, bëmë ndërhyrjet e duhura.

Mediatikisht me të drejtë përmendet shpesh Duamena, që është blerja më e goditur, por unë nuk dua të harroj dhe luftën e fortë që bëmë me ekipe të elitës në Shqipëri, për të bindur një lojtar të Kombëtares si Memolla, i cili është një vlerë e shtuar për ne. Gjithashtu edhe Redi Kasa është një gjetje dhe një meritë e madhe e presidentit.

Egnatia ka meritë edhe në stabilizimin e kushteve të infrastrukturës së terreneve dhe ambienteve të tjera. Diçka për këto investime?

Egnatia vazhdon paralelisht me zhvillimet në infrastrukturën e klubit me ndërtimin e hotelit, që na ndihmon të kujdesemi për regjimet dhe dietat e futbollistëve. Gjithashtu për sezonin e ri shpresohet të fillojmë edhe me ndërhyrjet në stadium për përfundimin e projektit të prezantuar kohë më parë.

Cili është sekreti i suksesit të kësaj Egnatie?

Egnatia udhëhiqet nga një president vizionar dhe shumë kërkues. Hallka e parë e suksesit është pikërisht ai.

Ashtu siç është klub i ri, ashtu janë drejtuesit, stafi teknik dhe lojtarët. Të gjithë janë të etur për sukses dhe të gjithë punojnë shumë dhe respektojnë pozitën e njëritjetrit. Tek Egnatia nis puna në orën 09:00 të mëngjesit, ku paraqiten të gjithë trajnerët dhe më vonë vijnë sportistet dhe mbyllet pas seancës stërvitore pasdite. Koha e gjatë e shpenzuar të gjithë bashkë ka bërë që të kemi më shumë harmoni.

Në kampionat ka mbetur vetëm ndeshja e fundit me Kukësin, ndërsa më pas finalja me Tiranën. Besoni se do ta mbyllni me trofeun e Kupës?

Ndeshja me Kukësin do përqendrim nga ana jonë, pasi po përgatitemi për ndeshjen e Kupës dhe ekipi duhet të mbajë ritmin e duhur. Finalja është si qershia mbi tortë e një sezoni të lodhshëm. Një ndeshje që po e presim me qetësi të plotë dhe përkushtim çdo ditë nga ana e stafit dhe futbollistëve. Shpresojmë të sjellim trofeun e parë në Rrogozhinë, mbi të gjitha për tifozët, që na kanë ndjekur në kushte të vështira në këtë fundsezoni.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"