EKSKLUZIVE/ Strategjia fituese, trajneri Toska rrëfen triumfin e Kofshës në Europian: Si e ndryshuam peshën me 1 bidon ujë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2022 | 11:13

EKSKLUZIVE/ Strategjia fituese, trajneri Toska rrëfen triumfin e Kofshës në Europian: Si e ndryshuam peshën me 1 bidon ujë

Vetëm pak ditë më parë Shqipëria reg jistroi një rezultat fantastik në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për moshat U-17, duke fituar tri medalje ari. Suksesi edhe një herë tjetër mban firmën e fshatit Shtërmen, me Ertjan Kofshën që u shpall kampion i trefishtë në peshat 89 kg në eventin e mbajtur në Poloni. Kofsha është prodhimi i radhës i dalë nga duart e trajnerit të mirënjohur Leonard Toska. Ky i fundit u vlerësua gjithashtu edhe si trajneri më i mirë i eventit. Kur kanë kaluar pak ditë nga ky sukses, Toska rrëfen eksperiencën në Europian.

LEONARD TOSKA

Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri shtërmenas thotë se rezultatet ishin të pritura, duke iu referuar punës së madhe që ka bërë me sportistin. Toska gjithashtu tregon edhe strategjinë për ndryshimin e peshës nga 81 në 89 kg. Me të njëjtat rezultate, nëse do të garonte në peshën 81 kg, Kofsha do të merrte 1 ari dhe 2 argjendi, por zgjedhja e trajnerit rezultoi decizive. Toska flet gjithashtu edhe për krahasimin mes Kofshës, legjendës Pirro Dhima apo kampionit të madh kuqezi, Briken Calja.

Toska, si do ta komentoni këtë sukses që arritët me Ertjan Kofshën në Europian?

Gjithçka ka ardhur falë një pune dhe disipline të rreptë. Ka qenë një punë e lodhshme 3-4-mujore për ta arritur këtë rezultat. Pra, kishim kohë që përgatiteshim dhe më në fund arritëm që të marrim tri medalje të arta. Edhe unë u përzgjodha si një nga trajnerët më të mirë të Kampionatit Europian. Gjithçka ka ardhur falë punës dhe sakrificës që kemi bërë të gjithë, duke nisur nga sportisti, unë si trajner, apo Bashkia Cërrik që na ka mbështetur. Gjithashtu edhe vëmendja e madhe e qeverisë, që nxori ligjin e ri për peshëngritjen. Pra, kush punën do të fitojë.

E prisnit fitimin e tri medaljeve të arit?

Të them të drejtën po, pasi deri diku kisha bërë një parashikim, si për peshën 81 kg, gjithashtu edhe për peshën 89 kg. Me syrin tim, duke parë aftësitë e Ertjanit si dhe strategjinë, isha 80-90% me medalje.

Pse vendosët që të ndryshonin peshë, duke kaluar nga 81 në 89 kg?

Ertjani nuk dinte gjë fare, vetëm kur ia komunikova unë në Varshavë e mori vesh që do të garonte në peshat 89 kg. Ai ishte 81 kg dhe i mjaftoi vetëm pirja e një bidoni ujë 500 gr për të kaluar në peshën tjetër. Këtë ndryshim e bëra sepse pesha 89 kg është peshë olimpike dhe ne po përgatitemi seriozisht për këtë peshë. Ne tani do të kërkojmë për të marrë pikët e mundshme për të siguruar kualifikimin në olimpiadë.

Pak kohë më parë keni deklaruar se Kofsha është më i mirë edhe se Pirro Dhima apo Briken Calja kur kanë qenë në këtë moshë…

Këtë nuk e kam thënë unë, por specialistët, duke iu referuar verifikimeve që kanë bërë, pasi kanë krahasuar kilet që kanë ngritur sportistët në të njëjtën moshë, në atë 17-vjeçare. Kështu që sipas të dhënave Kofsha rezulton që është më i mirë se Dhima dhe Calja.

Cilat janë garat dhe objektivat e radhës?

Tani kemi Kampionatin Europian për të rinj që do të mbahet në Tiranë në muajin tetor. Synimet për këtë garë janë për tri medalje. Tani nëse do të jenë të arta, të argjendta apo të bronzta këtë nuk mund ta them, sepse konkurrenca është shumë e fortë dhe Ertjani është më i vogël se rivalët. Megjithatë, përderisa fituam medalje, ne mund të marrim medalje edhe në Europian. Do të ndjekin një strategji dhe një punë për të kërkuar fitimin e medaljeve.

Le të kthehemi edhe një herë te Shtërmeni, çfarë e bën të veçantë këtë vend që nxjerrë kampionë?

Isha i ftuar edhe në një televizion publik në Varshavë pas fitores në Europian. E kishin titulluar Shtërmenin “Fshati me duar të arta”. U befasova ku pashë në panel 50 të rinj, të cilët me habi u shprehën se si ka mundësi që një fshat me 2500 banorë arrin të nxjerrë kampionë të tillë, ndërsa Varshava mbi 3 milionë sa duhet të nxjerrë?! Gjithçka vjen për shkak të kulturës sportive të Shtërmenit, që ka traditë dhe do të nxjerrë gjithmonë kampionë. Përveç Ertjan Kofshës kam gjithashtu në skuadër edhe të rinj të tjerë shumë premtues si Samuel Rrasa apo Mariglen Kofsha, të cilët janë e ardhmja e peshëngritjes shqiptare.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"