EKSKLUZIVE/ “Stoli nuk më pëlqen, jam gati kurdoherë”, Gavazaj: Kampion do shpallet Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2020 | 14:48

EKSKLUZIVE/ “Stoli nuk më pëlqen, jam gati kurdoherë”, Gavazaj: Kampion do shpallet Kukësi

Pesë pikët e lëna në 180 minuta kanë sjellë zhgënjim në radhët e Kukësit. Ai barazim në Ballsh 20 sekonda para fundit dhe humbja me përmbysje në Tiranë 4 minuta para se të mbyllej gjithçka, u kushtuan edhe kreun verilindorëve. E megjithatë, të besuarit e Shpëtim Duros asgjë nuk e quajnë të mbaruar. Besojnë jo vetëm te kthesa me Teutën, por edhe rimarrja e vendit të parë. I këtij mendimi është edhe Enis Gavazaj, një nga lojtarët më të spikatur të nënkampionëve në fuqi të vendit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai skanon javët e fundit, por flet edhe për veten. Iu desh që ta niste nga stoli kundër bardhebluve, por 24-vjeçari saktëson se ka qenë i dëmtuar dhe iu desh që të sakrifikonte prej problemeve që pati Rroca.

enis gavazaj

Një humbje e papritur përballë Tiranës në vetëm 4 minutat e fundit. Cilat ishin arsyet e asaj përmbysjeje?

Mendoj se nuk kishte fajtor, thjesht ishte fati me Tiranën në ato momente. Natyrisht që u penalizuam nga dy momente, si kartoni i kuq dhe anulimi i golit tonë, i cili ishte pa dyshim krejt i rregullt. Gjithsesi, nuk duam të gjejmë alibi, por të shikojmë para me besim të plotë të vetja, grupi dhe kualiteti që zotërojmë.

Ju vjen keq që ju kanë ikur dy ndeshje nga duart në minutat e fundit, kujtojmë Bylisin dhe Tiranën? 

Pa dyshim na vjen keq, pasi kemi qenë në avantazh, por në dy ndeshjet fati nuk na ka ndihmuar në minutat e fundit, shpresoj që nga ndeshja tjetër të mos ndodhin më këto rezultate.

Si e keni përjetuar këtë humbje ndaj rivalit direkt? 

Nuk e kemi përjetuar mirë, normale, madje jemi mërzitur shumë.

Dhe si e kaluat…?

Direkt nisëm të mendonim për ndeshjen tjetër, pasi ajo ka rëndësi tani dhe do të bëjmë më të mirën të dalim me rezultat pozitiv.

enis gavazaj1

Sa mundësi keni që ta parakaloni Tiranën dhe a prisni një dhuratë nga Partizani?

Ata kanë një ndeshje të fortë, por edhe ne gjithashtu. Ajo është vetëm një ndeshje, ndonëse derbi. Nuk besoj se është përcaktuese për asnjë skuadër. Gjithsesi, ajo është punë për ta, ne mendojmë vetëm për përbaljlen tonë të radhës, të japim më të mirën dhe të marrim më të mirën. Kjo ka rëndësi.

Përballeni keni Teutën, a i druheni?

Çdo ndeshje ka historinë e vet, thjesht ne do të futemi për të marrë maksimumin, pasi edhe ekipi është i plotë dhe i vendosur për ta përballuar me sukses jo vetëm këtë ndeshje, por të gjitha ndeshjet e mbetura. Kemi besim te forcat tona, synimi është të marrim maksimumin në këtë ndeshje. Respekt për kundërshtarin, por për t’u druajtur s’i druhemi askujt. E kemi treguar me fakte dhe kemi dhënë prova gjatë gjithë kampionatit se Kukësi nuk i druhet askujt dhe është në garë për objektivin titull. Ne nuk i fshihemi kësaj gjëje. Natyrisht jemi me këmbë më tokë, pasi të gjitha ekipet janë të forta dhe secili lufton për të arritur objektivat e veta.

gavazaj

E keni nisur nga stoli ndaj Tiranës. Si ndiheni kur nuk jeni titullar?

Kam pasur disa shqetësime që nga ndeshja me Laçin, ku u mundova të sakrifikoja duke marrë parasysh se edhe Rroca ishte me probleme. Tashmë jam në rregull dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin në 100-përqindëshin tim. Normale që asnjë futbollist s’e pranon të jetë në stol, por ndonjëherë janë edhe zgjedhjet për atë ndeshje. Jemi profesionistë dhe duhet të sillemi si të tillë. Sa për mua, konkretisht, jam në dispozicion të stafit teknik dhe ekipit për të dhënë maksimumin tim kurdo dhe kudo.

Tiranën mbas derbit e favorizon pak kalendari, keni besim te titulli kampion?

Ka shumë ndeshje deri në fund, ndaj duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe pastaj le të flasim për ekipin kampion. Besoj se e kemi treguar edhe më herët që jemi ekip që mund të ringrihemi dhe do ta bëjmë këtë gjë shumë shpejt. Pa dyshim që kemi besim te titulli, do të luftojmë deri në sekondën e fundit.

Partizani apo Tirana, cili është rivali juaj më i fortë?

Të dyja janë të forta dhe secila ka shanset e veta, por mendoj se ne kemi ekipin më të mirë për momentin dhe mendoj se në fund ne do të dalim kampion.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"