EKSKLUZIVE/ Stoli i Shqipërisë, Bledar Kola: Jam i detyruar të qëndroj në Greqi, ja e vërteta me Dukën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2018 | 23:57

EKSKLUZIVE/ Stoli i Shqipërisë, Bledar Kola: Jam i detyruar të qëndroj në Greqi, ja e vërteta me Dukën (E PLOTË)

Ish-kapiteni i Shqipërisë, Bledar Kola, është i preferuari i presidentit të FSHF-së, Armand Duka për të qenë pasardhës i Kristian Panuçit në drejtimin e Kombëtares. Mirëpo, pas lajmit të publikuar dje në “Panorama Sport”, duket se për momentin është e vështirë që palët të gjejnë një marrëveshje. Në mes është kontrata 4-vjeçare që Kola ka nënshkruar me klubin e AEK-ut, pasi ai është krahu i djathtë i trajnerit Marinos Uzunidhis.

Zv.trajneri shqiptar i AEK-ut foli dje ekskluzivisht për gazetën, duke sqaruar situatën në lidhje me propozimin që i është bërë për stolin e Kombëtares shqiptare. Ai konfirmoi dëshirën që ka për një bashkëpunim me FSHF-në, por tregoi edhe arsyen pse në këtë moment kjo është e parealizueshme.

bledar kola

REAGIMI – “Jam në dijeni të asaj që po përflitet rreth ekipit tonë Kombëtar. Në këtë moment, përveç respektit të përbashkët që kemi me zotin Armand Duka dhe dëshirës së të dyve për të bashkëpunuar si dikur, nuk kam diçka tjetër për të thënë. Jam i detyruar të respektoj projektin që kemi nisur këtë verë tek AEK-u i Athinës, në bashkëpunim me trajnerin dhe mikun tim, Marinos Uzunidhis. Bëhet fjalë për një projekt 4-vjeçar”, ka thënë fillimisht ish-fantazisti i Shqipërisë në vitet 1990-2001.

Lezhjani që ka emigruar në Greqi që në vitin 1991, për të vazhduar aty karrierën si lojtar dhe më pas si trajner, në fund ka një mesazh edhe për situatën që po kalon skuadra kuqezi pas dështimit në Ligën e Kombeve. “Uroj dhe jam i sigurt që Kombëtarja do e kalojë këtë moment të vështirë. Kam besim se zoti Duka dhe stafi drejtues i FSHF-së do të marrin vendimet e duhura për të mirën e ekipit. Besoj se shumë shpejt Kombëtarja do të na bëjë sërish krenar me lojën dhe rezultatet e saj”, përfundoi Kola për “Panorama Sport”.

PROPOZIMI – Ish-mesfushori i kuqezinjve u kontaktua nga drejtuesit e FSHF-së pak ditë më parë, duke marrë një propozim konkret. Palët janë munduar që të mbajnë gjithçka të fshehtë, por gazeta nga burime konfidenciale në institucionin e futbollit, mësoi se Kola është i preferuari i Dukës për trajner, gjithnjë nëse kontrata me Panuçin zgjidhet sipas parashikimeve. Që prej vitit 2002, kur për herë të fundit Kombëtarja kishte trajner shqiptar, Sulejman Demollarin, Duka ka preferuar vetëm emra të huaj për stolin e Shqipërisë. Gjithsesi, edhe këtë herë duket se po ndodh e njëjta situatë si me Besnik Hasin pak vite më parë kur refuzoi për të qëndruar në krye të Anderlehtit.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"