EKSKLUZIVE/ Stenio Zhunior dhe vonesa me topat, si Skënderbeu ndali “demat” e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 12:45

EKSKLUZIVE/ Stenio Zhunior dhe vonesa me topat, si Skënderbeu ndali “demat” e Partizanit

Skënderbeu ka punuar gjatë gjithë javës së kaluar nën drejtimin e Migen Memellit për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Partizanit, ashtu siç edhe ndodhi në fushë. Pas humbjes me Tiranën, trajneri bardhekuq “gozhdoi” të tijtë në seanca stërvitore intensive dhe të ndërthurura mes punës në terren dhe analizave video, për të përcjellë te lojtarët informacionin e duhur të lojës së Partizanit.

pjimage (6)

Më pas, kërkoi që detyrat të respektoheshin me përpikmëri në fushë, duke mos neglizhuar asgjë dhe askënd që mund të anashkalonte atë që i ishte kërkuar nga trajneri. Pikërisht me tri “lëvizje” korçarët kapën “mat” Partizanin, duke i marrë një pikë shumë të vlefshme në këtë fillim sezoni. Tri ishin kërkesat kryesore të Memellit kundrejt ekipit, duke shtuar këtu edhe një rreng të mirëstudiuar. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht atë që Memelli ka kërkuar në prag të kësaj ndeshjeje.

ZHUNIOR – Pika e parë e të gjitha porosive të trajnerit bardhekuq duket se ishte Stenio Zhunior, sulmuesi më i mirë i Partizanit. Për këtë arsye, duke parë se braziliani është një pikë referimi për të kuqtë dhe i cilësuar si rreziku kryesor i Skënderbeut, mbrojtja me pesë lojtarë ishte zgjidhja perfekte. Ndryshe nga sa ka ndodhur në ndeshjet e tjera, braziliani i Partizanit kishte gjithmonë nga pas dy lojtarë.

Zhunior vs Skenderbeu

Bajrami dhe Sadriu futën në “çark” sulmuesin, ku njëri prej tyre shkonte i pari në kontakt me lojtarin, ndërsa tjetri kapte hapësirën e lirë mes linjave për të shmangur rrezikun që vinte nga cilësia e tij.

PRESIONI – Pasi përpiloi me kujdes porosinë e parë, Memelli u ndal te pjesa tjetër e ekipit. Të tetë lojtarët e tjerë, veç dy nga qendrat, do të vraponin pa pushim gjatë gjithë ndeshjes.

Trajneri i Skënderbeut kërkoi presion asfiksues te lojtari që do të vihej në kontrollin e topit. Asnjë nga mesfushorët nuk duhet të çedonte për këtë dhe i pari që e bën, Kosta Vangjeli, zëvendësohet nga Memelli për shkak të një problemi fizik, duke ia prishur disi planet trajnerit gjatë lojës.

VONESA – Mund të duket pak e çuditshme, por korçarët kishin menduar gjithçka në detaje ndaj të kuqve. Veç kohës që do të merrte çdo futbollist në rivëniet fundore, anësore dhe goditjet standarde, ajo që do të fitonte më tepër është rikthimi i topit në lojë.

Për këtë arsye, asnjë top shtesë nuk u ishte shpërndarë fëmijëve që ndodheshin pas portave, por vetëm dy topa qarkullonin në gjithë stadiumin. Kjo u kuptua nga të kuqtë, që disa herë protestuan. Zyrtarët e Partizanit iu hakërryen për këtë arbitrit të katërt, Andi Koçi, por sërish vetëm dy topa ishin në dispozicion dhe kjo rezultoi efikase dhe e mirëmenduar nga korçarët, që ia ulën ritmin Partizanit me çdo mënyrë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"