EKSKLUZIVE/ Starova: Është finale, do të jetë luftë për topin e parë. Ja “sekretet” e Kukësit dhe Tiranës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2020 | 16:01

EKSKLUZIVE/ Starova: Është finale, do të jetë luftë për topin e parë. Ja “sekretet” e Kukësit dhe Tiranës (E PLOTË)

Sulejman Starova ka punuar në të dyja klubet dhe ka qenë i suksesshëm si me Tiranën, ashtu edhe me Kukësin. Me bardheblutë fitoi titullin kampion në vitin 2005, fitoi Superkupën dhe regjistroi dy kualifikime në Ligën e Europës. Një herë në verën e vitit 2005 me Nova Goricën dhe një herë në vitin 2010 kundër Zalgiris. Ndërkohë, që te Kukësi ishte pjesë e projektit që në fillim dhe luajti një rol protagonisti në ndërtimin e një skuadre cilësore. 

sulejman-starova

Suksesin më të madh e pati në rolin e drejtorit teknik, teksa Kukësi me Cungun në stol mundi të shkonte deri në “play off” të Ligës së Europës, kur u eliminua nga Trabzonspori në vitin 2013. Sot i sheh në distancë dhe me gjakftohtësi. “Diferencat janë të vogla, por skuadra që gabon më pak dhe është më e balancuar në fushë, do të mund të fitojë”, thotë “Bobi” për “Panorama Sport”.

Keni punuar në të dyja klubet. Çfarë mbresash keni nga eksperiencat te Tirana dhe më pas te Kukësi?

Shikoni, unë kam punuar te Tirana kur Kukësi nuk ishte në elitë. Pra, nuk ishte fare në Superiore. Kam fituar titullin me Tiranën dhe mendoj se kam bërë mirë edhe në Europë. Kisha një skuadër të mirë dhe të investuar, për hir të së vërtetës, e cila i përmbushi edhe pritshmëritë. Kam kujtime të mira, pa dyshim. Tirana është një klub i traditës dhe kjo në raste të veçanta bën edhe diferencën.

Po Kukësi?

Kukësi u ngrit në nivele të larta tetë vite më parë. Unë isha pjesë e projektit dhe u angazhova maksimalisht që të ndërtohej një skuadër me baza. Koha e tregoi se është punuar mirë qysh në fillim. Atëherë Kukësi ishte një surprizë e bukur, sepse bëri gjëra të mëdha edhe në Europë, ndërsa sot është një klub elite. Kjo, falë biznesmenëve që u angazhuan në fillim dhe më pas investimeve kolosale të Gjicit në vitet në vazhdim.

Starova ne kembe

A është ndeshja e nesërme (sotme) një “finale” titulli?

Po, është si finale. Ndeshje të tilla peshojnë shumë, jo vetëm në bilancin përfundimtar, por edhe për vazhdimësinë e sezonit.

Në ç’kuptim peshojnë?

Ndeshje të tilla kur i fiton, ke edhe një bonus psikologjik. Kur i humbet, të shtojnë vështirësitë në ndeshjet pasardhëse. Prandaj e konsideroj si finale. Por jo vetëm për këtë motiv. Po flasim për vendin e parë me vendin e dytë dhe kanë 1 pikë diferencë… më e balancuar se kaq nuk mund të ishte.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje te këto skuadra? 

Që nuk kanë mundur të arratisen kur kanë qenë të parat në renditje. Tirana e nisi mirë, por më pas pësoi rënie dhe nuk mundi të krijonte distancë. Kur krijon distanca deri në dimër, atëherë ke më shumë shanse për titullin. E njëjta gjë edhe me Kukësin. Ka pësuar ndalesa të ndryshme, për shkak edhe të dëmtimeve të shumta në një periudhë.

Rezultati është që as ai nuk ka mundur të shkëputet. Partizani po e njëjta histori. Fillim i mirë, duke marrë parasysh edhe problemet që pati, por më pas pësoi 5 humbje në kampionat. E megjithatë, është rikthyer dhe mbetet pretendent. Prandaj është një garë kaq e balancuar apo e komplikuar, quajeni si të doni… Problemi i favoritëve është që nuk dinë të shkëputen.Starova

 Cilën shikoni më të kompletuar mes Kukësit dhe Tiranës? 

Po flasim për një skuadër shumë agresive dhe shumë të uritur si Kukësi dhe një ekip me shumë traditë si Tirana. Sa i përket Kukësit, unë mendoj se është një ekip me kontigjent të kompletuar dhe me role të dubluara, duke filluar që nga portieri. Mendoj se janë një skuadër e kompletuar dhe kanë 5 sulmues “klasi” për kampionatin shqiptar. Konkurrencë e madhe, sepse ata luajnë për katër vende në formacion.

Kukësi kishte një moral shumë të lartë pasi Tirana barazoi me Skënderbeun dhe ai rezultat u përjetua keq te bardheblutë. U vu në diskutime edhe aftësia e trajnerit nëse është i duhuri apo jo… Por edhe Kukësi pësoi një “goditje” apo një frenim, për shkak se u barazua nga Bylisi. Rezultati në kompleks është fare normal, sepse ke marrë një pikë në fushë të vështirë, por fakti që u barazua 20 sekonda para se të mbyllej ndeshja, natyrisht që e pati një efekt. Dua të them që në aspektin psikologjik janë pothuajse në të njëjtat kushte.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje? 

Pres një Tiranë më agresive. E mendoj kështu, sepse kjo skuadër është vërtet shumë kërkuese në fushë. Ka grintë, ka dëshirë të madhe për të dominuar dhe kjo e bën të rrezikshme për çdo kundërshtar. Nga ana tjetër, Kukësi është një ekip më i stabilizuar. Nuk ka pasur probleme të mëdha në mbrojtje. Duhet ta themi që Tirana ka sulm shumë të mirë, por këtë sezon ka qenë më e brishtë në mbrojtje se dy rivalët e tjerë për titull. Me ardhjen e Egbosë ky problem duket sikur mori njëfarë zgjidhjeje dhe më pas erdhën edhe rezultatet e mira.Starova

Por le të rikthehemi te Kukësi: Unë mendoj se në fazën sulmuese si skuadër, Kukësi është më mirë. Pra, sulm gradual, me shumë forca dhe me një ekip që spostohet gradualisht deri te zona kundërshtare. Aty më pas hyjnë në lojë sulmuesit e talentuar që ka dhe bëhet tej mase i rrezikshëm. Tirana, nga ana tjetër, e ka më të spikatur elementin e befasisë. Pra, nëse të merr topin në mesfushë, mund të të ndëshkojë menjëherë. Hera-herës Tirana ka pauza gjatë një ndeshjeje dhe i lëshon territor kundërshtarit duke rrezikuar, por kur zgjohet dhe vendos të sulmojë, atëherë di të shkojë shumë shpejt te zona. Diferencat, gjithsesi janë shumë të vogla.

Çfarë ka më mirë Kukësi? 

Zotërimin e topit, qarkullimin e tij në mënyrë graduale dhe soliditet në mbrojtje. Është më e vështirë t’i shënosh Kukësit.

Po Tirana, çfarë avantazhesh ka? 

Është mësuar me presionin e këtyre ndeshjeve. Në fragmente të caktuara është asfiksuese në presingun që bën lart dhe kjo e ndihmon të rrëmbejë topa në gjysmëfushën kundërshtare. Tirana gjithashtu lufton shumë fort për topin e parë. Është edhe shumë e rrezikshme deri në sekondat e fundit. Shikojeni, disa fitore të mëdha i ka marrë në fund. Nuk është rastësi.

Kush e vendos këtë ndeshje?

“Finalet” si kjo nuk parashikohen. Ekipi që do të ketë më shumë balanca në të tria repartet dhe që do të jetë më i përqendruar, mund ta fitojë ndeshjen. Ka shumë pak diferenca.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"