EKSKLUZIVE/ Sot vendimi për kampionatin. Zbulohet prapaskena, FSHF sondazh për të rinisur ditën e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 11:30

EKSKLUZIVE/ Sot vendimi për kampionatin. Zbulohet prapaskena, FSHF sondazh për të rinisur ditën e…

“Tymin e bardhë” e njoftoi presidenti i FSHF-së se për sportin kishte një premtim nga kryeministri që do t’i marrë në konsideratë kërkesat e Ligës. Po në të vërtetë, çfarë është përfituar? Në çfarë kushtesh është sporti pas atij takimi dhe premtimi? Cilat pika janë realizuar?

Liga Profesioniste

Kur mungon transparenca më minimale kundrejt familjes së futbollit dhe opinionit sportiv, “Panorama Sport” ka mësuar edhe prapaskenat se çfarë ka ndodhur në fshehtësi nga institucioni i futbollit në vend, si parapërgatitje për startin e sezonit të ri.

PRAPASKENAT

Ditën e premte, presidenti i FSHF-së njoftoi se kishte marrë një premtim nga kryeministri Rama se do të merreshin në konsideratë kërkesat e Ligës. Nga ana tjetër, në të njëjtën ditë, ministrja e Financave, Anila Denaj, nxitoi të përgënjeshtronte gjithçka duke thënë ndër të tjera se nuk ka akord dhe se dikasteri i Financave dhe Ekonomisë ishte kundër propozimit dhe kërkesës së Ligës. Liga, më tej, del dhe thotë publikisht se nuk ka asnjë njoftim nga qeveria.

Mirëpo, e thotë këtë kur në të vërtetë u është bërë një sondazh në të fshehtë dhe nën rrogoz klubeve, duke i pyetur nëse duan dhe janë gati për ta nisur sezonin këtë të mërkurë. Pra, mungon transparenca. Gazeta ka mësuar se klubet e elitës nuk kanë qenë dakord për nisjen në mesjavë dhe kanë dhënë opinionet e tyre që duan startin të ndodhë këtë fundjavë. Opinioni sportiv, tifozët apo vetë familja sportive meriton të dijë, nëse sot do të diskutohet nisja e futbollit, se çfarë ka fituar sporti nga bojkoti.

Sa nga kërkesat e klubeve janë plotësuar? Çfarë shifrash janë vendosur që të kalohen në sport nga buxheti apo nga cilado formulë sponsorizimi? Çfarë kërkesash nuk janë miratuar, nuk janë pranuar dhe janë të parealizueshme nga qeveria? Për gjithçka të tillë, jo vetëm që duhet të jetë e përgatitur me detaje dhe si shpjegim për të dhjeta ekipet e Superiores, por duhet të bëhet publike për të gjithë komunitetin futbollistik në vend se në ç’situatë do të jetë futbolli në vazhdim dhe çfarë ka përfituar apo nuk ka përfituar nga e gjithë kjo sakrificë e bërë deri më tani.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"