EKSKLUZIVE/ “S’më shqetëson shkëputja e Partizanit”, Nexhipi: Kukësi i vërtetë do të jetë kundër Tiranës, në janar mund të shesim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 18:27

EKSKLUZIVE/ “S’më shqetëson shkëputja e Partizanit”, Nexhipi: Kukësi i vërtetë do të jetë kundër Tiranës, në janar mund të shesim

Kukësi luan të shtunën një sfidë delikate ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”, ndërsa pas 13 javësh kampionat e shikon veten në vendin e dytë me katër pikë më pak se Partizani kryesues. Megjithatë, kjo diferencë nuk e shqetëson aspak drejtorin sportiv të Kukësit, Nderim Nexhipi. 

nderim nexhipiii

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti thekson se te Kukësi janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për të arritur objektivat. Ai ka shumë besim te kualiteti i skuadrës dhe trajneri Shpëtim Duro. Sipas Nexhipit, ndaj Tiranës do të shikohet Kukësi i vërtetë, ai që kanë pritur të gjithë këtë kampionat.

Gjithashtu, drejtori sportiv flet edhe për planin e Kukësit në merkato, duke konfirmuar se do të ketë pak lëvizje në janar, por nga ana tjetër pritet që një prej lojtarëve të shitet në një klub të huaj.

Nderim, të shtunën luani ndaj Tiranës. Është momenti të shfrytëzoni edhe problemet që ka pasur kundërshtari?

Neve nuk na intereson shumë kundërshtari, sepse jemi të fokusuar në punën tonë. Pas atij shoku nga tërmeti, si të gjithë shqiptarët po punojmë që ta kalojmë këtë situatë të rëndë në mënyrën më pozitive të mundshme. Shpresojmë që deri të shtunën të jemi plotësisht të gatshëm dhe skuadra të japë maksimumin. Nuk mund të komentoj gjendjen e kundërshtarit, pasi ne shohim vetëm punën tonë, por di të them se jemi përgatitur për të marrë tri pikët. Në këto vitet e fundit kemi luajtur mirë ndaj Tiranës dhe shpresoj ta vazhdojmë këtë ecuri, duke fituar në ndeshjen e së shtunës ashtu si në fazën e parë.

nderim nexhipi

A mund të themi se kjo ndeshje është prova e së vërtetës për Kukësin, që gjithashtu ka pasur oshilacione si Tirana?

Kjo është një ndeshje e radhës, paçka se ndaj Tiranës është një derbi, duke qenë se përballë kemi një rival për titullin. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e luftuar nga të dyja anët. Unë shpresoj që me ekipin që kemi, kualitetin që kemi, të marrim tri pikët. Lojtarët janë të përgatitur mirë dhe këtë herë jemi të plotë, pavarësisht nja dy problematikave të vogla. Megjithatë, e theksoj se me kualitetin dhe grupin që kemi, duhet të marrim tri pikët në këtë takim.

Partizani është shkëputur me 4 pikë. Mos ndoshta për ju kjo e bën edhe më të domosdoshme fitoren të shtunën? 

Kampionati është shumë i gjatë, sepse sapo ka nisur faza e dytë. Normalisht Partizani është katër pikë para i shkëputur, por nuk më shqetëson ky fakt, duke menduar që ka shumë ndeshje dhe pikë deri në fund. Duhet të bëjmë maksimumin çdo javë që të marrim pikët maksimale, pasi janë ato që nevojiten në fund.

Duhet të qëndrojmë sa më afër vendit të parë. Partizani ka bërë mirë deri tani, janë katër pikë para nesh, por theksoj që ka shumë ndeshje të vështira, si për ata, si për ne dhe konkurrentët e tjerë për titull. Rëndësi ka që të fokusohemi te ndeshjet tona dhe duke parë kualitetin që kemi, shpresoj që tani të shohim atë Kukësin që të gjithë e presim.

Presidenti Gjici ka kërkuar katër fitore radhazi. Mendoni se ky objektiv mund të arrihet me kalendarin që keni?

E respektoj shumë presidentin dhe dëshirën e tij për të marrë maksimumin. Kukësi ka shumë potencial dhe mundësi të bëjë shumë dhe të arrijë gjëra të mëdha. Jam i bindur dhe kam besim te forca e grupit të Kukësit. Të luajmë mirë, siç lojtarët dinë dhe rezultatet do të vijnë. Pra, do të jenë ato që ne duam.

Po afron merkatoja e janarit. Ka pasur ndonjë ofertë zyrtare nga klube të huaja për lojtarë të Kukësit?

Klubi po punon në këtë drejtim. Ka disa lojtarë që ekipe të huaja po i ndjekin. Do të shohim si do të na shkojnë punët. Mund të ketë ndonjë ndërhyrje në janar dhe mund të ndodhë që ndonjë lojtar të largohet. Do të ketë pak ndryshime.

Shumicës së lojtarëve u skadon kontrata në verën e vitit 2020. Keni nisur bisedimet për rinovim me ndonjë prej tyre? 

Jemi të vetëdijshëm për çdo gjë si klub, pa dyshim edhe për kontratat. Gjatë janarit do të ulemi me shumë lojtarë për të riparë kontratat, duke nisur me ata që u skadon. Por, çdo gjë do të bëhet në kohën e vet. Nuk na shqetëson fare ky fakt.

Jeni i kënaqur me punën e deritanishme të stafit teknik dhe lojtarëve?

Deri tani, si stafi ashtu dhe lojtarët kanë bërë maksimumin. Jam i kënaqur, por akoma kemi shumë për të bërë. Objektivat e klubit dihen, por shpresojmë që deri në fund të kampionatit të fitojmë titullin. Kualitet kemi, trajneri Duro është një person me mjaft eksperiencë, ka fituar tituj.

Normal që do të ishte një gjë shumë e mirë, por duhet të përmirësohemi e pastaj në fund të sezonit të arrijmë atë që duam. Në futboll çdo ditë mëson, dalin gjëra të reja, ndaj ne jemi vigjilentë dhe kërkojmë gjithmonë më të mirën, nga vetja së pari, pastaj nga ekipi. Ata që e njohin futbollin, mund të flasin për punën time

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"