EKSKLUZIVE/ “S’luaj ndaj Tiranës, nuk jam ende gati”, Memolla: Ju tregoj pse zgjodha Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2023 | 9:19

EKSKLUZIVE/ “S’luaj ndaj Tiranës, nuk jam ende gati”, Memolla: Ju tregoj pse zgjodha Egnatian

Është vërtet luks që një lojtar me një kar rierë të madhe si Hysen Memolla të vijë të luajë në Kategorinë Superiore dhe për më tepër në një skuadër si Egnatia, që është vetëm në vitin e saj të dytë në elitë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Memolla tregon se transferimi tek Egnatia ishte edhe një zgjedhje zemre mes të tjerash për shkak të origjinës së tij nga Rrogozhina. Ai flet edhe për çështje të tjera, teksa shton se tifozët duhet të presin ende për debutimin e tij, sepse nuk ka ardhur në gjendjen e duhur fizike.

memolla

U prezantuat dy ditë më parë tek Egnatia. A mund të na thoni përse e zgjodhët këtë skuadër?

Zgjodha Egnatian se ka një ekip interesant. Kisha sigurisht nevojë edhe për një eksperiencë shqiptare. Jam me origjinë nga Rrogozhina dhe nuk kam përse ta fsheh se një arsye e kësaj zgjedhjeje është edhe vendlindja. Kemi synime të rëndësishme besoj për të realizuar së bashku me ekipin. Duhet të jemi një grup i fortë në mbështetje të njëri-tjetrit.

A kishit oferta nga ndonjë ekip tjetër në Kategorinë Superiore?

Jo, nuk kam pasur oferta të tjera, sepse e vërteta është se e mbylla këtë marrëveshje për 2-3 ditë me drejtuesit e Egnatias. Koha do të tregojë se kjo ofertë për mua është një vlerësim. E them hapur se Egnatia për mua është skuadër zemre.

Si ish-lojtar i Kombëtares, sa do t’ju ndihmojë ky kalim tek Egnatia?

Mendoj se tashmë trajneri brazilian i Kombëtares sonë do t’i kthejë sytë nga Superiorja jonë. Do ta vendosë ai sigurisht se çfarë lojtarësh i përshtaten më mirë moduleve të tij. Për mua ka rëndësi të kem formën e duhur. Dhe mund të them se do të bëj vërtet shumë mirë edhe tek Egnatia që ta ndihmoj ekipin të arrijë objektivat. Ndeshjet e mia me Kombëtaren dihen. Unë besoj se jam nga ata lojtarë që dinë të përshtaten në çdo rrethanë.

Nuk luajtët në Kupë, ku turi u kalua mes drithërimash. Një opinion për takimin e parë që ju e ndoqët në pankinë?

Në respekt të prezantimit qëndrova në pankinë. E rëndësishme është që u kualifikuam. Nuk e di se çfarë ka ndodhur te ndeshja e parë me përjashtim te rezultatit 1-0 për Egnatian. Pashë një kundërshtar të motivuar si Skënderbeu, që edhe pse luan tani një kategori më poshtë, ka një emër të madh dhe këtë e dinë të gjithë.

Kur do të debutoni me fanellën e Egnatias? Do të duhet të presim shumë?

Për debutimin besoj se do më duhen 2-3 javë dhe nuk e besoj se do të luaj ndaj Tiranës. Them kështu, sepse kam disa kohë pa luajtur dhe për t’u ambientuar me një skuadër të re nuk është një gjë e lehtë. Unë dua që kur të luaj të jap maksimumin tim. Besoj se do të jem i gatshëm brenda 10 ditëve ose dy javëve. Kështu që nuk e pres të debutoj të hënën për kampionat ndaj Tiranës.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"