EKSKLUZIVE/ Skënderbeu “sforco” financiare për Rexhinaldon, synohet edhe vëllai i Gavazajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2018 | 19:10

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu “sforco” financiare për Rexhinaldon, synohet edhe vëllai i Gavazajt

Skënderbeu kërkon që t’i shtojë cilësinë skuadrës dhe sulmi mbetet reparti që ka më shumë nevojë për afrime. Me largimin e treshes GavazajSoue-Xhejms, ky repart ka mbetur në mëshirë të fatit.

Rexhinaldo

Me të tre lojtarët e larguar, ofensiva duhet të bëhet nga e para. Me nigerianin Oto Xhon të rikthyer nga huazimi, asgjë nuk është e sigurt për të tentuar mbrojtjen e titullit kampion, prandaj bardhekuqtë duket se janë hedhur në “sulm”. Sytë e korçarëve janë drejtuar nga ishsulmuesi i Laçit, Arturo Faife Rexhinaldo. Presidenti është gati të bëjë një “sforco” ekonomike për ta pasur në ekip.

Rexhinaldo për momentin është pa ekip dhe kjo duket se ka shtyrë korçarët që të tentojnë ta veshin bardhekuq. Në një situatë të tillë sulmuesi nga Mozambiku do të ishte me të vërtetë një afrim i rëndësishëm për Skënderbeun, duke parë edhe produktivitetin që ka pasur sezonin e kaluar. Lojtari duket se pëlqehet edhe nga trajneri Orges Shehi që kërkon të ketë një sulm të denjë për të mbrojtur titullin kampion, ndërsa burime pranë klubit bëjnë me dije se do të fillojnë shumë shpejt kontaktet e para. Megjithatë, duhet të nxitojnë, pasi edhe Flamurtari e synon.

GAVAZAJ – Një Gavazaj ikën dhe një tjetër mund të vijë. Në kërkim të talenteve të reja, siç është edhe politika e re e klubit, Skënderbeu është gati t’i bëjë një ofertë zyrtare edhe Zenel Gavazajt, vëllait të vogël të Enis Gavazajt, i cili tashmë është pjesë e Jeniseit në kampionatin rus. Lojtari shihet si një futbollist me perspektivë dhe falë moshës së re mund të jetë një afrim me vlerë për korçarët.

vellezerit gavazaj

Për momentin, Zenel Gavazaj luan te Liria e Prizrenit në Kosovë, por mund të vishet shumë shpejt bardhekuq. Vetëm 18 vjeç, Gavazaj duket se ka dhënë sinjalet e para që mund të jetë i denjë për t’iu bashkuar ekipit të Shehit. Skënderbeut i pëlqen, ndërsa për ta bindur mesfushorin e krahut mund të mos jetë e vështirë. Korçarët si kampionë në fuqi janë një ekip që nuk mund t’u thuhet jo, ndërsa nga ana tjetër edhe Enis mund të hyjë në negociata për të bindur vëllain e vogël që t’i bashkohet Skënderbeut, skuadër që i dha mundësi të promovohej. Merkatoja mbetet e hapur dhe shumë shpejt në Korçë do të ketë lëvizje të tjera.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"