EKSKLUZIVE/ “Skënderbeu ra prej Takajt”, Paulin Dhëmbi: Vllaznia dhe Dinamo nuk kanë menaxhim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2022 | 20:40

EKSKLUZIVE/ “Skënderbeu ra prej Takajt”, Paulin Dhëmbi: Vllaznia dhe Dinamo nuk kanë menaxhim

Paulin Dhëmbi nuk ka qenë ndonjëherë orator i mirë, por gjërat i ka thënë gjithnjë troç. Lojtar i rëndësishëm dikur për Dinamon, Partizanin dhe Besën, ai sot i sheh gjërat nga jashtë, sepse jeton në Amerikë. “Vij shpesh në Shqipëri. Nuk më rrihet edhe aq shumë këtu (në Miçigan). Plus që bën edhe shumë ftohtë dreqin…”, thotë Dhëmbi ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Paulin Dhembi

Ai ka luajtur edhe me Skënderbeun e Vllazninë, por kujtimet më të bukura i ka pa dyshim me klubet e kryeqytetit. “Më djeg ende humbja e titullit në 2008-ën kundër Dinamos. E pabesueshme se si e humbëm kur ata (blutë) ngelën me dy lojtarë më pak për 30 minuta. E pabesueshme”, tregon ish-mesfushori korçar.

Çfarë bën sot Paulin Dhëmbi?

Jetoj në Miçigan. Është në kufi me Kanadanë. Pak ftohtë, por ia dalim… (qesh). Punoj dhe jetoj si gjithë të tjerët.

Kur keni qenë për herë të fundit në Shqipëri?

Isha në janar. Nuk rri dot pa ardhur aty. Nuk më pëlqen edhe të rri këtu gjatë xhanëm. Vij shpesh në Shqipëri, ndodh që e vizitoj Tiranën edhe dy herë në vit.

A e keni ndjekur kampionatin shqiptar?

Po, normalisht që po. Me atë jetojmë edhe ne këtej… Nuk na ndahet zemra.

Edhe si ju duket?

Tirana e meritoi titullin, por nuk kishte diferenca kaq të mëdha me ndjekësit. Për mendimin tim, Partizani dhe Vllaznia e hodhën sezonin vetë në erë.

Pse?

Sepse është çështje menaxhimi. Vllaznia bëri një sezon të mirë vjet dhe menduan se do të bënin “detyrimisht” një sezon po kaq të mirë edhe sivjet. Në fakt, nuk është kështu. Duhet shumë punë, duhet disiplinë, duhet fryma e duhur dhe lojtarët e duhur. Mirëpo, në Shqipëri e bëjnë shpesh gabimin që marrin dy-tre lojtarë me emër dhe mendojnë se i zgjidhën të gjitha. Nuk është kështu.

Soccer Uefa Cup Dinamo Tirana Vs Lokeren - Aug 2003

Po Partizani?

I njëjti gabim. Lojtarët e afruar nuk dhanë çfarë pritej. Nuk e kuptova edhe situatën me Ilir Dajën, sepse u komplikua që në fillim. Problem menaxhimi edhe te Partizani. Pa dyshim që po.

E dini që Skënderbeu me Dinamon, dy ish-skuadrat tuaja, janë duke rënë nga kategoria?

Po, edhe çfarë pastaj? Pse, FSHF-ja ua ka fajin atyre…?

Nuk e tha askush këtë, thjesht jua përmendëm se janë skuadra që keni luajtur dikur…

Po mirë, dakord… Mua më vjen keq për to, pa dyshim. Janë dy skuadra të rëndësishme, por kur i bën gjërat keq, ose nuk ke projektin e duhur, ose nuk ke as financa, atëherë sigurisht që do të biesh nga kategoria.

Dinamo i kishte financat?

Po, i kishte, por u treguan amatorë në menaxhim. Presidenti i tyre, për të cilin kam dëgjuar se është njeri korrekt, nuk ka eksperiencë. Përgjegjësia është e tij e para dhe më pas të tjerët. Shkëmbi, skuadra dhe trajnerët që erdhën më pas. Asnjë nuk u shpëton përgjegjësive.

Po Skënderbeu?

Është e thjeshtë: Takaj nuk ka më lekë. Nuk investoi dhe ja ku po bien nga kategoria. Keqardhje e madhe, sepse Skënderbeu bëri gjëra të mëdha në dekadën e fundit, por kur mungojnë paratë, nuk mund të ndodhin mrekulli në futboll.

Si ju duket Superiorja me 10 skuadra?

Jo edhe aq mirë. Futbolli luhet për tifozët dhe kur sheh që jashtë elitës janë klube të rëndësishme me shumë traditë dhe me shumë tifozë, atëherë duket që diçka nuk shkon. Nga ana tjetër, kjo skemë ka minimizuar dallaveret që bënin dikur klube që në momente të caktuara nuk luftonin më për asgjë.

Por duhet të gjendet një rrugë e mesme. Nuk ka lezet që t’i mungojnë Superiores klube kaq të rëndësishme. E di që është ekonomi tregu dhe mbijetojnë ata që kanë menaxhimin më të mirë, por ka edhe disa politika që i shërbejnë futbollit kombëtar në tërësi. Kështu e mendoj unë.

Cili ka qenë trajneri që ju ka marrë më të mirën në karrierën tuaj?

Faruk Sejdini. Më mori kur isha ende student dhe vuri re që kisha cilësi. Natyrisht, edhe unë e ndoqa me përpikmëri, sepse ndryshe “Xhaxhi” të vinte kryq. Por, me të u rrita shumë dhe mësova shumë. Pastaj kam pasur raport të mirë edhe me të tjerët, duke filluar nga Agim Canaj, Neptun Bajko, Hasan Lika dhe Shpëtim Duro. Me cilin trajner keni pasur probleme? Me kroatin Luka Bonaçiç kur drejtonte Dinamon. Shumë i sertë dhe nuk më pëlqeu asnjëherë.

Ju keni punuar me disa presidentë: Besnik Sulajn, Mihal Delijorgjin, Albert Xhanin, Nexhat Bizhdilin dhe Valter Fushajn. Për cilin prej tyre keni më tepër vlerësim sot?

Të gjithë më kanë para borxh… (qesh).

Dhembi-850x450

Vërtet?

Po, vërtet. Vinte fundi i sezonit dhe ata bënin sikur harronin që të m’i jepnin të gjitha, ndërsa mua më vinte zor t’ua kërkoja.

Ç’mendim keni për Xhanin?

Njeri bujar. Shumë babaxhan. Është sjellë gjithnjë mirë me ne.

Po Besnik Sulaj?

I zoti. Dinte të luante mirë “nën rrogoz”… Por njeri që punonte me shumë pasion.

Ç’mendim keni për Nexhat Bizhdilin?

Shumë pozitiv, por Xhati ishte njeri me shumë luhatje. Një vit ishim për titullin kampion me Besën, pastaj ramë nga kategoria.

Po për Valter Fushajn çfarë mendoni?

Asnjë koment. Nuk dua ta komentoj.

Po për Mihal Delijorgjin?

Llogariste çdo gjë. Kursente. Lëre fare, nuk dua ta komentoj as atë.

Çfarë note do t’i vinit karrierës suaj?

Notën 7.

Pse 7?

Sepse gjatë kohës që isha futbollist edhe e kam shijuar jetën. Dua të them që nuk kam qenë edhe aq rigoroz, pra nuk isha i fiksuar vetëm me sportin. Ndryshe, mund të kisha arritur në nivele të larta, sepse mendoj se kam pasur potencial. Po pse nuk më pyesni se çfarë note do t’i vija vetes për jetën që kam bërë në ato vite?

Çfarë note do t’i vinit?

Notën 9… (qesh). E kam shijuar shumë.

Cili është pengu i karrierës?

Titulli i humbur me Partizanin në ndeshjen ndaj Dinamos në vitin 2008.

Si e humbët atë titull?

Hë pra, si e humbëm…?! E mendoj shpesh dhe nuk gjej dot përgjigjen. Çfarë sikleti… Dinamo ngeli edhe me 9 lojtarë për 30 minuta nga fundi dhe ne sërish krijuam shumë pak raste.

Pse ndodhi ashtu?

Sepse ishim shumë të ngarkuar ndoshta. Nuk e di, nuk e di. E mbaj mend rastin tim te gjuajtja me kokë, mbaj mend edhe rastin e Abilaliajt. Oh, më vjen shumë keq për atë ndeshje.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"