EKSKLUZIVE/ Skënderbeu në kërkim të zëvendësuesit të Pusit, Takaj bën “pazar” te kampionët e Ballkanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 8:54

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu në kërkim të zëvendësuesit të Pusit, Takaj bën “pazar” te kampionët e Ballkanit

Skënderbeu po kërkon goditjen e fundit në merkato, për të kompletuar plotësisht skuadrën për pjesën e dytë të sezonit. Afrimet e Hektor Idrizajt, Randi Dumfur dhe Agnaldo Moraesh dukshëm u kanë dhënë një tjetër “marsh” bardhekuqve.

jkndmdnd

Ivan Gvozdenoviç është më i qetë, pasi ka më shumë alternativa për lojë dhe për zëvendësime. E megjithatë, largimi i Belajdi Pusit duket se ka krijuar një “gropë” në majën e sulmit. Momentalisht kanë gati vetëm Sumaila Abubakar dhe Abdul Temitope, ndonëse në këtë listë mund të fusim të saporikuperuarin Ardit Nikaj dhe të riun Kostika Beçka. Por sërish nuk mjaftojnë. Kur dihet që trajneri dëshiron që të ndërtojë një ekip ultraofensiv, lind domosdoshmëria për të pasur edhe një tjetër “bomber”. Vetëm atëherë ky repart do të kompletohet. Kjo ka bërë që klubi të vihet në lëvizje, për të përzgjedhur të duhurin.

“SYTË” TE BALLKANI Gazeta “Panorama Sport” mëson nga burime në klub, se Ardjan Takaj e ka hedhur vështrimin te Ballkani. Presidenti po tenton të marrë borxh sulmuesin Albin Berisha. 22-vjeçari që ka një të shkuar te të rinjtë e Kukësit dhe po ashtu te Laçi shihet si kandidat potencial për sulmin. Ai sapo është rikthyer te skuadra e Ilir Dajës, pas një aventure huazimi te Malisheva. Marrëdhëniet e mira mes dy klubeve mund të bëjnë që gjithçka të zgjidhet në të mirë të Skënderbeut, teksa ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar mes palëve. Albin Berisha në këtë sezon ka koleksionuar 10 paraqitje, duke mundur të shënojë dy gola. Pikërisht hapësirat e pakta në ekipin e Ballkanit, mund t’i detyrojnë këta të fundit të pranojnë një sistemim të përkohshëm te korçarët. Mbetet të shihet se si do të vijojë ky “operacion”. Sidoqoftë, emri i lojtarit nga Gjinoci nuk është i vetmi në listën e presidentit të Skënderbeut.

ALTERNATIVAT NGA ELITA Që korçarët do të marrin një sulmues deri më 31 janar, kjo është më shumë se e sigurt. Janë të shumta alternativat që fliten në ambientet e klubit, të cilat drejtuesit po i ndjekin me shumë vëmendje. Një opsion tjetër vjen nga Kategoria Superiore, por për momentin emri mbahet sekret. Edhe në këtë rast bëhet fjalë për huazim. Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe gjejnë një lojtar goli, merkatoja mund të quhet e mbyllur për Skënderbeun.

NDMD

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"