EKSKLUZIVE/ Skënderbeu në dëborë, kapiteni Meksi optimist: I mundim “demat”, humbja në sfidën e parë… rastësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2021 | 21:13

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu në dëborë, kapiteni Meksi optimist: I mundim “demat”, humbja në sfidën e parë… rastësi

Skënderbeu vijon për gatitjet për ndeshjen e së shtunës kundër Partizanit, me qëllimin për të vijuar me rezultatet pozitive. Pavarësisht reshjeve dhe terrenit të mbuluar nga bora, korçarët kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore.

Meksi5

Skënderbeu do të luajë kundër Partizanit ditën e shtunë, në një sfidë ku do të tentojnë të marrin fitoren, jo vetëm për faktin se luajnë në shtëpi, por edhe për të marrë “hak” për atë humbje 4-0 në sfidën e parë, të luajtur mes dy skuadrave në “Elbasan Arena”.

Të besuarit e Julian Ahmatajt kanë vijuar stërvitjen për të qenë në formë optimale kundër Partizanit edhe nën reshjet e borës. Ndonëse terreni i kompleksit stërvitor ka qenë i mbuluar nga dëbora, “ujqërit” janë stërvitur normalisht, duke treguar se nuk i pengojnë aspak kushtet e rënduara atmosferike.

Ky faktor pritet të jetë edhe një plus për ta në sfidën kundër Partizanit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni i ekipit, Jorgo Meksi, thekson se skuadra ka nevojë për afrime të tjera cilësore, me qëllim kompletimin e grupit. Meksi tha se afrimet e para kanë shtuar konkurrencën në këtë ekip. Nga ana tjetër, kapiteni i bardhekuqve u shpreh besimplotë se Skënderbeu i ka mundësitë të dalë me tri pikë nga ndeshja kundër Partizanit, për të vijuar kështu serinë e rezultateve pozitive.

Meksi, pas katër afrimeve të para, si ju duket ekipi?

Besoj se afrimet e bëra na kanë ndihmuar shumë. Një gjë të tillë e kemi ndier që në seancat stërvitore, pasi kanë arritur të shtojnë konkurrencën brenda ekipit për një fanellë titullari. Jam i bindur që edhe në ndeshje do të na ndihmojnë shumë, sidomos në repartin e mbrojtjes. Kjo, sepse kemi pasur disa defekte, por shpresoj që me vijimin e merkatos, të kemi edhe afrime të tjera.

Sa të rëndësishme janë afrimet në këtë grup relativisht të ri që ka Skënderbeu?

Besoj se janë shumë të nevojshme, sidomos nëse bashkohen me ekipin lojtarë të cilët kanë eksperiencë në kampionatin tonë. Do t’u jepnin një dorë të mirë atyre që kemi në ekip dhe nuk kanë luajtur shumë në këto nivele. Kemi nevojë të marrim eksperiencën e duhur për të ngritur ekipin në atë nivel që duhet të jetë Skënderbeu.

Nga mënyra se si erdhi, ju mërzit barazimi me Kastriotin?

Po, na mërzit shumë, pasi në momentin final jemi ndëshkuar dhe na kanë ikur nga duart dy pikë. Por, nuk duhet të ulim kokën, do të duhet të vazhdojmë ashtu, me të njëjtin karakter siç treguam atje, që kthyem rezultatin. Të njëjtën gjë duhet të japim edhe ndaj Partizanit, për të pasur një rezultat pozitiv.

Në dy ndeshje keni katër pikë.Po rikthehet Skënderbeu?

Normalisht që duhet të kishim pikë të plota në këto dy takime, por gjendja e ekipit është e mirë. Duhet të vijojmë kështu. Unë e thashë, me këtë ritëm dhe këtë grintë, mund të bëjmë mirë. Nëse kemi grintë, jemi gati për të përballuar çdo kundërshtar.

Sa e vështirë do të jetë ndaj Partizanit?

Do të jetë ndeshje delikate, pasi luajmë ndaj një ekipi shumë të mirë që ka grup të fortë dhe një trajner të zotin, si Ilir Daja, që e njeh mirë ambientin tonë,por do të mundohemi ta befasojmë dhe të tregojmë forcën tonë reale. Do të dimë të reagojmë ashtu si duhet. Nuk kemi frikë nga asnjë kundërshtar, pasi i kemi parë të gjithë. Ndeshjet i kemi humbur për gabimet tona, duke ua falur rezultatin kundërshtarëve, por tani do të jetë tjetër histori.

Skenderbeu stervitet ne debore

Ndaj Partizanit u mundët me goleadë. Si do të ndikojë kjo?

Do të jetë një plus për ne, do të dimë ta kthejmë në forcë atë rezultat të fazës së parë në “Elbasan Arena”. Do të japim akoma më shumë për të treguar se rezultati në atë takim ishte thjesht një rastësi dhe jo diferenca reale mes dy ekipeve.

Korça e mbuluar me borë, si e keni pritur?

Pak a shumë, ne që kemi kohë këtu në Korçë, jemi ambientuar me terrenin dhe shpresojmë që për lojtarët kundërshtarë të mos jetë mirë. Të rinjtë kanë ndier emocione dhe ndjenjë gëzimi. Tani na mbetet ta përkthejmë në dëshirë fitoreje.

 

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"