EKSKLUZIVE/ Skënderbeu me sytë nga ylli i ekipit, klubi i njohur danez ofron shumën e majme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2022 | 14:31

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu me sytë nga ylli i ekipit, klubi i njohur danez ofron shumën e majme

Skënderbeu mbetet “peng” i zhvillimeve që do të marrë çështja e një transferimi të mundshëm të Uerdi Marës në kampionatin danez. Klubet Odense dhe Arhaus, të cilat kishin shfaqur interes konkret për shërbimet e maliqarit, janë ende të interesuara për të bërë të tyrin lojtarin e Skënderbeut brenda merkatos së janarit.

uerdi mara

Burime të “Panorama Sport” pranë klubit korçar tregojnë se vazhdojnë negociatat mes palëve dhe në ditët e fundit ka ardhur edhe oferta e parë zyrtare për fantazistin.

Klubi i Odenses ka ofruar 100 mijë euro për të marrë shërbimet e Marës, ndërsa i lë Skënderbeut 20% të pronësisë së kartonit. Një ofertë e parë kjo shumë e ulët, që ka detyruar drejtuesit bardhekuq të refuzojnë.

Klubi ka vendosur edhe një çmim minimal të uljes për bisedime. Të njëjtat burime treguan se presidenti Ardjan Takaj është i vendosur të mos ulet për të biseduar shitjen e Marës, pa një shumë minimale prej 300 mijë eurosh.

Të paktën është kjo ajo që kërkon klubi korçar për të lënë të lirë fantazistin. Për momentin një shumë e tillë është disi e vështirë të arrihet nga dy klubet daneze. Nga ana tjetër, po shqyrtohet edhe një tjetër mundësi.

Kjo ka të bëjë me huazimin gjashtëmujor të Marës në Danimarkë dhe më pas një klauzolë me detyrim blerjeje nëse përmbushen kushtet.

Një zgjidhje alternative që deri diku mban të kënaqura të dyja palët, por që mbetet të diskutohet se sa do të jetë shuma e huazimit nëse arrihet një marrëveshje. Gjithsesi, për momentin transferimi është pezull.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"