EKSKLUZIVE/ Skënderbeu me synime të qarta, presidenti Takaj nis bisedimet me tre titullarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2022 | 14:51

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu me synime të qarta, presidenti Takaj nis bisedimet me tre titullarë

Skënderbeu barazoi në javën e fundit të sezonit përballë Teutës me rezultatin 0- 0, ndeshje që ka qenë thjesht një formalitet për Skënderbeun e larguar tashmë nga Kategoria Superiore.

SKENDERBEU

Pas këtij takimi, më tepër sesa të ndalesh te ndeshja e fundit e sezonit primarë janë faktorët që çuan Skënderbeun drejt rënies nga elita, por edhe plani që ka klubi për të ardhmen.

Pavarësisht se është ende shpejt, pasi sezoni sapo është mbyllur, presidenti ka një plan për rikthimin sa më shpejt të jetë e mundur të ekipit bardhekuq në elitë. Skënderbeu me shumë mundësi do të jetë ekipi kryesor që do të kërkojë rikthimin menjëherë në elitë.

Në të tilla kushte, planet e veprimit kanë filluar menjëherë në Korçë.

Pas ndeshjes me Teutën në dhomat e zhveshjes presidenti Takaj i ka falënderuar të gjithë lojtarët për kontributin e dhënë dhe i ka siguruar ata se Skënderbeu do të jetë sërish kompetitiv.

Presidenti ka bërë të ditur se të gjithë lojtarët që janë nën kontratë nuk do të largohen nga Korça, pasi objektivat janë madhorë. Nga grupi i futbollistëve të sezonit të mbyllur vetëm 10 prej tyre kanë një kontratë aktive edhe edicionin e ri.

Në kushte të tilla, presidenti Ardjan Takaj do të jetë i detyruar të sjellë edhe elementë të tjerë krahas grupit të lojtarëve të rinj, që janë aktivizuar në ndeshjet e fundit të këtij sezoni.

BISEDIMET – Gjatë ditës së djeshme, presidenti Ardjan Takaj është takuar me tre lojtarë që janë në fund të kontratës me Skënderbeun.

Fjala është për portierin Shkëlzen Ruçi, mbrojtësin Dajan Shehi, si dhe kapitenin Vangjel Zguro. Takaj, nga sa raportojnë burime të sigurta pranë klubit, u ka kërkuar lojtarëve që të mendojnë qëndrimin në Korçë edhe pse ekipi do të luajë në Kategorinë e Parë, kjo për shkak se do të jetë diçka kalimtare dhe klubi ka një projekt ambicioz për të ardhmen.

Burimet tregojnë se si Shehi, por edhe Zguro kanë qenë të lëkundur për shkak të ofertave nga klube të tjera që kërkojnë shërbimet e tyre.

Por nga sa mësohet, Takaj është i gatshëm që të bëjë një sforco ekonomike duke u plotësuar të gjitha kërkesat financiare lojtarëve vetëm me qëllim qëndrimin te Skënderbeu.

Pritet tashmë që palët të takohen sërish për të vendosur të ardhmen.

Nëse drejtuesit arrijnë të bindin tre lojtarët e mësipërm për qëndrimin në Korçë, pa dyshim kjo është një arsye më shumë për të besuar se Skënderbeu mund të kthehet shpejt në elitë, me shpresën për të nisur një tjetër cikël të lavdishëm.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"