EKSKLUZIVE/ Skënderbeu i zhgënjyer, ndërpret bashkëpunimin me mesfushorin 25-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2021 | 19:38

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu i zhgënjyer, ndërpret bashkëpunimin me mesfushorin 25-vjeçar

Murilo Augusto Lino Rosa largohet nga Skënderbeu ende pa debutuar zyrtarisht me fanellën bardhekuqe. Mesfushori braziliani i ardhur me bujë në kampin korçar, duket se nuk ka bindur trajnerin, Migen Memelli, pas disa ndeshjesh miqësore dhe seancash stërvitore.

MURILO ROSA

Ndaj, nisur nga paraqitja, korçarët vendosën që të ndërpresin bashkëpunimin me Rosën. 25-vjeçari kishte firmosur më herët me Skënderbeun për dy sezone, por duket se pritshmëritë për lojtarin kanë qenë të mëdha.

Në kushtet kur Memelli e ka cilësuar si të papërshtatshëm për lojën e tij, drejtuesit kanë parë të udhës për të ndërprerë bashkëpunimin në mënyrë konsensuale dhe gjithçka mes palëve është zgjidhur. Murilo Rosa bëhet kështu precedenti i dytë te korçarët që afrohet dhe largohet brenda së njëjtës hapësirë merkatoje, gjë që ndodhi para shumë vitesh me Elton Gramin që u kontestua nga tifozët.

Largimi i mesfushorit shkatërrues është konfirmuar zyrtarisht për “Panorama Sport” edhe nga presidenti, Ardjan Takaj, i cili ka pranuar mbylljen e bashkëpunimit me mesfushorin e ardhur me bujë në kampin bardhekuq.

Nga ana tjetër, burime të sigurta pranë presidentit bëjnë me dije se pas kërkesës së Memellit, duket se korçarët do ta mbajnë të hapur merkaton deri në fund, në mënyrë që të afrojnë ndonjë element cilësor.

Burimet thanë për gazetën se korçarët janë në bisedime me një tjetër mesfushor, edhe ky pritet të vijë nga Brazili, por për momentin emri nuk bëhet i ditur. Ky mendohet të jetë dhe afrimi i fundit i Skënderbeut në këtë fazë merkatoje për të mbyllur kështu zyrtarisht dritaren e transferimeve.

GANEZËT – Nga ana tjetër korçarët duket se janë në pritje të dy ganezëve që do të bashkohen me ekipin në ditët në vijim. Alfred Mensah edhe Randi Dumfur janë dy pika të forta që Skënderbeu i pret me padurim të jenë pjesë e skuadrës.

Burimet e gazetës thanë se të dy lojtarët pritet që të vijnë më datën 24 gusht në Korçë për të vijuar normalisht përgatitjet me grupin. Me rikthimin e tyre skuadra do të jetë më e plotë dhe ky pritet të jetë grupi në dispozicion të trajnerit Memellit për sezonin e ardhshëm, të paktën deri në merkaton e janarit atje ku më pas mund të bëhet ndonjë ndryshim.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"