EKSKLUZIVE/ Skënderbeu humb pjesët, mesfushori i korçarëve drejt Greqisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2022 | 9:23

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu humb pjesët, mesfushori i korçarëve drejt Greqisë

Skënderbeu ende nuk e ka mbyllur punën me largimet. Pas 10 të ikurve të parë, do të ketë të tjera divorce në ditët në vijim.

kOSTA VANGJELI

Në ujërat e largimit duket se është edhe mesfushori korçar, Kosta Vangjeli, i cili ka përfunduar kontratën me Skënderbeun dhe pritet të dalë si lojtar i lirë, pasi nuk ka vendosur të zgjedhë opsionin e një viti tjetër shtesë në kontratë.

Korçari është duke u joshur nga disa mundësi në Greqi për të vijuar karrierën e tij, ku e kërkojnë ekipe nga liga e parë. Zëra të tillë qarkullojnë prej javësh rreth lojtarit, madje pritet që brenda këtij muaji të zgjidhet gjithçka.

Të njëjtat burime bënë me dije se janë dy klube, që kanë shfaqur interes dhe u janë dërguar të gjithë treguesit fizikë dhe video nga ndeshjet e të riut.

Ky ishte sezoni i tretë i Vangjelit te Skënderbeu dhe në total ka luajtur në plot 61 takime. Veçanërisht në dy sezonet e fundit 21-vjeçari i lindur në Selanik ka qenë pikë e fortë e ekipit.

Largimi i Vangjelit do të ishte një tjetër goditje për Skënderbeun, që po sheh t’i largohen njëri pas tjetrit lojtarë kyç të formacionit.

Rexhepi në portë ka mbyllur huazimin nga Shkëndija e Tetovës dhe së bashku me të edhe Ruçit i ka skaduar kontrata.

Sadriu, Shehi, Vitija, Meksi e Zguro kanë boshatisur repartin e mbrojtjes, teksa në mesfushë Skënderbeu humbet dyshen braziliane Moraesh-Zhan Viktor.

Belajdi Pusi është për momentin i vetmi i larguar në repartin e sulmit. Nga ana tjetër, fillimisht bardhekuqtë duhet të zgjidhin çështjen e trajnerit, që do të nisë punën për ndërtimin e ekipit për sezonin e ri në Kategorinë Superiore.

Për momentin, Gentian Liçi është në krye të pankinës, por ditët e fundit po qarkullonte emri i Gugash Maganit si timonieri i ri i korçarëve. Megjithatë, duket se Takaj nuk ka vendosur ende përfundimisht për trajnerin, që do të drejtojë ekipin në sezonin e ardhshëm dhe do ta bëjë këtë në ditët e para të këtij muaji.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"