EKSKLUZIVE/ Skënderbeu fërkon duart, yllin e ekipit e duan dy klube daneze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2022 | 14:52

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu fërkon duart, yllin e ekipit e duan dy klube daneze

Sirena daneze në klubin bardhekuq në ditët e para të merkatos së janarit. Dy klube të Superligës daneze janë të interesuara për të blerë kartonin e talentit maliqar të Skënderbeut, Uerdi Mara.

uerdi mara

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime të sigurta se Odense dhe Arhus kanë shfaqur interes konkret për fantazistin e Skënderbeut dhe menjëherë kanë kërkuar informacionet e detajuara për të në klubin korçar.

Fakti që Mara në tri sezonet e fundit është shndërruar në një titullar të padiskutuar te bardhekuqtë, ka sjellë edhe interesimin e shumë klubeve, mes të cilave edhe dy ekipet daneze.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se bisedimet zyrtare mes klubeve kanë nisur tashmë dhe presidenti Ardjan Takaj është ai që po udhëheq negociatat për Skënderbeun.

Një gjë është e qartë se klubi korçar i ka caktuar një çmim minimal prej 300 mijë eurosh lojtarit për të lëshuar kartonin.

Mësohet se Takaj është i vendosur që klubi që do të ofrojë më shumë do të marrë të drejtën e kartonit të lojtarit, ndërsa Skënderbeu mund të mbajë një përqindje të vogël të pronësisë.

Në rast se klubet e elitës daneze nuk përmbushin pritshmëritë e presidentit, ky i fundit është i vendosur të presë një ofertë më të mirë në muajt në vazhdim, duke u nisur nga fakti se vetëm këtë verë Mara rinovoi kontratën me klubin.

Vëzhguesit e dy ekipeve kanë kohë që ndjekin paraqitjet e fantazistit nga afër, madje kanë qenë në Korçë para pak avësh për ta parë në ndeshjen e fundit që Skënderbeu luajti në shtëpi.

Kjo e bën akoma edhe më të mundshëm finalizimin e kësaj tratative brenda muajit janar, pasi lojtari pëlqehet mjaft nga Odense dhe Arhus, teksa shihet si i përshtatshëm për lojën e tyre.

Kampionati danez është në kulmin e tij dhe pas 17 javësh të zhvilluara, Arhus pozicionohet në vendin e shtatë me 21 pikë, ndërsa Odense në të nëntin me 20 pikë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"