EKSKLUZIVE/ “Skënderbeu do të rikthehet në Superiore”, Memelli tregon planet e skuadrës korçare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 20:36

EKSKLUZIVE/ “Skënderbeu do të rikthehet në Superiore”, Memelli tregon planet e skuadrës korçare

Migen Memelli është gati të nisë versionin dytë te Skënderbeu. Trajneri është rikthyer në Korçë ku do të tentojë ngjitjen e ekipit mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

memelli2

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri tregon hapur arsyet pse u rikthye në Korçë dhe ambiciet e këtij rikthimi. Memelli premton ekip pretendent dhe një cikël të ri për Skënderbeun, ndërsa nga ana tjetër shprehet i qetë se nuk ka asnjë problem që do të trajnojë në Kategorinë e Parë.

Memelli, mirë se u rikthyet në Korçë…

Mirë se ju gjeta dhe është kënaqësi për mua të punoj sërish në Korçë, në një ambient ku kam pasur bashkëpunim shumë të mirë dhe korrekt me të gjithë, edhe me mediat.

Ky rikthim ka qenë më i vështirë se hera e parë apo më i lehtë?

Asnjëherë gjërat nuk janë të vështira kur ka respekt mes palëve. Dëshira nuk ka munguar për të bërë mirë sezonin e kaluar, edhe pse fati nuk të buzëqesh ashtu siç e mendon. Por le të shpresojmë dhe besoj se ky sezon do të jetë shumë i mirë duke u nisur nga ambiciet e presidentit për të ndërtuar një ekip konkurrues.

Pra, objektivi i vetëm është rikthimi i shpejtë në Superiore?

Kjo është ajo që po them dhe me bindje e besoj se në javët në vazhdim do të formalizohet. Ne do të ndërtojmë një ekip konkurrues. Po punojmë që të bëjmë afrime cilësore, pasi 70% e ekipit është larguar. Duhet të kemi objektiva të qartë për misionin e rikthimit në elitë.

Kjo do të thotë se keni bërë gati listën e lojtarëve që janë të aftë për ta bërë sa më shpejt rikthimin?

Po, ndërtimi nis nga porta, me Ruçin që ka rinovuar. Është afruar edhe Rapa. Nuk duam të aludojmë me lojtarët, pasi nuk duam të cenojmë asgjë. Në merkato ndodh që të biesh dakord dhe të prishen gjërat më pas. Do të punojmë me qetësi. Kemi disa lojtarë nga sezoni i kaluar, por e dimë që skuadra duhet përforcuar. Kemi elementë si Vangjeli apo Mara dhe Berisha që janë me kontratë. Do të shikojmë që të kemi dy lojtarë në çdo pozicion pasi kampionati është i vështirë.

Gjithsesi, ju e keni një listë dëshirash apo jo?

Unë takohem çdo ditë me presidentin dhe flasim e shikojmë çfarë tip lojtarësh do të na përshtaten me lojën tonë. Çdo gjë do të ndryshojë. Do të jemi ekip sulmues dhe do të kërkojmë lojtarë me të tilla karakteristika. Kemi listë, por unë nuk jam nga ata trajnerë që nxjerr emra para se t’i mbyllim.

Ekipi që do të ndërtoni, do të jetë vetëm për këtë sezon?

Absolutisht jo. Ne po nisim një cikël tjetër dhe duam të afrojmë lojtarë që t’i kemi me kontrata të gjata, 3- vjeçare. Do të ndërtojmë ekip për 2-3 vitet e ardhshme që të krijojmë sistemin tonë dhe të mos kemi nevojë kolaudimi. Do të jetë një përzierje. Lista e lojtarëve që po vëzhgojmë është e gjatë.

Si ju duket Kategoria e Parë e këtij sezoni?

Nuk dua të jem ironik me këtë pjesë dhe po tregohem sa më i qartë. Në Kategorinë e Parë këtë vit kemi kundërshtarë si Dinamo, që është 18 herë kampione, Flamurtari 2 herë, ekipe cilësore si Apolonia, Tomori, Besa, Lushnja e me radhë. Pra, është një numër i madh skuadrash që kanë bërë emër në kampionatin tonë dhe interesi do të jetë i madh. Unë nuk e kam problem trajnimin në këtë kategori, por e quaj mision për t’u arritur dhe për t’u kryer. Normalisht që kemi arsye pse të punojmë fort, pasi duhet t’u rikthejmë tifozëve elitën.

Nuk ka pse të kemi turp, çdo ekip kalon momente të tilla tranzicioni, ashtu siç ka ndodhur me Tiranën që ka rënë nga kategoria, me Vllazninë, me Dinamon që ra sërish apo me Partizanin. Ndaj, nuk kemi pse të ndihemi keq nga ky fakt. Normalisht që kjo erdhi për shkak të atij dënimi nga UEFA që la shenjë te Skënderbeu dhe zbehu shumëçka. Me bindje e them se po të mos ishte ai dënim, Skënderbeu do të ishte sërish në ato vite “të arta” që kaloi.

Rikthim të mbarë Migen…

Faleminderit, por ishte një detyrim moral imi karshi klubit, ekipit, tifozëve dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Përfitoj për t’u uruar suksese të gjithëve me objektivin e qartë se fundi i vitit do të na gjejë sërish në elitën e futbollit tonë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"