EKSKLUZIVE/ Skënderbeu-Bregu, zbulohet hapi i radhës pas dështimit të transferimit në Suedi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2020 | 0:17

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu-Bregu, zbulohet hapi i radhës pas dështimit të transferimit në Suedi

 

Dejvi Bregu do të transferohej në Suedi te klubi i Hamarbit gjatë muajit që lamë pas, por në momentet e fundit gjithçka dështoi edhe prej situatës së jashtëzakonshme prej pandemisë nga koronavirusi. Vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, pranoi pak ditë më parë në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, se kjo situatë e krijuar i ka hequr mundësinë klubit të përfitojë 300 mijë euro nga shitja e Bregut.

dejvi bregu

Por çfarë do të ndodhë tani që vlonjati e ka të pamundur të transferohet në një tjetër skuadër pa u mbyllur ky sezon? Dilemat janë të mëdha, për më tepër që kontrata e Bregut me Skënderbeun skadon më 31 maj. Kujtojmë që klubi korçar shpenzoi dy vite më parë afro 300 mijë euro për të marrë nga Luftëtari dyshen Bregu-Abazaj, mirëpo nëse me këtë të fundit mbaroi punë shpejt duke e shitur në Belgjikë te Anderleht, tani po ngec me vlonjatin.

Megjithatë, Panoramasport.al zbulon nga burime të sigurta në klubin korçar se palët janë pranë një marrëveshjeje të re, në mënyrë që në verë futbollisti të mos largohet me parametra zero. Skënderbeu i ka ofruar rinovimin e kontratës Bregut, një opsion ky që në fund do të linte të kënaqura të dyja palët. Megjithatë, tashmë gjithçka për zgjatjen e marrëveshjes është në dorë të lojtarit, i cili nëse nuk dëshiron të rinovojë, atëherë ka mundësinë të largohet si futbollist i lirë nga Korça.

Klubi bardhekuq dhe ai suedez për momentin kanë “ngrirë” gjithçka, por me qetësimin e situatës dhe rikthimit në normalitet të kampionateve, shpresohet që palët do të rinegociojnë në mënyrë që transferimi të bëhet në verë. Klubi ka filluar bisedimet me lojtarin, që të zgjasë edhe të pakten 6 muaj kontratën, duke i dhënë garancinë se deri në verë do të jetë mbyllur transferimi i dëshiruar.

bregu

Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se deri diku ai është i bindur me këtë marrëveshje, por kjo pritet të shihet në dinamikë se si do të shkojë situate. Bregu nuk do që të rrezikojë të mbetet sërish në Shqipëri nëse suedezet tërhiqen. Pra, ai kërkon garanci nga klubi që në fund marrëveshja me Hamarbin të mbyllet pozitivisht. Çdo gjë do të qartësohet në muajt në vijim, pasi ashtu siç thotë vetë presidenti Takaj, tani askush nuk e ka mendjen te futbolli…

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"