EKSKLUZIVE/ Skënderbeu “bllokon” Marën, flet fantazisti: Kam interesime nga Danimarka dhe Turqia…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2022 | 14:29

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu “bllokon” Marën, flet fantazisti: Kam interesime nga Danimarka dhe Turqia…

Partizani “bllokon” Uerdi Marën dhe Leonat Vitinë. Të parin e duan me ngulm te Partizani, ndërsa i dyti është prezantuar si blerje te Drita e Gjilanit. Skënderbeu ka pretendimet e veta për të dy lojtarët.

UERDI MARA 1

Të kontaktuar nga gazeta, drejtuesit bënë me dije se numri 10 i bardhekuqve nuk është i lirë.

Mesfushori 23-vjeçar ka një kontratë për tri vitet e ardhshme dhe çdo ekip që dëshiron të sigurojë shërbimet e tij, fillimisht duhet të komunikojë me klubin.

Veç vlerës së kartonit, Skënderbeu ka të drejtën e një vlere mbi 130 mijë euro për rritje dhe promovim të talentit si një lojtar i dalë nga akademia.

E njëjta gjë vlen edhe për Vitinë, që ka firmosur dhe është prezantuar pak ditë më parë si përforcim i kosovarëve.

Mbrojtësi 21-vjeçar nuk kishte kontratë në fakt dhe u largua si i lirë, por ama korçarët presin të përfitojnë prej rritjes së talentit.

MARA – Uerdi Mara e sheh veten larg Shqipërisë. Edhe pse ekipe si Vllaznia dhe Partizani e duan, numri 10 i Skënderbeut ka të tjerë objektiva për veten.

Është vetë fantazisti që zbulon se nga Danimarka dhe Turqia ka klube që kanë shfaqur interes për të. E megjithatë, ende nuk ka asnjë ofertë konkrete dhe kjo mban të hapur gjithçka.

uerdi mara

Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga vetë lojtari, i cili sapo është kthyer nga pushimet.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, 23-vjeçari sqaron gjithçka rreth planeve që ka për të ardhmen.

“U qetësova disi pas atij sezoni të ngarkuar psikologjikisht, ndërsa tani jam në Korçë.

Mund të them se kam disa interesime nga Danimarka dhe Turqia, e konfirmoj, por ende nuk kemi të bëjmë me diçka konkrete”, theksoi 23-vjeçari, duke u ndalur më pas edhe te kontrata me Skënderbeun.

“Unë jam në kontratë me Skënderbeun edhe për tri vite të tjera, kështu që një aventurë jashtë vendit do të ishte më e duhura në këtë moment.

Është klubi që vendos për mua. Ndërsa për sa i përket një tjetër ekipi shqiptar, e shoh gati të pamundur për shkak të kontratës dhe vlerës së kërkuar nga Skënderbeu”, përfundoi Mara.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"