EKSKLUZIVE/ Skënderbeu bëhet “kantier”, Memelli: Nuk jemi gati! Po pres lojtarët “big”, mesfusha ka mangësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2022 | 15:54

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu bëhet “kantier”, Memelli: Nuk jemi gati! Po pres lojtarët “big”, mesfusha ka mangësi

Skënderbeu është kthyer në një “kantier”. Në klub po e marrin vërtet shtuar ndërtimin e ekipit, pasi kanë një plan. Nuk duan që të ndërtojnë një grup vetëm për Kategorinë e Parë, por edhe për pasardhësin. Ai që ka marrë përsipër që të hapë “themele” të thella te bardhekuqtë, është vetë Migen Memelli.

MEMELLI

Trajneri po stërmundohet këto ditë, pasi i është dashur të vendosë në provë një numër të madh lojtarësh. Kur ende nuk i kanë ardhur blerjet e reja, ka në urdhra 28 lojtarë. Sigurisht që nuk do të qëndrojnë të gjithë, por ata që bindin. E megjithatë, pogradecari nuk do të nxitohet.

Strategjinë e rrëfen enkas për “Panorama Sport”. Gjatë një deklarate të dhënë, tekniku bën me dije se ky është vetëm fillimi i një pune të gjatë dhe voluminoze që i pret korçarët këtë verë. “Ne jemi në ndërtim e sipër dhe ju e shihni vetë se sa lojtarë të rinj jemi duke testuar prej sa e sa ditësh. Presim edhe lojtarët ‘big’ që të bashkohen me ne, sikurse janë Elvis Prençi, Vangjel Zguro apo Xhoi Carkanji.

Ata nuk kanë ardhur ende dhe sapo të vijnë, sigurisht që do t’i shtojnë cilësinë dhe eksperiencën ekipit. Grupi do të kompletohet edhe me afrikanët, dy prej të cilëve u aktivizuan për disa minuta në miqësoren Teutën. Do të kemi shumë lojtarë në provë.

Po kujdesem t’i shoh me vëmendje dhe t’u jap kohë. Kur të vijë momenti i duhur, të shohim se kë do të mbajmë. Sigurisht që do qëndrojnë ata që janë të vlefshëm për ne. Do të kemi edhe zhvillime të tjera në hyrje, qofshin këta të rinj dhe të afirmuar. Nuk jemi ende plotësisht të strukturuar, por pa dyshim që do të kemi lëvizje”, tha fillimisht numri një i pankinës së Skënderbeut, që paralajmëron se do të ketë ndryshime në ekipin e tij.

MERKATO NË MESFUSHË

Nëse për portën, mbrojtjen dhe sulmin mendon se janë gati, të njëjtin mendim nuk e ndan për mesfushën. Është ky shkaku që merkatoja do të jetë e hapur deri në limite, pasi Memelli pret edhe dy afrime të rëndësishme për këtë repart. “Përderisa kemi një muaj kohë nga merkatoja, do të jemi aktivë. Mund të bëjmë edhe dy ndërhyrje të tjera për të kompletuar mesin e fushës që kemi defiçencë për momentin. Do të shohim edhe kur të bashkohen të gjithë se ku jemi”, përfundoi 42-vjeçari.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"