EKSKLUZIVE/ Skarcime te Partizani, ikin 2 lojtarë. Të kuqtë gati të afrojnë mesfushorin shkodran (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2020 | 23:30

EKSKLUZIVE/ Skarcime te Partizani, ikin 2 lojtarë. Të kuqtë gati të afrojnë mesfushorin shkodran (E PLOTË)

Partizani nis skarcimet në pritje të fillimit të epokës së Ilir Dajës. Zhgënjimet e mëdha të sezonit 2019-2020 pritet të largohen njëri pas tjetrit dhe nga sot lojtarët e parë, të cilët mund të cilësohen zyrtarisht të larguar janë pikërisht mbrojtësi rumun, Deian Boldor dhe mesfushori nga Venezuela, Aristoteles Romero.
pjimage
Nëse për këtë të fundit kishte pak dilema sa i përket të ardhmes prej problematikave të shumta që ka shfaqur gjatë qëndrimit në kryeqytet, e kundërta mund të thuhej për rumunin, që gjithsesi kishte ardhur te “demat” në formë huazimi nga klubi italian Hellas Verona. Burime të sigurta në klubin e kuq i thanë dje gazetës “Panorama Sport” se mbrojtësit 25-vjeçar i është prerë bileta vetëm për vajtje dhe nuk do të ketë më një bashkëpunim me Veronën për zgjatjen e huazimit. Boldor u aktivizua në 22 ndeshje me fanellën e kuqe në Superiore, ndërsa debutoi me “demat” në Ligën e Kampioneve në sfidën kundër azerëve të Karabak. Pritshmëritë për lojtarin e lindur në Timishoara ishin të mëdha, por ai nuk e bëri dot diferencën në repartin ku Partizani në sezonin që u shpall kampion kishte një dyshe të pakalueshme Belica-Atanda.
aristoteles romero
Nga ana tjetër, 24-vjeçari Romero erdhi si përforcim i bujshëm në verën e vitit 2019 nga Krotone. Edhe venezueliani ishte në huazim 1-vjeçar te “demat” nga klubi italian, duke pasur një pagë shumë të lartë. Megjithatë, më tepër ai u bë protagonist me “bëmat” jashtë fushe, sesa me paraqitjen e tij në tapetin e blertë. Luajti 14 ndeshje në Superiore, e më pas përfundoi te Partizani B. Për herë të fundit ai ka qenë në fushë në humbjen 3-2 të të kuqve në Korçë më 21 janar 2020.

AFRIMET

Janë përmendur shumë emra deri më tani si përforcime të mundshme në merkaton e verës nga të kuqtë. Në pritje të dhënies së OK-it nga KAS-i i Lozanës për të zhbllokuar merkaton dhe lejuar federimet pas dënimit për çështjen “Çinari”, gjithçka te Partizani është e lidhur me trajnerin e ri, Ilir Daja. Klubi ende nuk e ka zyrtarizuar emërimin e kryeqytetasit që mbylli sezonin me Skënderbeun, por është fakt se ai tashmë ka nisur të punojë për llogari të “demave”. Fillimisht ka bindur mesfushorin Sabjen Lilaj që të vishet i kuq, ndërsa ka pasur bisedime edhe me mbrojtësin e Tiranës, Kristi Vangjeli.

ardit krymi

Ndërsa në planet e Dajës janë edhe lojtarë si Bajram Jashanica, Emiliano Musta, Dejvi Bregu dhe Arinaldo Rrapaj. Gazeta mëson se klubi po ndjek me kujdes edhe mesfushorin shkatërrues të Vllaznisë, Ardit Krymi. Ky i fundit ka qenë preferencë e Dajës që kur drejtonte Skënderbeun. Mësohet se lojtarit i ka përfunduar kontrata me shkodranët dhe tashmë Partizani mund ta afrojë pa paguar një dëmshpërblim. Gjasat janë që javën e ardhshme të marrë formë edhe Partizani i sezonit 2020-2021, që nis nga trajneri Daja dhe vazhdon me disa përforcime të rëndësishme.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"