EKSKLUZIVE/ “Bënë hile të mos dilnim kampionë”, Bajko: Tirana ekipi i Partisë, Mustën dhe disa zevzekë donin t’i hiqnin nga Partizani (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 0:29

EKSKLUZIVE/ “Bënë hile të mos dilnim kampionë”, Bajko: Tirana ekipi i Partisë, Mustën dhe disa zevzekë donin t’i hiqnin nga Partizani (E PLOTË)

Neptun Bajko ka një memorie të admirueshme nëse merr parasysh se sa i kanë parë sytë këtij njeriu në karrierën e tij. Është i gatshëm të të japë përgjigje edhe për detajin më të vogël. Me një qetësi olimpike shpjegon me detaje se çfarë ndodhi në vitin 1989 kur ai ishte trajner i Partizanit.

neptun bajko

Në intervistën për “Panorama Sport”, ish-trajneri i shquar i Partizanit dhe i Kombëtares rrëfen edhe se çfarë ndodhi në ndeshjen kundër Benfikës. I kthen edhe një përgjigje therëse edhe Agustin Kolës. “Agustini është një djalë i mirë, i ndershëm dhe ka qenë një sportist i shkëlqyer. Kjo as nuk diskutohet. Por, nuk është e vërtetë që Partizani ka qenë i preferuari i sistemit monist. Shqipërinë në ato vite e drejtonte Partia dhe Tiranën e kishte Komiteti i Partisë. Xhelil Gjoni bënte namin për Tiranën”, thotë Bajko.

Profesor, në lidhje me sezonin futbollistik të vitit 1989, Perlat Musta thotë që u shpikën disa norma në fazën e tretë të kampionatit enkas për të dëmtuar Partizanin. Ju keni qenë trajner, a qëndron ky pretendim i ish-portierit tuaj?

Edhe mua më ngacmoi titulli i shkrimit dhe deklarata e Mustës, por të them të drejtën arsyeja është diçka tjetër. Deri diku në mendimet e drejtuesve mund të ketë qenë që Partizani është i dënuar dhe nuk kemi pse të kërkojmë që me patjetër të dalë fitues, të fitojë kampionatin.

Pra, u referoheni incidenteve me Benfikën dy ditë më parë në Kupën e Kampioneve?

Po, pikërisht.

Po thoni që ishte e planifikuar nga “lart” që ju të mos dilnit kampion, pasi ishit të dënuar?

Mund të jetë edhe kështu. Kam pasur gjithmonë dyshime për këtë. Por, për mendimin tim, u përdor një hile tjetër. Dhe hilja qëndron tek ajo, që Perlati, Ariani, Niko Frashëri, Ilir Lame janë dënuar nga pesë vjet. D.m.th., në këtë situatë mund të mendohej që ne edhe i heqim qafe këta lojtarë që konsideroheshin zevzekë, të vjetër, problematikë dhe rinovojmë edhe ekipin.

Kjo ishte me miratimin, me vullnetin tuaj apo bëhej me udhëzim nga “lart”?

Absolutisht jo. Unë atëherë jam acaruar shumë. Zbatimin e kritereve të normave e bënte, ndjesë pastë, Miço Papadhopulli. Jam fjalosur keq me të për probleme që bazoheshin te normat për të luajtur futboll. Unë i thashë se vija nga Italia, nga Koverçanoja dhe normat bëhen për gjithë popullsinë. Testi ishte rutinë, një test që vlerëson maksimalen e oksigjenit etj., etj., por nuk të pengon të luash “Kola djalë i ndershëm, por Shqipërinë s’e drejtonte ushtria” Bajko:

Tirana ekipi i Partisë, Mustën dhe ca zevzekë donin t’i hiqnin Ish-trajneri: Më 1989 bënë hile të mos dilnim kampionë futboll. Ato janë teste që një trajner, një kabinet mjekësor të dijë se në ç’gjendje i ka lojtarët, kur e kanë maksimalen, kur e kanë rënien dhe të marrë masa për një stërvitshmëri më të mirë me baza shkencore. Kurse te ne u përdor kjo “armë”. Këtu kam dyshuar përherë.

Të jemi të qartë, po thoni që u përdorën testet si pretekst që ju të mos dilnit kampion?

Unë nuk e di deri ku ka shkuar djallëzia, sa mund ta kenë menduar deri në këtë aspekt, por unë i mëshoj përdorimit të normave.

Po në sezonet e tjera, pas incidentit në Portugali, patët ndonjë penalitet apo pengesë ekstra që Partizani të mos dilte kampion?

Jo. Deri këtu jo. Këtë nuk e kam menduar asnjëherë, sepse unë me këtë e motivoja ekipin. Hajdeni ta fitojmë dhe njëkohësisht shlyejmë detyrimin dhe zvogëlojmë kohën e dënimit.

Ato vite nuk morët pjesë fare në Europë, apo jo?

Jo, jo. Mbas dënimit të ’87-ës nuk morëm pjesë. Në ’90-’91 u shlye komplet dënimi.

Ju përmendët disa lojtarë dhe i etiketuat si “zevzekë”… A ishin Musta me shokë realisht problematikë apo filluan të paragjykoheshin vetëm prej atij problemi?

Kjo është një histori shumë e gjatë. Sa u përket këtyre katër apo pesë lojtarëve, ishte e paramenduar që të largoheshin. Në një formë ose në një tjetër, të gjendej një mënyrë që të largoheshin dhe ekipi të mos kishte më këtë problematikë, por edhe të rinovohej. Unë kam një histori të tmerrshme në kuptimin profesional.

Çfarë historie?

Kur erdha nga Koverçanoja dhe mora Partizanin. Ishte pikërisht koha kur Partizani humbi Kupën e Republikës në Elbasan dhe akuzoheshin 2-3 lojtarë që e lanë ndeshjen. Në momentin që unë emërohem, bëj listën e ekipit dhe e dorëzoj në klub. Ky i fundit e dërgonte në ministri që shqyrtohej dhe aprovohej. Kështu ishte rregulli dhe nuk kishte ndonjë të keqe në këtë mes. Në klub filluan pëshpërimat, sepse unë kisha futur në listë të gjithë çfarë ishin aty, gjithë ekipin, shto këtu dhe nja dy nga lojtarët e rinj që më kishin thënë se ishin lojtarë me vlerë.

Ndërkohë që më thonë: “Bëj edhe një listë tjetër dhe shihni pak këta sepse edhe opinioni, ministria, me Perlatin dhe Arianin (Ahmetajn) sikur nuk janë shumë të kënaqur”. Është një dyshim që ka mbetur që nga Kupa e Republikës, që humbi Partizani dhe këta akuzohen direkt. Të them të drejtën, mbeta keq sepse unë i dija historitë. Të dhënat mua më erdhën që kur isha në Romë ku vazhdoja studimet. Më mbërriti një letër nga dy miq të mitë të ngushtë, që e dinin situatën te Partizani. Një informacion i plotë më erdhi nga Gjergji Thaka që drejtonte në atë kohë ekipin.

Çfarë kërkonin saktësisht nga ju?

Ata prisnin që meqenëse erdhi trajneri i ri nga Italia, pa dyshim që do të bëjë reformë në ekip duke u shkëputur njëherë e mirë nga këta futbollistë, ndërkohë do të shpëtonte nga telashet, ministria dhe opinioni mbi këta lojtarë. Por, unë nuk hoqa asnjë prej tyre, edhe pse deri diku i ishte komunikuar që mund të largoheshin nga ekipi. Ndërkohë, thirra dhe 2-3 të tjerë. Me sa më kujtohet, Eksarkon dhe Duron.

A kishte atëherë diferencime mes ekipeve? Sepse Kola thotë: “Ne futbollistëve na kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës të gjithëve, edhe të Dinamos edhe të Tiranës, jemi ndier të privilegjuar…” Por, thotë edhe që, më i privilegjuar nga të gjithë ka qenë Partizani sepse kishte Presidiumin me vete. A ka pasur diferencime Partizani apo Dinamo që sot quhen ekipe të ushtarakëve ose të policisë?

Absolutisht jo. Ndikimi mund të ishte deri diku kur caktonin ndonjë arbitër kur e shihnin ndonjë ndeshje të vështirë, që duhet ta fitonte. Nëse do të mbahej me hatër, më vjen keq ta them, sepse Kola është djalë i ndershëm, i drejtë, futbollist shumë i mirë, por te ne ka udhëhequr Partia. Nuk ka udhëhequr as ushtria, as Sigurimi. Dhe, në këtë aspekt Tirana ishte më e favorizuar nga të gjithë ne.

Pse?

Sepse ishte Komiteti Partisë i Tiranës që e kishte në varësi ekipin e Tiranës, që e ndihmonte e interesohej. Xhelil Gjoni, kryetari i Komitetit të Partisë, e ndihmonte shumë Tiranën. Zëvendësministri i Brendshëm Hysen Shaho ka ndihmuar Dinamon sa s’bëhet. Problemet ua zgjidhte, i mundësonte lojtarët e rëndësishëm që kërkonte ekipi.

Neptun Bajko

Ai ndërhynte dhe ua merrnin futbollistët ekipeve të tjera. Në këtë aspekt flas. Ndërsa unë mezi kam marrë tre ushtarë në ekip. E kërkova që në fillim këtë dhe isha entuziast se me të rinjtë do ta bëja Partizanin. Tani mund të them se ishte një mendjelehtësi imja profesionale për të ndërtuar Partizanin vetëm me të rinj. Por mua më thuhej: “Kemi orientim sa më pak ushtarë, kemi orientim sa më pak lojtarë t’ua marrim ekipeve të tjera…”. Atëherë kam ngulur këmbë vetëm për tre lojtarë, për Lefter Millon, Besnik Bilalin dhe Astrit Ramadanin.

Partizani këta tre lojtarë ka pasur të huaj dhe ushtarë në atë kohë. U bë një rifreskim i ekipit dhe mora 22 lojtarë të ekipit të të rinjve, që i stërviste Besnik Çela. Siç ishin të gjithë, pa lënë asnjë, edhe pse e dija që ndonjë nuk kishte prirje për të rritur aftësitë, unë i mora të 22 ata. Ideja ime ishte që tani Partizani do të funksionojë me fidanishten e vet dhe ia arritëm kësaj. Po të shohësh fotografitë, do të vësh re aty që kemi dy lojtarë, siç ishin Skënder Gega nga Shkolla e Mjeshtërisë Sportive dhe Fatmir Hasanpapa që u thirr ushtar dhe u bë edhe lojtar. Po të shohësh ekipin e parë të ’85-’86, të gjithë janë lojtarë nga të rinjtë e Partizanit.

Çfarë ndodhi në Portugali profesor?

Këtë që do të them tani, e kam thënë edhe në konferencën e shtypit në ’87-ën para 300 gazetarëve. Ekipi i Partizanit ka pasqyruar vlerat më të mira të futbollit shqiptar përballë Benfikës së Portugalisë, një ekip i madh ky që në vazhdimësi doli dhe nënkampion i Europës. Ekipi i Partizanit pasqyroi në fushën e lojës disiplinë dhe korrektesë të jashtëzakonshme përballë një gjyqtari që e them me bindje të plotë, ka firmosur turpin e futbollit europian atë natë. Duhet të kërkojmë dëmshpërblim për atë ndeshje.

Pse mendoni kështu?

Veprimet e tij nuk i bën asnjë gjyqtar në gjendje të qetë psikologjike dhe që do të mbante drejtësi ndaj një ekipi shumë të madh të Portugalisë dhe një ekipi të një shteti të vogël, por që ishte socialist, Partizanit të Tiranës. Dhe kjo ishte gjithë fatkeqësia jonë, që Partizani përfaqësonte Republikën Socialiste të Shqipërisë. Tre gazetarë portugezë, kur po jepja intervistën, më thanë: “Mos ju keni gabuar si trajner sepse keni menduar që do të përballoni dhe të fitoni me Benfikën? A e dini ju se kush qëndron prapa Benfikës”? “Jo”, iu përgjigja. “Janë manjatët më të fuqishëm të Portugalisë”, më thanë. “A mos ka qenë një mendjelehtësi ose entuziazëm i juaji, -më thanë, – që e udhëhoqët ekipin drejt kësaj filozofie? Ekipi juaj pasqyroi në lojë vlera që na kanë habitur për nivelin e futbollit shqiptar”. Përgjigjja ime ishte:

Bajko_Neptun

“Jo. Gjithsesi, unë di të them këtë gjë, që një ekip i vogël, por me përgatitje profesionale, me shpirt të madh, që vë në shërbim të ekipit dhe opinionit të vet mendësinë maksimale për të pasqyruar vlerat më të mira të një vendi, të një rinie, jep atë që futbollistët e mi i pasqyruan sot”.

Dhe unë mendoj se jo vetëm nga kjo anë, por edhe nga ana profesionale, tekniketaktike, ekipi i Partizanit nuk ishte aspak më poshtë, por ishte aq lart sa e detyroi Benfikën të përdorte këtë makinacion pasi nuk kishte asnjë lloj mundësie që të fitonte ndryshe. Goli i tyre i parë ishte autogoli ynë në minutën e 43-të të pjesës së parë. Golin e dytë e bënë në minutën e 89-të dhe të tretin në ‘102. I katërti erdhi në minutën e 119-të kur mbaronte loja dhe gjithë stadiumi filloi të fërshëllente

A është e vërtetë që lojtarët e Partizanit tentuan të merrnin edhe një tjetër karton të kuq që të ndërpritej ndeshja?

Jo. Është udhëzuar nga stoli, se unë të them të drejtën nuk e kisha mendjen në vend për të tilla gjëra. Nuk më kujtohet mirë se kush, Agalliu a ndonjë lojtar tjetër që ishte shumë i qetë, i ka thënë Ocellit që kishte një karton të verdhë të merrte një tjetër të tillë ose të kuq pasi aty përfundonte loja. Ai thirri: “Nandiii kthehu dhe merr karton se mbaron loja”. Aty kam përmendur që me 5 lojtarë jashtë mbaronte ndeshja. Ndërkohë që vrapova drejt tij dhe i thashë: “Jo, jo, jo”. E dija që do të ishte një dënim shumë i rëndë atëherë. Na mbetej faji ne, pasi ishte bërë me qëllim. Kam thërritur: “Jo, jo, jo, mos e bëj këtë”.

Një pjesë e lojtarëve ishin jo vetëm të lodhur, por të rënë fare psikologjikisht nga ai dërrmim që po u bëhej në prani të 80 000 spektatorëve të pranishëm. Por tifozët e rivalit kryesor të Benfikës brohorisnin për Partizanin. Ishin me ne, jemi brohoritur derisa ka ardhur autobusi. Gjithë rrugës nuk kanë pushuar brohorimat nga qytetarët: “Bravo Albania, bravo Partizani”, derisa arritëm në hotel. Në atë takim kam parë për herë të parë Eusebion. Ishte zv.trajneri i Benfikës dhe rrinte në anë të fushës. Kur gjyqtari ka nxjerrë lojtarin e katërt Ilir Lamen, ai pa njëherë Ilirin që po qante dhe ktheu sytë nga stoli ynë. Atëherë unë i jam drejtuar vetëm me duar: “Eusebio, grande Eusebio”. Pamë njëri-tjetrin dhe ai mbeti i fikur fare.

Çfarë ndodhi kur shkuat në Portugali, sepse ka pasur edhe aty një mosmarrëveshje?

Ne kemi ndenjur në aeroportin e Lisbonës 5 orë, me pretekstin se nuk kishim vizë për të hyrë në Portugali. Ekipi u shtri nëpër stola dhe kemi mundur të shkojmë në hotel vetëm në orën 12:30 të natës. Dhe në këtë orë restoranti ishte mbyllur dhe na servirën atë që kishte mbetur, një lloj pule e ëmbël që nuk e hëngri asnjë.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"