EKSKLUZIVE/ Skandali, Laçi-Luftëtari ka dyshime për trukim, presidenti Halilaj: Kemi fakte tronditëse, padi në UEFA (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 23:55

EKSKLUZIVE/ Skandali, Laçi-Luftëtari ka dyshime për trukim, presidenti Halilaj: Kemi fakte tronditëse, padi në UEFA (E PLOTË)

Thellohet përplasja mes Luftëtarit dhe Laçit për mesfushorin Donald Rapo. Nëse deri dy ditë më parë kishim të bënim me pretendimin e klubit gjirokastrit për transferim të parregullt të lojtarit te kurbinasit, dje akuzat e presidentit të Luftëtarit, Bekim Halilaj, janë shtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një denoncim sa i përket shkeljes së rregullores me lojtarin, por për dyshime të forta për paraqitjen e Rapos në ndeshjet ndaj Laçit, për shkak të një marrëveshjeje që palët mund të kenë bërë sipas asaj që thotë Halilaj.82883401_641178753289142_8693474077274275840_n

Dje, pas reagimit të Laçit, replikoi për “Panorama Sport” presidenti i klubit bluzi, ndërsa paralajmëroi se çështja do të shkojë në UEFA. “Prisja që klubi i Laçit të respektonte ‘Fair Play’-in dhe rregulloren e FSHF-së, por ndodhi më absurdja. Tani Laçi na mëson ne se si të sillemi me lojtarin?! Nëse e paguaj unë ose jo lojtarin, ka organe kompetente në FSHF, FIFA dhe UEFA që na ndëshkojnë ne apo cilindo tjetër që është fajtor. Nuk mund të më tregojë mua Laçi se si sillet Luftëtari apo të flasë mbi biografinë e lojtarit që kemi nën kontratë. Laçi ka filluar marrëveshjen me Rapon që në ndeshjen e parë që është luajtur në Gjirokastër.

Kemi fakte tronditëse edhe për në datën 14 dhjetor, kur është luajtur ndeshja e fazës së dytë në Laç. Gara respektohet duke respektuar rregulloren e federatës. Nëse Laçi e ndien veten si përfaqësues të organeve ligjzbatuese të FSHF-së dhe ne nuk e dimë, atëherë të na e thotë. Unë flas me dokumente dhe fakte. Kush është ai që më thotë mua ‘paguaj lojtarët’?! Nuk dua të paguaj…! Më dënon ligji mua nëse nuk e bëj një gjë të tillë, jo klubi i Laçit. Lojtarin nuk e ka përzënë njeri nga klubi që i paska ardhur keq Laçit dhe i ka dhënë mundësinë të stërvitej. Mos na u hiqni si humanë, por respektoni rregulloren, kaq”, ka thënë fillimisht kreu i klubit.

“FSHF NUK NA KA THËNË PËR GJYQ” FSHF konfirmoi dje për gazetën se çështja e Rapos me Luftëtarin është në gjykim. Kjo e habit pa masë presidentin Halilaj. “Deri në këtë moment që flasim (e premte, ora 18:00) nga ana e FSHF-së nuk kemi asnjë njoftim për padi në DHZK të Rapos. S’ka ardhur asnjë lajmërim për gjyq. FSHF na ka njoftuar këto ditë për një tjetër lojtar, por jo për Rapon.donald rapo

Ky i fundit ka bërë vetëm një lajmërim me shkresë në klub më 16 dhjetor se kërkon të largohet, por më pas nuk ka ardhur asnjëherë të diskutojë për kontratën. Sipas rregullores, e kemi njoftuar me shkrim dhe nuk ka ardhur për të diskutuar zgjidhjen e marrëveshjes, pasi ka ikur në mënyrë të kundërligjshme. E përsëris, deri në këtë moment nuk kam asnjë njoftim për gjyq me Rapon. Nëse FSHF është shprehur se ka çështje në gjykim dhe nuk na lajmëron ne si klub, atëherë është problem i federatës dhe jo yni”, sqaroi Halilaj.

“GATI SHKRESA PËR UEFA-n DHE FIFA-n” Presidenti i Luftëtarit shkon edhe më tej. “Do t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund. Të hënën do t’i drejtohemi njëkohësisht UEFA-s dhe FIFA-s për këtë skandal. Më tregon mua Laçi se po cenoj garën?! Garën e cenon ai dhe jo unë… Çfarë tagri ligjor ka Laçi të më japë mua urdhra apo të më bëjë moral?! Mos ndoshta përfaqëson si klub Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve?!

Me reagimin që kanë bërë sot (dje) ata thjesht konfirmojnë fjalët që presidenti i tyre ka hapur lart e poshtë: ‘Unë do ta zgjidh çështjen e Rapos me njerëzit e mi që kam në federatë’. Tashmë po del fjala e tij dhe, me sa duket, Laçi përfaqëson FSHFnë. Çfarë i duhet Laçit me lojtarin e Luftëtarit, që e përfshin në stërvitje duke qenë nën kontratë me ne…?!”

“JA PSE DYSHOJ TE FUTBOLLISTI”

Në fund, Halilaj thotë se ka dyshime të forta për lojën që ka bërë Rapo. “Më 14 dhjetor, kur luajtëm në Laç, duke qenë se Rapo e kishte mbyllur marrëveshjen më përpara me klubin laçian, familjarët e lojtarit janë pritur nga drejtuesit vendës në pjesën e tribunës VIP të stadiumit. Familjarët nuk janë futur me listën tonë si klub mik, por si të ishin vendës, bashkë me makinën e tyre personale brenda stadiumit.

Marrëveshja ka qenë e kopsitur mes palëve, e bërë me kohë. Dyshimin e parë e kam në ndeshjen e luajtur në Gjirokastër me Laçin, ku në fund gabimin e ka bërë Rapo, edhe pse ishte ai që shënoi për ne. Dyshimi i dytë është më 14 dhjetor me familjarët e tij. Vetëm dy ditë pas kësaj ndeshjeje, ndodh që lojtari bën paralajmërimin për pagesat. E kuptoni se çfarë ka ndodhur? Asgjë e rastësishme dhe më pas, më 22 dhjetor, braktis ekipin.

bekim halilaj

Pas lajmërimit që bëri për pagesat, unë si klub kam 15 ditë kohë për të sqaruar lojtarin. E thirra dhe nuk erdhi. Derisa ti ankohesh, pse nuk vjen të sqarohesh me mua?! Të gjitha veprimet që kemi bërë janë në zyrën e juristit të FSHF-së, të dokumentuara, bashkë me gjobat që lojtari ka marrë për mosparaqitje në stërvitje dhe braktisje të ekipit. FSHF e ka në dorë të gjithë dokumentacionin. Kjo çështje do të shkojë në UEFA, nuk diskutohet…”.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"