EKSKLUZIVE/ Skandal kontratash te Luftëtari, zv.trajneri slloven pret të marrë 60 mijë euro. Klubi drejt shkrirjes…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2020 | 13:07

EKSKLUZIVE/ Skandal kontratash te Luftëtari, zv.trajneri slloven pret të marrë 60 mijë euro. Klubi drejt shkrirjes…

Luftëtari është në gjendjen më të mjerueshme të mundshme si pasojë e keqmenaxhimit nga drejtuesit e klubit ndër vite. Aktualisht po ndodh ajo që nuk ishte menduar kurrë në historinë afro 100-vjeçare që nga themelimi i klubit. Shkrirja e ekipit të parë duket e pashmangshme prej krizës financiare, ndërsa problematikën e vazhdueshme të klubit e konfirmojnë as më pak e as më shumë faturat e çmendura që vijnë ditë pas dite prej gjyqeve të humbura në FIFA me ish-lojtarë dhe ish-trajnerë. “Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht se ish-zv.trajneri slloven i Luftëtarit në periudhën qershor-shtator 2018, Amir Botonjiç, ka fituar gjyqin me klubin për një shumë që shkon rreth 60 mijë euro.
WhatsApp-Image-2018-06-10-at-8.20.53-PM-470x264
Kur ish-zv.trajneri slloven Amir Botonjiç firmoste kontratën me ish-presidentin Grigor Tavo

FIFA i ka dhënë të drejtë për 15 mijë euro paga të papaguara për aq sa ka qëndruar në Gjirokastër deri përpara shkarkimit dhe gjithashtu 30 mijë euro të tjera për prishjen e njëanshme të kontratës nga ana e klubit. Duke përfshirë këtu edhe 5 % interes që prej datës 29 gusht 2019, Botonjiç ka një faturë që Luftëtarit pritet t’i shkojë mbi 60 mijë euro. Vendimi i formës së prerë dhe me një afat 30-ditor është marrë më 6 tetor të këtij viti.

Kjo tregon edhe një herë se ish-presidenti, Grigor Tavo, si dhe të besuarit e tij në poste drejtuese i kanë bërë një dëm kolosal klubit sa i përket kontratave, që jo vetëm nuk janë respektuar, por çuditërisht as nuk janë negociuar për marrëveshje me palën që ka fituar gjyqin. Në periudhën kur është firmosur marrëveshja me sllovenin, i besuari i ish-presidentit ka qenë Vangjel Çavo. Ky i fundit figuron ende pjesë e Luftëtarit, teksa prej disa muajsh mban postin e administratorit të klubit.

Tifozët në Gjirokastër ndihen të vjedhur dhe të mashtruar nga kjo situatë, e cila është më e pazakonta në gjithë historinë e klubit

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"