EKSKLUZIVE/ “Situatë skandaloze”, presidenti Halilaj denoncon Laçin: Kanë vjedhur Rapon, lojtarin e gënjyen drejtuesit kurbinas (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2020 | 10:34

EKSKLUZIVE/ “Situatë skandaloze”, presidenti Halilaj denoncon Laçin: Kanë vjedhur Rapon, lojtarin e gënjyen drejtuesit kurbinas (E PLOTË)

Kapiteni i Luftëtarit, Donald Rapo, shpalli “divorcin” më 4 janar, pikërisht në ditën kur doli në stërvitje me Laçin. Mirëpo, nga klubi gjirokastrit nuk ka pasur asnjë reagim deri më tani, pasi kanë pritur hapat që do të ndiqte lojtari, duke qenë se ky i fundit kishte pretendime për pagat e prapambetura. Zyrtarisht, në FSHF mësohet se nuk ka një padi ndaj Luftëtarit nga Rapo në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. 

rrapo

Në këto kushte, edhe pse mesfushori është nën kontratë me Luftëtarin, ka dalë në stërvitje me Laçin pa zgjidhur ende marrëveshjen me klubin gjirokastrit, për të marrë më pas edhe leje-kalimin. “Nuk e kuptoj se si marrin guximin dhe afrojnë një lojtar që është nën kontratë me Luftëtarin, madje e përfshijnë edhe në stërvitje?! A i njeh rregullat klubi i Laçit? Meqë ka ndodhur kështu, kemi vënë në dijeni FSHF-në prej disa ditësh, se lojtari ynë nën kontratë, Donald Rapo, ka dalë në stërvitje me Laçin. I kemi vënë në dispozicion edhe fotografitë nga seanca stërvitore për këtë shkelje të rëndë dhe skandaloze që ka bërë klubi i Laçit me një lojtar në pronësinë tonë”.

bekim halilaj

“Do të njoftojmë edhe UEFA-n dhe FIFA-n, por presim që FSHF-ja të reagojë. Jemi interesuar në Federatë dhe lojtari nuk ka bërë asnjë padi ndaj klubit tonë. Si merr guximin Laçi dhe vjedh Rapon pa marrë ende letrat nga ne? A ekzistojnë rregulla apo disa i respektojnë dhe të tjerë jo?! Drejtuesit e Laçit i kanë thënë futbollistit ‘dil në stërvitje se do ta zgjidhim ne me FSHF-në’… Nga ana tjetër, trajneri i tyre, pa pikë turpi, del në televizion dhe konfirmon se kanë marrë një lojtar si Rapo, madje thotë që mund të bëjë edhe disa pozicione… Po e di ai që futbollisti është nën kontratë me ne?! Të shohim tashmë se çfarë reagimi do të ketë federata”, ka deklaruar dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj.

luftetariii

Ai sqaroi edhe penalizimet që ka marrë Rapo për mosparaqitjen në stërvitjen e bluzinjve”Klubi, në bazë të rregullores së brendshme, të firmosur nga vetë lojtari, e depozituar edhe në federatë, nga data 22.12.2019 e në vazhdim, ka aplikuar gjobat në bazë të shkeljes që ka bërë. Çdo gjobë është depozituar në FSHF për braktisjen e ekipit dhe për mosparaqitjen në klub. Në këto rrethana, kush mund t’ia japë lejen e kalimit lojtarit?!”, shtron si pyetje kreu i klubit gjirokastrit.

ÇËSHTJA “FILI” – Realdo Fili është një tjetër lojtar që ende nuk e ka zgjidhur kontratën me Luftëtarin. Për fierakun interesohen klube si Laçi, Vllaznia dhe Teuta. “Në ndryshim nga Laçi, që nuk vepron në bazë të rregulloreve për lojtarët, klubi i Teutës më telefonoi për Filin, duke respektuar kriteret. Pata një bisedë me kolegun tim Hasanbelliu, i cili u interesua për kontratën që ka Fili. Por, ashtu si Rapo, edhe Fili është nën kontratë me ne. Nuk ka shanse të lëvizë njeri pa marrë miratimin e klubit tonë. Kur të zgjidhim ne marrëveshjen, atëherë klubet e interesuara mund të futen në bisedime me lojtarët”, sqaroi Halilaj, i cili ka mbetur shumë i zhgënjyer për mënyrën se si ka negociuar me Donald Rapon presidenti i Laçit, Pashk Laska

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"