EKSKLUZIVE/ Situatë kaotike te Flamurtari, Troisi njofton largimin. Ja kërkesa që nuk i është plotësuar trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 23:55

EKSKLUZIVE/ Situatë kaotike te Flamurtari, Troisi njofton largimin. Ja kërkesa që nuk i është plotësuar trajnerit

Marcelo Troisi tenton largimin nga Flamurtari. Braziliani i pankinës vlonjate duket se nuk e ka duruar dot situatën që po kalon klubi. Në këto kushte, dje ka vendosur të largohet duke përshëndetur lojtarët. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se vendimin Troisi ua ka bërë të ditur futbollistëve pas seancës stërvitore.Marcelotroisi

Në klub gjërat nuk po ndryshojnë dhe merkatoja vijon të jetë e bllokuar, por më shumë se kjo arsye, kryesore ka qenë kërkesa e brazilianit për tri paga paradhënie përpara se të firmoste kontratën. Në një kohë që pagat po vonoheshin, atëherë tekniku nuk ka pritur, por ka menduar që t’i japë fund kësaj aventure pa filluar mirë.

Gjithçka ka ndodhur pas seancës stërvitore, e cila u zhvillua në orën 09:00 të paradites së djeshme. Trajneri ka shkuar në hotelin ku ekipi është grumbulluar dhe ka takuar lojtarët. Troisi ka përshëndetur futbollistët, të cilëve u ka thënë se po largohej. Trajneri brazilian ka vendosur në dijeni edhe drejtuesit e klubit për këtë vendim. Por, kanë qenë pikërisht ata, që e kanë penguar brazilianin të merrte rrugën drejt Greqisë.

Gjithsesi, deri në orën e vona të mbrëmjes së djeshme, Troisi mësohet se ka qenë i lëkundur për të qëndruar në Vlorë. Pritet që të shikohet se çfarë do të rezervojnë orët në vijim dhe nëse do të ndryshojë qëndrimi i brazilianit, i cili edhe në vitin e kaluar bëri të njëjtën gjë. Erdhi, qëndroi tri ditë në Vlorë, e më pas u kthye sërish në Greqi, aty ku mori drejtimin e klubit Iliasos, por që edhe aty gjithashtu qëndroi pak. Ndërkohë, gazeta u mundua të kontaktonte dje me trajnerin, duke e pyetur nëse ishte larguar nga Vlora, por ai as e mohoi dhe as e pohoi këtë. Sot do të mësohet më tepër në lidhje me të ardhmen e tij.

Idrizi-750x430

REAGIMI

Për këtë zhvillim të papritur në klubin vlonjat, “Panorama Sport” kontaktoi dje administratorin e Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili mbajti një qëndrim befasues për brazilianin. “Ku e dini ju që Troisi është trajner i Flamurtarit… E kemi prezantuar ne zyrtarisht si të tillë? Kur ta prezantojmë, atëherë po. Troisi është në krye të Flamurtarit dhe do të vazhdojë të jetë pjesë kryesore e klubit. Pastaj gjërat e tjera janë kot. Nuk kemi asnjë problem me Marcelo Troisin”.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"