EKSKLUZIVE/ Situatë kaotike, plas tek Apolonia! Pezullohen katër titullarë, ja prapaskenat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2021 | 0:14

EKSKLUZIVE/ Situatë kaotike, plas tek Apolonia! Pezullohen katër titullarë, ja prapaskenat (E PLOTË)

Situata tek Apolonia është më e komplikuar sesa duket.  Nuk është vetëm mungesa e rezultateve dhe vendi i fundit në tabelë, por ka probleme të ndjeshme dhe të prekshme brenda skuadrës, çka është reflektuar jo pak edhe në ecurinë e dobët të këtij ekipi, sidomos javëve të fundit. Nuk paskan të sosur telashet për Apoloninë!

apolonia levendi

“Panorama Sport” ka evidentuar mungesën e plot 6 futbollistëve në ndeshjen e fundit me Teutën: Benjamin Agiare, Stefano Omeri, Ksement Mehmeti, Aleksandro Zaimaj, Jeton Krasniqi dhe Ekemini Ejoh, të cilët nuk figuronin në protokoll.

Vetëm Agiare dhe Omeri kanë qenë të dëmtuar, ndërsa 4 të tjerët kanë pasur arsyen e pezullimit apo bllokimit nga ana e trajnerit dhe klubit.

MEHMETI – Ksement Mehmeti mund të quhet i larguari i parë nga kjo skuadër, pas plot 5 sezonesh si lojtar i Apolonisë. Vetë futbollisti është “diskret” dhe shprehet se është i dëmtuar, por nga klubi e pranojnë largimin e mesfushorit. Mehmeti ka luajtur për herë të fundit 90′ të plota më 12 mars, në ndeshjen Kukësi-Apolonia 1-1 dhe më pas rrugët janë ndarë. Duket se mesfushori ka qenë i pakënaqur me humbjen e pozicionit të titullarit të padiskutueshëm dhe me minutat që ka pasur në dispozicion gjatë këtij sezoni.

Apolonia

KRASNIQI – Me Jeton Krasniqin duket një situatë e ngjashme me atë të Eljon Sotës në fillim të kampi onatit, por sulmuesi po e paguan më keq refuzimin për nënshkrimin e një kontrate të re: Sotës iu hoq shiriti i kapitenit, ndërsa Krasniqi është deklaruar si i panevojshëm për skuadrën e parë dhe nuk ka qenë as në stol në 3 ndeshjet e fundit.

Është absurde të mendosh që një lojtar i Shpresave të Shqipërisë si Krasniqi, të jetë i panevojshëm për një ekip si Apolonia e vendit të fundit! Po cila është e vërteta? Është vetë sulmuesi 20- vjeçar, që hedh dritë, duke deklaruar se një ndëshkim i tillë nga klubi ka ardhur për faktin se Krasniqi nuk ka pranuar të nënshkruajë zgjatjen e kontratës me 2 vite të tjera.

“Unë jam në formë optimale, nuk kam pasur asnjë problem fizik. Jam pezulluar nga klubi, sepse nuk kam pranuar të zgjas kontratën. Unë jam edhe 1 vit nën kontratë dhe nuk ka arsye pse të firmos një tjetër. Le të marrin çdo lloj vendimi, le të hakmerren duke mos më aktivizuar, unë nuk tërhiqem nga qëndrimi im.

Bashkëpunimi bëhet me mirëkuptimin e të dyja palëve, jo me imponim apo me forma të tilla të padrejta dhe të pandershme”, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport” Jeton Krasniqi. Shtatlarti i sulmit fierak vijon të stërvitet, por është i vendosur në qëndrimin e tij, duke marrë parasysh çdo risk. Dhe vendimi hakmarrës i klubit vjen në momentin kur Krasniqi është në kulmin e formës së tij.

EJOH – Për Ekemini Ejoh nuk ka fund “saga” në aventurën e tij fierake. Pas ecejakeve të fillim sezonit që u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes së re 1+1, problemet mes nigerianit dhe drejtuesve janë shfaqur sërish në këtë fund kampionati. Ejoh është pezulluar për mungesë impenjimi me U-21.

Apolonia666

Po çfarë thotë vetë lojtari? “Nuk kam probleme me klubin, por me trajnerin Kamarata. Ai është i papërvojë dhe i hutuar. Unë jam munduar gjithmonë të jap maksimumin tim në stërvitje dhe në ndeshje. Trajneri më pezulloi pa asnjë arsye, ai nuk ka burrërinë të m’i thotë gjërat ashtu siç janë. Mendoj se më pezulloi për shkak të raportit që i dha trajneri i U-21, Nikolin Çoçlli, për ndeshjen me Akademinë e Futbollit.

Unë hyra në lojë në minutën e 67-të dhe trajneri Çoçlli i tha atij italian se unë dhe dy lojtarë të tjerë nga ekipi i parë po luanim ‘për qejf’, pa angazhim, gjë absolutisht e pavërtetë. Unë nuk bëj shaka me futbollin, sepse është puna ime dhe me këtë punë unë kujdesem për familjen dhe dy vëllezërit e mi që kam në universitet”, thotë Ejoh.

Në verë, nigeriani refuzoi një ofertë nga Kukësi për t’u ribashkuar me Apoloninë, por duket se do të jetë sezoni i tij i fundit në Fier. “Jam i stresuar nga kjo situatë, por do të përpiqem ta kaloj. Mora një ofertë nga Kukësi në verë, por bëra gabim që nuk shkova. Nuk do të vazhdoj më tek Apolonia, po pres fundin e sezonit dhe gjithçka mbaron këtu”, ka deklaruar enkas për gazetën Ekemini Ejoh.

ZAIMAJ – E njëjta situatë dhe për Aleksandro Zaimajn: pezullim për mungesë impenjimi. Mesfushori me pasaportë greke u cilësua si një nga goditjet më të mira të Apolonisë në merkaton e vjetshme dimërore, por këtë sezon pak hapësira ka pasur në fushë. Ka disa ditë që 23-vjeçari është larguar nga skuadra dhe nuk është dukur në Fier. Me shumë gjasa, kjo krisje do të çojë në fundin e bashkëpunimit mes tij dhe Apolonisë.

Apolonia2

RASTI ME SOTËN

Eljon Sota ka mbajtur shiritin e kapitenit të Apolonisë në 6 javët e para të këtij sezoni. Por, nga java e shtatë e në vazhdim, kapiten i emëruar nga klubi u bë qendërmbrojtësi ganez, Benjamin Agiare, me pretekstin se është lojtari më i madh në moshë dhe në përvojë. Sota “u zhgradua” nga presidenti i klubit, me motivacionin për mosimpenjimin e duhur në ndeshjen Kukësi-Apolonia 1-0 (më 5 dhjetor 2020), por e vërteta është se Sota kaloi një situatë të njëjtë me atë të tanishmen e Jeton Krasniqit.

Ish-kapiteni refuzoi rinovimin e kontratës dhe klubi e gjeti “sebepin” te humbja e asokohe me Kukësin, te “mosimpenjimi” i lojtarit. Sotës i skadon kontrata në fund të këtij kampionati dhe për shërbimet e tij janë të interesuara disa ekipe elitare, ku në “pole” qëndron Tirana.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"