“Situata nuk ka lidhje me 1997-ën”, Eduard Dervishi flet nga Spanja: Ja si po përballohet COVID-19

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2020 | 21:24

“Situata nuk ka lidhje me 1997-ën”, Eduard Dervishi flet nga Spanja: Ja si po përballohet COVID-19

UVIL ZAJMI

Është larguar nga Shqipëria gjatë trazirave të ’97-ës dhe ka mbi 23 vite që jeton e punon në Spanjë, zyrtar i Federatës Spanjolle të Futbollit, njëkohësisht kryen edhe funksionin si delegat i FIFA-s e UEFA-s.

eduard dervishi

Ish-sekretar i FSHF-së në ato vite, nga Madridi, ku ndodhet bashkë me familjen, bashkë me momentet e vështira që po kalojmë, nuk harron t’i rikthehet kohës, tensioneve, rrezikut, situatës së ashpër që u krijua në vendin tonë, e cila përfshiu, cenoi rëndë jo vetëm jetën sociale, por edhe sportin, në veçanti futbollin.

Pa dëshirën për të bërë krahasim me atë periudhë delikate, ai kujton: “1997-ta ishte një fenomen shqiptar pa lidhje me këtë aktual, që krejt ndryshe është një problem global, i shkaktuar nga një virus”, thotë për “Panorama Sport”.

Z. Dervishi, si po e kaloni këtë situatë?

Nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë më parë që do të na takonte të përjetonim një situatë të tillë, kaq të vështirë. Jeta jonë për afro 2 muaj, që tashmë më duket si një vit, ka ndryshuar papritur dhe në të vërtetë nuk shikoj një perspektivë optimiste. Po ashtu, kam filluar edhe një rutinë të re, të detyruar dhe jo të lehtë. Duke pasur pak mundësi për ta thyer atë, ajo bëhet edhe më e komplikuar për ta menaxhuar e aq më tepër për ne, të mësuar me një aktivitet kaq dinamik dhe hiperaktiv si futbolli. Koha ime, në rast se nuk jam duke punuar, kalon ndërmjet lajmeve, leximit, muzikës si dhe filmave, pa harruar dhe komunikimin me miq e shokë.

IMG-20200508-WA0025

Si është organizuar puna në këtë situatë në federatën spanjolle?

Federata spanjolle ka bërë një punë shumë të lavdërueshme e me autoritet, duke marrë përsipër rolin drejtues që i takon. Drejtuesit e saj u treguan largpamës, reaguan shumë shpejt dhe ndërmorëm disa masa shumë të rëndësishme, të cilat mendoj se do të ndihmojnë që dalja nga kjo krizë të bëhet më e lehtë, gjithnjë me shpresën se do të realizohet brenda kalendarit të parashikuar nga qeveria. Për federatën spanjolle pa asnjë dyshim prioriteti është shëndeti dhe jeta e futbollistëve.

Diçka më të detajuar, cilat janë ato?

Së pari dhe më e rëndësishmja ishte një plan i hollësishëm financiar që të siguronte e garantonte futbollin e kategorive më të ulëta, pra gjithë futbollin amator, i cili është dhe “zemra” e futbollit federativ. Atyre u ka mbërritur ndihma financiare e federatës, çka ka bërë të mundur që të përmbushin detyrimet e tyre edhe në këto kohë të vështira.

Po administrata e saj si funksionon?

Gjithashtu për të bërë të mundshëm vazhdimin e punës u morën të gjitha masat që punonjësit e administratës, nga vendbanimet e tyre, nëse do të ishte e nevojshme, të punonin pa asnjë ndërprerje për të përmbushur detyrimet si në aktivitetet e brendshme ashtu dhe ato ndërkombëtare. Dhe rezultatet, falë një sistemi cilësor telekomunikues, kanë qenë të jashtëzakonshme. Dhe të mos harrojmë se po flasim për një federatë me rreth 300 punonjës dhe me një aktivitet ekonomik e teknik shumë të gjerë.

Lidhur me departamentin që drejtoni ju?

Për sa i përket departamentit që unë drejtoj jam në kontakt të përditshëm me kolegët, trajtojmë çështje aktuale (në rast se kemi), përgatisim dokumentacion që mund të na nevojitet për të ardhmen, mbajmë kontakte me klubet, UEFA-n etj.

dervishi_4-470x307

Po me klubet profesioniste, si po veprohet?

Për sa u përket klubeve profesioniste, siç dihet, ato janë të organizuara në ligën e tyre dhe financiarisht nuk varen nga federata. Por, natyrisht federata është në kontakt të vazhdueshëm me ta si dhe me organizmat shtetërorë (Sekretariati i Shtetit për Sportet) për sa i takon vendosjes së datës për rifillimin si dhe datave për zhvillimin e kampionateve të tyre në përputhje me rregulloret e federatës. E kam fjalën këtu për Kategorinë e Pare e të Dytë profesioniste.

Si përfaqësues i UEFA-s, çfarë po ndodh me ato të elitës?

Klubet e elitës dhe ligat e tyre kudo në Europë, përfshi këtu edhe klubet tona si Reali i Madridit, FC Barecelona, Atletiko e Madridit etj., janë shumë aktive gjatë kësaj periudhe dhe së bashku me UEFA-n dhe federatat kombëtare kanë përgatitur disa variante për të mundur të dalim në mënyrë sa më sportive nga kjo krizë.

Me këtë dua të them që të kemi mundësi që fituesit e ligave si dhe ata që do të bien apo do të ngjiten në kategori të vendosen nga një garë sportive, sado e shkurtër të jetë ajo, dhe jo në tavolinë. Federata ka hartuar edhe një protokoll veprimi për daljen nga karantina i cili do t’i bashkohet protokollit qeveritar. Por, me gjithë dëshirën tonë, përfundimisht kjo do të varet nga evoluimi i kësaj situate kaq të vështirë që po kalojmë.

Po në FIFA si është atmosfera?

FIFA po ashtu po përballet me probleme shumë të mprehta, dhe jo vetëm për garat nën juridiksionin e saj, por edhe për periudhat e regjistrimit të futbollistëve, kontratat e tyre, transferimet etj. Nuk duhet të harrojmë që FIFA është përgjegjëse për 6 konfederatat e futbollit botëror, që përfshijnë rreth 211 federata dhe FIFA duhet të koordinojë, si në një “puzzle” të gjitha aktivitetet që përmenda me sipër. Detyrë jo e lehtë. Shumë e rëndësishme të thuhet që FIFA do të ndihmojë edhe financiarisht federatat nga fondi i saj rezervë.

Një “Bernabeu” i boshatisur, çfarë po ndodh me atë tempull?

Është e trishtueshme të shikosh imazhet e sotme të Madridit, këtij qyteti kaq kozmopolit e mikpritës, që me magjinë e tij i tërheq njerëzit dhe i mrekullon ata. Një qytet plot jetë që të ofron çdo gjë: artin, kulturën gastronominë, dritën etj. Gjithashtu në Madrid futbolli, si në pak qytete të botës, përjetohet si një besim, është pjesë e kulturës së këtij vendi. Dhe sot stadiumi “Santiago Bernabeu”, një nga tempujt e futbollit botëror, vizita e të cilit është një nga atraksionet e rëndësishme të qytetit, qëndron i heshtur.

Një situatë absurde që të kujton shkrimtarin dhe gazetarin nga Uruguai, E. Galeano, kur thotë: “A keni hyrë ndonjëherë në një stadium bosh? Ndalo në qendër të fushës e dëgjo. Nuk ka asgjë me të heshtur e trishtuar se një stadium bosh”. Dhe tek e shikojmë sot “Bernabeun” aq madhështor, por në heshtje, pa atmosferën që madrilenët janë mësuar të përcjellë tek ata, e kuptojmë që rëndësia e stadiumit qëndron te njerëzit, tek ata që i japin jetë e shkruajnë historinë e tij.

Z. Dervishi, nëse kthehemi te’97-ta, një situate analoge, me dhe pa futboll?

E vetmja gjë e përbashkët e këtyre dy situatave është se në Shqipëri nuk po luhet futboll. Por, ndërsa sot i shkaktuar nga një pandemi globale, viti i largët 1997 ishte një fenomen shqiptar, një problem i krijuar nga papërgjegjshmëria historike e klasës sonë politike.

Por, ka edhe një ndryshim tjetër: Ndërsa në vitin 1997 në Shqipëri “ndaloi” jeta, futbolli, kampionati me gjithë vështirësitë e krijuara, dhunën, pasigurinë e stadiumeve, të vetë futbollistëve, arbitrave dhe drejtuesve, u gjet mënyra, mundësia, formula, edhe pse nën grykën e armëve, arriti të mbyllej, duke shpallur fituesit.

20180330102544_art

Jeni dëshmitar kur kombëtarja jonë luajti e detyruar në “mërgim”?

Bëhet fjalë për atë periudhë dhe e keni fjalën për katër ndeshjet, dy të Kombëtares dhe dy të U-21 kundër Gjermanisë dhe Ukrainës që u luajtën në qytetin jugor të Granadës, Spanjë. Janë ndeshje historike dhe për vështirësinë e organizimit të tyre, por që fatkeqësisht janë trajtuar në formë shumë sipërfaqësore nga shtypi në ditët e sotme.

Në lidhje me?

Thuhet se u luajtën… dhe kaq! Por si u arrit të luhej kur dy javë përpara ndeshjeve kufiri u mbyll? Si u organizuan ato katër takime në më pak se dy javë larg vendit e federatës, ndërsa në Shqipëri nga ajo “luftë” absurde po humbnin jetë njerëzish? Si erdhën futbollistët? Kush na ndihmoi etj., etj.? Janë shumë përgjigje që ndoshta një ditë do të shkruaj për to.

Z. Dervishi, e ndiqni kampionatin shqiptar?

Së pari shpresoj dhe uroj të fillojë sa më shpejt, por gjithmonë pa rrezikuar, madje duke siguruar jetën e futbollistëve, arbitrave, drejtuesve, trajnerëve, të gjithë komunitetit. Jam i sigurt dhe i informuar që edhe federata juaj është e angazhuar e në sintoni me UEFA-n, FIFA-n, qeverinë, kur e si do të veprohet, masat konkrete që do të merren. Kampionati shqiptar mbetet një pasion i rinisë, nostalgjisë sime, dhe natyrisht kur kam mundësi e kohë, e ndjek. Por, më shumë jam i lidhur me Kombëtaren, që me emocionon kur luan, në mënyrë të veçantë djalin tim të madh. Në Spanjë luajnë edhe disa futbollistë shqiptarë.

Sa informacion keni për ta?

Jam i informuar, madje edhe i ndjek kur më jepet rasti, pasi luajnë me skuadra të Ligës, si Bare, Sadiku, të cilët janë edhe lojtarë të Kombëtares. Sigurisht aktivizimi në nivele të tilla, eksperienca e fituar të jep më shumë mundësi të tregosh vlerat. Derisa aktivizohen në të tilla nivele, tregon se i kanë. Në të njëjtën kohë këta djem po japin një kontribut e po u shërbejnë futbollistëve më të rinj se me nivelin e tyre po bëjnë që futbolli spanjoll të kthejë kokën edhe nga Shqipëria. Edhe për këtë më vjen shumë mirë.

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"