EKSKLUZIVE/ Sirenat turke, Partizani i vendos çmimin Eraldo Çinarit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2020 | 23:55

EKSKLUZIVE/ Sirenat turke, Partizani i vendos çmimin Eraldo Çinarit (E PLOTË)

Eraldo Çinari mund të shitet nga Partizani për jo më pak se 250 mijë euro. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klubin e kuq se ka pasur së fundmi një interesim konkret nga disa skuadra turke të Ligës së Dytë. Pas transferimit të Lorenc Trashit te klubi nga Kuvajti, Al Qadsia, të kuqtë kanë vendosur çmimin edhe për sulmuesin shkodran, i cili këtë kampionat ka shënuar nëntë gola, ndërsa ka qenë protagonist edhe në sezonin e titullit kampion.eralld cinari

Mes klubeve që interesohen është edhe Menemenspor, aty ku luajnë portieri i Kombëtares shqiptare, Gentjan Selmani dhe mbrojtësi kosovar, David Domgjoni.

Drejtuesit e Partizanit nuk duan të nxitohen, pasi mendojnë se për shërbimet e 23- vjeçarit mund të vijnë oferta më joshëse deri në fund të këtij sezoni. Çinari është nën kontratë me të kuqtë edhe për një vit e gjysmë, teksa shifra 250 mijë euro është më minimalja për të lëshuar shkodranin.

Ky është sezoni i dytë që sulmuesi luan me fanellën e kuqe, duke numëruar 50 ndeshje në kampionat dhe në total 15 gola. Gjithashtu në Kupë është aktivizuar 8 herë me të kuqtë, ndërsa ka luajtur edhe në finalen e Superkupës. Me të kuqtë ka gjithashtu 2 prezenca në Ligën e Kampioneve dhe po kaq në Ligën e Europës.

Një titull dhe një Superkupë e fituar në sezonin e tij të parë me “demat” janë një arritje e madhe për shkodranin, që është vetëm 23 vjeç dhe tashmë mund të jetë momenti i artë për një kapërcim në karrierë.

Partizani pagoi afro 60 milionë lekë për të blerë kartonin e tij te Vllaznia dhe tani kërkon që investimi për sulmuesin të kthehet mbrapsht dhe natyrisht në fund klubi të dalë i fituar, por edhe lojtari të transferohet në një kampionat më të fortë se Superiorja.

JORGIS MEMO

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"