EKSKLUZIVE/ “Si mund të ndahem unë nga Partizani…”, Lorenc Trashi: Ja pse fitojnë “demat” derbin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 22:45

EKSKLUZIVE/ “Si mund të ndahem unë nga Partizani…”, Lorenc Trashi: Ja pse fitojnë “demat” derbin

Lorenc Trashi, ishmbrojtësi i Partizanit, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur gjatë për sfidën e së premtes, derbin e kryeqytetit. Vetë 28- vjeçari ka humbur vetëm një ndeshje derbi në 17 të luajtura kundër Tiranës, gjatë 6 sezoneve që mbrojti fanellën e Partizanit.

Trashi Derbi

Në intervistën e tij, Trashi tregoi sfidën e tij më tëveçantë me fanellën e “demave”, parashikoi Partizanin fitues në derbi, i uroi suksese Hakajt që po mbulon rolin e tij dhe i thuri elozhe trajnerit Ilir Daja. Ndërsa sa i takon derbit më të bukur në të cilin ka luajtur, Trashi veçoi sfidën e sezonit 2015-’16, të cilën Partizani e fitoi me rezultatin e pastër 2-0 në “Qemal Stafa”.

Keni luajtur 256 ndeshje me Partizanin. Mund të veçoni një sfidë si më të paharrueshmen?

Si ndeshjen më të veçantë do të zgjidhja ndeshjen kundër Tiranës, fituam 2-1 me dy golat e Çinarit, ku dhe në atë ndeshje u shpallëm kampionë matematikisht.

Po afron derbi kundër Tiranës, normalisht që vëmendja është vetëm aty. Si e parashikon Trashi këtë sfidë?

Kur vjen java e derbit, e gjithë vëmendja është aty, e gjithë Shqipëria mendoj mezi e pret atë ndeshje. Unë mendoj që Partizani ka krijuar një grup shumë të fortë dhe mendoj se do ta fitojë këtë ndeshje, sepse shoh që kanë një ngritje të madhe në lojë, kanë një harmoni shumë të mirë.

Vitin e shkuar, Tirana ishte më e suksesshme në derbi dhe arriti të fitonte edhe titullin kampion.  Çfarë duhet të bëjë Partizani që të përmbysë situatën?

Duhet ta pranojmë që Tirana vjet ka pasur një ekip shumë të mirë, si dhe këtë vit do të jenë një kockë e fortë. Pastaj, derbi është derbi, merr tjetër rrjedhë loja sado ekip të mirë dhe kualitet të kesh. Unë mendoj që Partizani duhet të bëjë lojën e vet, siç ka bërë këto ndeshjet që kemi parë. Unë kam shumë besim te profesor Iliri dhe te çunat e ekipit, që do ta përballojnë me sukses këtë derbi.

Cilët mendoni se janë elementët që mund të bëjnë diferencën për Partizanin, për ta fituar këtë sfidë? 

Partizani ka një trajner shumë të mirë, por mbi të gjitha, ka një grup djemsh shumë të fortë. Shoh që Partizani pikën më të fortë ka grupin dhe harmoninë që kanë krijuar mes njëri-tjetrit.

Trashi Partizani-Tirana

Cili është derbi më i bukur në të cilin keni luajtur?

Janë kaq shumë derbi që kam luajtur të them të drejtën dhe nuk e di kë të veçoj si ndeshjen time më të mirë,por më kujtohet një ndeshje në ish-stadiumin e vjetër “Qemal Stafa”, kemi fituar 2-0 me golat e Fejzulait dhe Sukajt. Mendoj që ai është derbi më i mirë që kam bërë.

Jeni transferuar shumë larg Shqipërisë, por keni treguar se i ndiqni ndeshjet e Partizanit. Duket se nuk ndaheni dot aq lehtë…

Si mund të ndahem unë nga Partizani… Vërtet jam larguar të luaj në një kampionat tjetër, por ruaj raporte shumë-shumë të mira me presidentin Demi, ai është një mik imi. Mos të them që e konsideroj si njeriun e familjes, sepse ka bërë shumë për mua. Mos të lë pa përmendur marrëdhënien që kam me tifozët e mrekullueshëm. Ruaj kontakte me shumë tifozë të Partizanit. Partizani është familja ime dhe unë shpresoj që një ditë të kthehem te Partizani. Nuk e di, ndoshta si lojtar, ndoshta dhe si pjesë e familjes së Partizanit.

Hakaj po luan në rolin që ju e keni mbuluar për shumë sezone te “demat”. Si ju duket paraqitja e tij këtë sezon?

Jam shumë i gëzuar për Hakajn, është në radhë të parë një djalë fantastik, i shkëlqyer, por më shumë më bëhet qejfi që ai ka kapur formën e tij. E shoh që ka bërë paraqitje shumë të mira dhe e ka ndihmuar shumë ekipin në këtë fillim kampionati. I uroj më të mirat dhe shpresoj të vazhdojë kështu.

lorenc trashi

Keni shënuar 20 gola, një shifër shumë e kënaqshme për një mbrojtës. Gjithsesi, goli në derbi ju ka munguar. Ju ka mbetur peng kjo gjë?

Të them të drejtën, është ëndërr e çdo lojtari të shënojë në derbi, por unë nuk e kam arritur dot. Nuk e kam peng fare, sepse në 6 vitet si pjesë e Partizanit, unë vetëm një derbi kam humbur, një derbi që kam qenë në fushë, pasi në derbin tjetër nuk kam qenë. Jam i kënaqur me fitoret dhe që kam ndihmuar ekipin t’i fitojë ato ndeshje.

Plot 17 ndeshje derbi keni luajtur kundër Tiranës, 10 fitore dhe vetëm një humbje. Jeni krenar për këtë statistikë?

Realisht, jam shumë krenar, sepse nuk është diçka normale. Nuk e kanë shansin shumë lojtarë t’i kenë këto statistika në karrierë, kur bëhet fjalë për ndeshje derbi.

Në krye të Partizanit, Ilir Daja. Mendoni se me ardhjen e tij në krye të pankinës, Partizani është një hap më pranë titullit?

Tashmë i dimë të gjithë vlerat që ka profesor Daja. Pavarësisht se unë nuk kam punuar asnjëherë me të, kam një admirim për të si trajner. E përgëzoj për punën që po bën te Partizani dhe i uroj më të mirat, bashkë me ekipin. E rëndësishme është që ekipi të bëjë ndeshje të mira dhe lojën që kërkon trajneri. Më pas, rezultatet do të vijnë, e sigurt. Partizani gjithmonë është dhe gjithmonë luan për titull!

VERONIK ISTREFAJ 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"